kalaja e TOMORRIT.
Në rrëzë të malit Tomor, pak më në veri të fshatit Tomor i Madh, lartësohet një platformë e ngurtë, që pjerret nga jugperëndimi.Kodra mban platformën shkëmbore dhe që vendasit e quajnë qytet duhet të jetë vazhdim i masivit të Tomorit, por si rezultat i një çarjeje të madhe dhe më vonë nga forca gërryese e ujrave është shkëputur nga mali duke mbështetur ashtu me pjerrësi të theksuar nga tri anët. Vet platforma ngrihet si një sofër shkëmbore e thikët mbi kodër, mbi një lartësi gati 50 m. Platforma ka qenë e banuar që prej kohërave të lashta.
Duke iu ngjitur të përpjetës së platformës, në krye të saj, në anën veriore përpara del një shesh ku ndeshemi me muret e akropolit. Këtu muret nuk i përkasin vetëm një periudhe.
Muri antik prej blloqesh të mëdha guri, rreth 1,70 m. të gjatë e 0,40 m. të lartë i është mbivënë në një fazë të dytë një mur me gure të vegjël lidhur me llaç, që i përket periudhës bizantine.
Forma e këtij sheshi është ajo e një trapezi të çrregullt.
Një vend të rëndësishëm këtu zë stera me një kapacitet 100,000 litra ujë. Muret e saj janë të dyfishta. Muri i brendshëm është ndërtuar me llaç prej pluhur tulle horasan i cili nuk lejon penetrimin e ujit.
Kjo kala duhet lidhur me kalanë e përmendur nga Gj. Kedreni, kur ai bën fjalë për ngjarjet e vitit 1018, kur shembet Perandoria Bullgare dhe rivendoset sundimi Bizantin.Burimet historike e përmendin edhe një herë këtë qendërbanim në lidhje me ngjarjet e vitit 1336. Kalaja duhet të jetë ndërtuar vetëm me qëllim mbrojtjeje.
E ngritur në një zonë të thellë malore, pa kushte të mira për bujqësi dhe banim, por me një pozitë të mrekullueshme strategjike për mbrojtje, ajo, u ka shërbyer qendrave të tjera të banuara të zonës si një prapavijë e sigurt. Në të mirë të këtij mendimi flet edhe J.Katakuzeni, i cili e quan fortesë e banuar. Dhe jo vetëm aq, por kjo është ndoshta dhe e vetmja kala që mbizotëron pothuaj mbi gjithë kalatë e njohura në këtë zonë deri tani, dhe që janë Berati, Gradishta e Peshtanit, Mbolani,Vojak, Gradishta e Qereshnikut, Kalaja e Vokopolës (Plenck) etj. Dy ngjarjet që përmendëm dhe lidhja e kalasë së Tomorit me to, provojnë edhe njëherë rëndësinë e madhe strategjike të kësaj kalaje.
Reference: (Sh.Mane, Kontribut për hartën arkeologjike të Shqipërisë, “Iliria” VI, Tiranë: 1976, f. 405-406).