Kalaja e Matrizës në Rubik monument historik i lënë në harresë
Lugina e Rubikut është e banuar që në antikitet, çka e vërtetojnë gjetjet e shumta arkeologjike. Në vitin 2007 me interesimin e kishës Françeskane u kryen kërkime arkeologjike të udhëhequra nga arkeologu, Gëzim Hoxha, në gjysmën e sipërfaqes së absidës në kishën e Shëlbuemit. Kërkimet nxorrën material të mjaftueshëm arkeologjik.
Materialet e gjetura në të dy sondazhet arkeologjike nën nivelin e themeleve të kishës, dëshmojnë për një periudhë shumë më të hershme se sa ndërtimi i saj (viti 1166 kur përmendet e dokumentuar për herë të parë). Gjatë kërkimeve arkeologjike u zbulua qeramikë e periudhës helenistike (shek. II-I para Kr.), që sipas arkeologut, Hoxha, ishin të ngjashme me gjetjet e vendbanimit të Pllanës nga arkeologët austriakë Praschniker dhe Schober, që është identifikuar si Bassania e burimeve antike. Pati edhe gjetje të periudhës Romake (shek. I-III pas Kr.) Në një studim të vitit 1978, botuar në revistën “Monumentet”, Dhimitër Shuteriqi thekson se gjatë punimeve rastësore në vitet 60-të, ka pasur gjetje të periudhës antike në Rubik dhe në jug të tij, tek kisha e Shëlbuemit, etj. Në Rubik, Fang, Rrasfik, etj. janë zbuluar vegla pune, enë qeramike, aksesorë të ndryshëm, të ngjashëm me ato të zbuluara në disa zona të Mirditës, si në: Përlat, Baz, Malaj, Ungrej, Bushkash, Kokërdhok, Kalor (Fushë Papërdhok), Gëziq, Kalivaç. etj. At Fabian Barcata (prifti-misionar austriak që shërbeu për disa vite në fillim të shek. XX, në zonën e Rubikut), në romanin e tij “Lule”, do shkruante se në shkëmbin e kishës së Shëlbuemit ka qënë një vendbanim para-Romak, dhe pas pushtimit nga Romakët, në shkëmb u ndërtua një kështjellë. Në Rubik që në antikitet ka kaluar një rrugë e rëndësishme që lidhte Lissusin (Lezhën) me Therandën (Prizrenin) e deri në Naissus (Nish). Rruga të çonte prej Lissusi (Lezhë), me anën e Mirditës për në Drin, vazhdonte për në Prizren e Kosovë, e pastaj për në Nish e gjatë lumit Timok për Tunë. Një dëshmi se kjo rrugë rrihej edhe përpara se ta ndreqnin Romakët, janë monedhat e qyteteve të Dyrrahut dhe të Apollonisë që gjenden në Siebenburgen.1) Në librin “Mbi ndërtimet”, Prokopi i Cezaresë ndër të tjera përmend edhe “castrum Matris”, si një ndër kalatë që ishte ndërtuar në fillim të shek.VI nga Justiniani I në Epirin e Ri, për t’u mbrojtur nga dyndjet barbare.2) Historiani bizantin i shek. VI, Prokopi nga Cezarea, na bën të ditur se Justiniani ndërtoi ose rindërtoi 58 fortifikime në Epir të Ri dhe 36 në Epir të Vjetër, një pjesë e mirë e të cilave gjenden në vendin tonë. Ndërtimet e shek. VI në shumicën e tyre dallohen nga një vendosje më e çrregullt e gurëve, cilësia më e lartë i llaçit me sasi të madhe gëlqereje dhe një preferim i “muraturës së derdhur” të përbërë prej faqeve anësore dhe bërthamës, teknikë kjo që rekomandohet edhe nga Prokopi. Muret e fortifikimeve ngrihen drejt mbi shkëmb ose mbi themele guri mbi terrenet e buta. Në kalanë e Rubikut, trashësia e pakët nuk lejonte krijimin e shtegut, ky formohej me anën e një platforme me trarë të inkastruar në murë, zgjidhje që e gjejmë të trashëguar në mesjetë dhe në qytetin e fortifikuar të Drishtit. Në shtigje kalohej me anë shkallësh