Kalaja e Prizrenit në dekadën e investimit milionësh, braktiset nga shteti
23 Prill 2024
Ende nuk është rrumbullakuar dekada prejse aty u investuan mbi një milion euro, e u parashikua e ardhmja e ndritur e monumentit. Kur shkohet në Kalanë e Prizrenit ende pa u futur brenda rrethojës shihet se bëhet fjalë për një lokalitet të braktisur. Nuk ekziston mirëmbajtja. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. S’ka mirëmbajtës e as roja nate. Është shembull i braktisjes nga shteti
“CHwB Kosova”, parashihnin të ardhme të ndritshme për monumentin.
Në projektin trevjeçar, qenë investuar 700 mijë dollarë të Fondit të ambasadorit për trashëgimi kulturore. Bashkë me ato të buxhetit të Kosovës, është kaluar milionëshi. Puna në terren kishte përfunduar.
Por tash situata është krejt ndryshe.
Kur shkohet në Kalanë e Prizrenit ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se bëhet fjalë për një lokalitet të braktisur. Nuk ekziston mirëmbajtja. Me të hyrë në portën perëndimore – kryesorja e monumentit – për “mirëseardhje” shërben një ombrelle dhe një frigorifer ku shiten pije. Pamja e këtij këndi dhe muzika që lëshohet prej aty, veç me monumentin nuk ka kurrfarë lidhjeje. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se një viti, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë s’merr kush pikë përgjegjësie.
Vegjetacioni është mirëmbajtur deri diku. Kjo në baza private nga arkeologu Shafi Gashi, i cili njëherësh është udhëheqës i projektit të Kalasë. Pjesa muzeore është e mbyllur me dry.
Kalaja prej fillimit të marsit nuk i ka as pesë punonjësit teknik që shërbenin për roje e mirëmbajte. Nuk ruhet as natën. Është braktisur krejtësisht.
Sipas udhëheqësit të projektit për Kalanë, arkeologut të IKA-ut, Shafi Gashi, deri vjet kanë qenë shtatë veta, prej të cilëve dy përgjegjës për muzeun brenda kompleksit. Por prej vitit të kaluar janë angazhuar vetëm pesë: tre mirëmbajtës dhe dy roja nate.
“Gjendja është në pikën më të ulët të mundshme. Bëj nga pak pagesa në baza private për mirëmbajtje. Nëse ndodh diçka, nuk merr kush përgjegjësi. Është njëfarë kujdesi pa kontrata punë. S’ka rojë as natën dhe gjendja është shumë e rëndë. Nuk e di ku është përgjegjësia institucionale”, ka thënë ai.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave nuk ka kurrfarë përgjigjeje për mirëmbajtjen e shtigjeve për ecje.
“Sikur të caktohet një trup menaxhues do të ishte më mirë. Do të thotë, të funksionalizohej stafi”, ka thënë ai.
Në dhjetor të vitit 2020 ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit. Sipas Planit, ky aset i trashëgimisë kulturore duhet të ketë 16 punonjës. Prej korrikut të 2022-s Ministria e Kulturës ka emëruar edhe njësinë menaxhuese për Kalanë. Por ky institucion, tash e 15 ditë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHË-s.
“Përse Kalaja e Prizrenit, nuk ka staf dhe muzeu brenda është i mbyllur, si dhe kur do të dilet nga kjo situatë; Përse mungon mirëmbajtja e shtigjeve të drunjta e tabelave shpjeguese; Ku qëndron procesi i shenjëzimit dhe sistemit të biletave për ta vizituara monumentin?”, kanë qenë pyetjet. Ministria e Kulturës nuk ka kthyer përgjigje edhe pse pyetjet e KOHË-s ia ka përcjellë Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe ka marrë përgjigje për secilën nga pyetjet. E instituti Arkeologjik i Kosovës është përgjigjur shkurt.
“Presim që shumë shpejt të angazhohen rojat dhe mirëmbajtësit”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit, arkeologu, Milot Berisha. Situata e njëjtë ishte edhe para një viti. Për tre muaj kishte munguar përkujdesja në mungesë të të angazhuarve që dikur shërbenin me Marrëveshjet për shërbime të veçanta e tash angazhohen nëpërmjet prokurimit.
KOHA ka kontaktuar edhe Komunën e Prizrenit. Nënkryetari Kujtim Gashi, ish-ministër i Kulturës, nuk ka dashur ta komentojë situatën.
Sali Shoshi i cili udhëheq me Fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova” ishte midis atyre që kishin vënë nënshkrimet në marrëveshjen me Ambasadën e SHBA-së në gusht të vitit 2014. Qenë përgjegjës për Planin e menaxhimit, shenjëzimin, shtigjet e drunjta dhe pjesën e amfiteatrit.
“Përmes planit të menaxhimit vazhdon mirëmbajtja. Ashtu është logjika në të gjitha projektet si këto. Mbi atë premisë edhe janë dhënë fondet. Duket se është një e ashtuquajtur sëmundje kronike. Sipas interpretimit tim, arsye kryesore është se te secili monument sipas planit të menaxhimit, duhet krijuar një institucion i ri me masa juridike, financiare, administrative e të tjera. Nuk e di a është mungesë kapacitetesh apo neglizhencë”, ka thënë ai. Ka treguar se anon më shumë nga e para.
“Përndryshe, nëse vazhdohet është atëherë do të jetë problem të arsyetojmë çfarëdo buxheti apo projekti ku kërkohet të mbështetë një projekt nëse nuk tregojmë kapacitet për menaxhim. Tash ne kishim pritur që të gjejmë një model të menaxhimit. Një është provuar me thirrje për organizata joqeveritare, nuk ka funksionuar. Mendoj se mund të gjendet ndonjë model”, ka thënë ai. Vjet MKRS-ja kishte dështuar që t’ua japë në menaxhim organizatave joqeveritare disa monumente. Thirrja nuk kishte funksionuar.
Ani pse në rrjete sociale, imazhet janë mbresëlënëse kur Ministria e Kulturës reklamon restaurime edhe monumentesh periferike, Kalaja është shembulli i dështimit kapital. Aty, degradimi vazhdon.