Kalaja e Krujës, specialistët inspektim për përforcimin e strukturës. –
Kalaja e Krujës, specialistët inspektim për përforcimin e strukturës
29/12/2019
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe me gjeologë e konstruktorë kryen një inspektim në kalanë e Krujës. IKTK shprehet se kjo u bë për studimin e zonës së kalasë dhe për të gjetur mënyrën për të përforcuar strukturën. “Inspektimi pati si qëllim studimin gjeologjik të zonës së kalasë për të gjetur mënyrën e duhur për përforcimin e strukturës shkëmbore mbi të cilën është ngritur kalaja”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa ka publikuar dhe foto gjatë këtij inspektimi me specialistët në Krujë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar, që në shekullin e III p.e.r, ndërsa kalaja është ngritur në shekullin e V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore.
Përmendet me emrin e sotëm në shekullin e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shekullin e XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryefortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët. Hamami i kalasë ndodhet në skajin jugperëndimor të kalasë, afër teqesë së Dollmës. Ky objekt përbëhet nga katër ambiente. Ambienti i zhveshjes sot ruhet i zbuluar pa çati. Me shkallë prej këndej zbritet në ambientin ndërmjetës i cili djathtas ka gjurmë të një vaske. Më në thellësi janë dy ambientet e veçantë të larjes, të cilët kanë pasur nga një vaskë. Ambienti i djathtë komunikon me dritare me sterën e ujit. Stera furnizohet me ujë me anën e një dritareje të vogël në qoshen pranë pusit të sheshit. Në mes të sterës është vendi i kazanit të ujit, ndërsa në njërin skaj një kapërderdhës veçon ujin e ftohtë. Përballë muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ndodhen rrënojat e një ish-kishe, që gjatë pushtimit osman u kthye në xhami. Në cepin më lindor të kështjellës ekziston ende një kullë kambanore e saj. Kjo kullë është gjetur në vitin 1988.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/