zakonisht me pjerrësi 45°, në afërsi të kullave.3) Përveç mureve rrethuese të kalasë, në majën më të lartë, vërehen mbetjet e një çisterne uji të ndërtuar me muraturë guri. Çisterna duket se ka pasur një bazë të thjeshtë drejtkëndore me përmasa 3.60 x 2.50 m. Ndërsa nga sipër ka qënë e mbuluar me qemer guri, duke pasur lartësinë maksimale pak më shumë se 2 m. Aty këtu, në sipërfaqen e brendshme të mureve kanë mbetur ende gjurmë të suvatimit me llaç horasan me funksion hidrolizues.4) Kalaja e Rubikut ruan grykën e lumit të vogël që quhet Rubik, i cili buron në malin e Zhupës dhe derdhet në lumin Fanë në qytetin e Rubikut. Kalaja ndodhet në bregun verior të lumit. Në bregun jugor, në një lartësi gati të njëjtë, gjendet edhe një fortifikatë tjetër mesjetare që ruan grykën e lumit. Pra rruga e hershme që kalonte këtu dhe lidhte Lezhën me brendësinë e Shqipërisë drejt lindjes, deri në Prizren e tutje ishte e fortifikuar.5) Në periudhën e mesjetës zona e Rubikut rrethohej nga disa kala (fortifikata), të cilat kishin funksion mbrojtës dhe kontrollues. Rruga Lezhë – Prizren, ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike dhe tregtare të Kastriotëve. Nëpërmjet rrugës Lezhë – Prizren, ka shkruar A. Dyselie, Gjon Kastrioti ka synuar të bënte tregti transballkanike. Për lidhjen e trevave bregdetare me trevat lindore, pas Rrugës Egnatia, rruga Lezhë-Prizren e më tutje ka qenë më e rëndësishmja në trojet e Arbënisë së Epërme e të Mesme. Rruga ka ndjekur rrjedhjen e lumit Fan dhe të Fanit të Vogël dhe nga Kumlla e Fanit ka dalë në Lumë për të arritur në Prizren. Kjo rrugë është emërtuar edhe si “rruga tregtare nëpër tokën e Gjon Kastriotit”. Zotërimi i rrugës Lezhë – Prizren ka qenë një faktor parësor për veprimtarinë ekonomike e politike të disa familjeve fisnike, si Kastriotët, Dukagjinët, Jonimët etj. Kalaja e Rubikut, pikë kryesore mbështetëse në luftimet e Skënderbeut Burimet historike të fillim shek. XV, tregojnë se Gjon Kastrioti mori në zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë, dhe kriporet e Shën Kollit, që më parë kishin qënë në duart e Dhimitër Jonimës, si edhe gjithë zotërimin e tij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Shtrirja e gjerë e shtetit të Kastriotëve është pasqyruar edhe në burimet historike osmane. Në një dokument të muajt maj të vitit 1438 përmendet regjistri kadastral i “Tokave të Gjonit” (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti i Dhimitër Jonimës. 8) Në vitet 30-të shek. XV Gjergj Kastrioti përmendet si Spahi i një timari të madh me të pakten 9 fshatra në vilajetin e Dhimitër Jonimës. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë – Rubik, që përshkohej nga rruga e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. 9) Sipas Oliver Schmitt, në këtë periudhë u ndërmor nga Skënderbeu një ndërmarrje restauruse dhe fortifikuese në këtë zonë. (Schmitt sqaron aktivitetin e Skënderbeut për ndërtimin dhe përforcimin e kështjellave malore në shpinë të Krujës dhe në afërsi të Lezhës.10) Duke u mbështetur në burimet historike, Kalaja e Matrizës Rubik ka shërbyer si pikë kryesore mbështetëse në veprimet luftarake të Skëndërbeut në këtë zonë. Kalaja e Matrizës ka pasur funksion mbrojtës dhe kontrollues, pasi në