Kalaja e Lezhes

Kalaja e Lezhës braktiset nga vizitorët, ndikoi edhe lufta! – Bie numri i turistëve nga Europa Lindore

25 Pril 2022

ELVIS HILA/ Në Kalanë mesjetare të Lezhës, ku heroi ynë, Skënderbeu, lidhi besën me princat shqiptarë, hapat e vizitorëve që duan të shuajnë kërshërinë ndihen rrallë e më rrallë.

Nga 1 milion turistë që vizitojnë çdo vit rajonin e Lezhës, në më të mirën e rasteve vetëm 0,3 për qind e tyre mbërrijnë te porta e Kalasë, që hap panoramën e “qytetit që qëndron në ajër”.

Shkaku duket i lashtë si vetë ky monument kulture, e lidhet me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme, që do t’u lejonte turistëve të shijonin peizazhin e arkitekturën e këtij aseti të ndodhur majë kodrës në lindje të qytetit. Jo vetëm neglizhenca, por edhe gabimet e pushtetit lokal e qendror, kanë bërë që kalaja të mos vizitohet për ditë të tëra. Ndërhyrjet e një dekade më parë në 1,8 km rrugë që do të çonte turistët në kala, rezultojnë të papërshtatshme. Rruga është tepër e ngushtë, e në të nuk mund të lëvizin mjetet e larta.

“Sot ka vajtur ora 14:00 dhe deri tani nuk ka ardhur asnjë vizitor. Një nga gabimet e mëdha që është bërë në projektin e asaj rruge, është mosparashikimi i gjerësisë që do të shërbente për t’u ngjitur autobusët. Ke dy kthesa jashtëzakonisht të vështira, të cilat e bëjnë të pamundur ngjitjen e autobusëve, sidomos ato me turistë të huaj, që janë mësuar me rrugë me standarde. Nëse autobusët me turistë do të depërtonin deri në kala, numri i vizitorëve do të ishte 10 herë më i lartë”, thotë përgjegjësi i kalasë, Ded Margjoni.

“Po të vinin autobusët me turistë, numri i vizitoreve do të ishte 10 herë më i lartë. Sepse të vinë nga Lezha deri këtu në këmbë është goxha distancë dhe rrugë malore. Bëhet fjalë për 1.8 km rrugë dhe, në këto kushte, vizitoret vinë në Lezhë dhe ndalen vetëm te vendvarrimi i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe nuk e marrin fare mundimin që të vinë në kala”, shton Margjoni.

Kalaja e Lezhes

PLANI URBANISTIK

Përflitet për një tjetër plan, që parashikon një tjetër rrugë në anën jugore që lidh qytetin me kalanë, por sa kohë nuk ka afate të përcaktuara, Kalasë së Lezhës do t’i mungojnë vizitorët. Ndërkohë, edhe lufta në Ukrainë ka goditur turizmin historik në Lezhë. Numri i turisteve të huaj në kala është reduktuar, që prej nisjes së konfliktit RusiUkrainë.

“Pas luftës shumë pak njerëz, përjashto fëmijë, që mund të vijnë, por dhe ato fëmijë të qytetit janë. Po shkon nganjëherë tri ditë, edhe katër ditë madje pa ardhur asnjë vizitor. Ky është një monument i jashtëzakonshëm, një ndër pesë kështjellat më kryesore të Shqipërisë”, thotë përgjegjësi i kalasë, Ded Margjoni. Vitet e fundit aty kishin nisur të shkonin turistë nga Europa Qendrore dhe ajo Lindore, por tanimë gjithçka është pezulluar. “Para shpërthimit të luftës, vinin edhe nga Europa Qendrore çekë, sllovakë, ukrainas, por zakonisht numri shkon në 3 mijë turistë”, shton Margjoni.

Gazeta Panorama