luginat lumore që zgjaten në lindje të saj janë të vendosur mjaft fshatra, me një popullsi të dendur për periudhën e mesjetës.11) Nga një shënim në defterin shqiptar (Arvanid Defteri), në lidhje me Skëndërbeun, mësojmë se në maj 1438 nëntë katunde nga vilajeti i Dhimitër Jonimës që i përkisnin Skëndërbeut i ishin dhënë Andre Karlos. Siç duket kjo ka lidhje me heqjen e Skëndërbeut nga posti i Subashit. Këto nëntë katunde, sipas defterit në fjalë, ishin të regjistruara edhe në defterin e tokave të Gjonit (Juvan-ili),. d.m.th. u përkasin tokave të Gjon Kastriotit, babait të Skëndërbeut. Këto toka, shteti osman i konsideronte si toka shtetërore që jepeshin si timare, por për Skënderbeun ato ishin tokat e zotërimit të babait të tij.12) Luftime të ushtrisë së Skënderbeut me turqit janë zhvilluar në Bulger (në Kulme të Dervenit dhe në luginën e Fanit, pranë Rubikut), ashtu siç na dokumenton edhe Barleti.13) Skënderbeu pasi u kthye nga Roma, mblodhi nga çdo anë dhe bashkoi në një vend një ushtri shumë të madhe. Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini. dhe në krye të tjetrës Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre. Këta, duke i drejtuar forcat nga Lezha përmes fushave të Matjes dhe pyllit të Jonimëve, do ta sulmonin armikun nga kjo anë. Skënderbeu do të sulmonte nga ana tjetër. Jonima, vëllai i Ballabanit, e kishte kaluar tanimë malin e Bulgrit. Skënderbeu, kur e mori vesh këtë, vazhdoi për tërë natën me shpejtësinë më të madhe në drejtim të Jonimës duke e zënë të gjallë bashkë me të birin Heder.14) Në ushtrinë që Skënderbeu mbante gjithnjë në këmbë, kishte edhe shumë mirditas.15) Pas pushtimit osman edhe Rubiku nuk i shpëtoi valës shkatërruese, duke e humbur rëndësinë e tij, popullsia u zhvendos në fshatrat përreth. Kjo pasqyrohet edhe në të dhënat e defterit osman të vitit 1467, për sanxhakun e Ohrit. Sipas të cilit një pjesë e madhe e popullsisë kishte braktisur vendbanimet e tyre, për shkak të djegieve dhe shkatërrimeve në masë. Ushtritë turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plaçkit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue dhe tue zezue. Vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh.16) Në zonën e Rubikut, sipas defterit osman të vitit 1467, përmenden disa familje të rëndësishme të kohës, si: Matriza, Plesha, Skura, Suma, Aleksi, Gjika, Trasha, Skanda, etj. Në kadastrën Venedikase të Katedrales së Ljubiçit, në vitin 1416, përmendet Martin Matriza si komandant i Renesit (Rencit) në Shëngjin. Sipas dokumenteve të kohës në malin e Rencit në Shëngjin, në ato vite, Gjon Kastrioti kishte ngritur një kala, pasi Shëngjini ishte bërë pjesë e zotërimeve të tij. Edhe familja Plesha ishte ndër familjet e rëndësishme të “aristokracisë së maleve” në atë periudhë, por edhe në vazhdim. Në një dokument të vitit 1595, si një ndër krerët e malësive të veriut, përmendet edhe Tom Plesha, që mbante titullin e Kavalierit. “Kavalier Tom Plesha, i dërguem shqiptar, i paraqet Papës, nëpërmjet të nuncit të Venedikut, shestimet e Shqiptarvet për me u lirue prej robnijet.” (Arkivi i Vatikanit).17) Sipas defterit osman të vitit 1520-30-të, vilajeti i Pjetër (Dhimitër) Jonimës, përbëhej nga këto fshatra. Referencat Nga: Julian Vlashi |