Kalendari per Javën Kulturore Austriake, 26 deri më 31 Tetor
24 Tetor 2024
Me një kalendar të pasur aktivitetesh, vendi jonë është gati të presë Javën Kulturore Austriake, nga datat 26 deri më 31 Tetor.
Koncerte muzikore që do të gjallërojnë Tiranën e Shkodrën, shfaqje teatrale, filmash dhe workshop-et, janë vetëm disa nga aktivitetet e rezervuara për këtë javë që vjen në vendin tonë në kuadër të Javës Kulturore Ndërkombëtare që ka nisur në vendin tonë që prej muajit Maj.
Aktivitetet e Javës Kulturore Austriake nisin me një “Koncert Piano: Kabo & Scheucher”, në kuadër të festivalit PIANODROM. Koncerti që do të mbahet në Sallën e koncerteve UART në Tiranë nga dy artistët Zamir Kabo dhe Philipp Scheucher është edhe një mundësi për të festuar lidhjet kulturore dhe për të zbuluar pasurinë e artit austriak.
Më 26-27 Tetor, në Tiranë dhe Shkodër, autori i mirënjohur austriak Robert Menasse do të prezantojë veprën e tij “Zgjerimi”, e cila më në fund vjen në shqip për publikun. Romani satirik flet për politikën, Bashkimin Evropian, Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt BE-së. Robert Menasse ka krijuar një kaleidoskop brilant që lidh ngjarjet botërore dhe fatet individuale në mënyrë të shumanshme.
Ndërsa më 27 dhe 28 Tetor, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë do të mbahet mbrëmja teatrore “HIJE. Eurudika thotë”. Kjo vepër teatrale është një rast i veçantë për të eksploruar temat mbi jetën, kujtimin dhe memorien që autorja Elfride Jelinek trajton me mjeshtëri, si dhe për të përjetuar fuqinë e artit teatral.
Gjatë kësaj jave do të organizohen edhe ligjërata si “Përshkrimi i gramatikës funksionale: çfarë është ajo në të vërtetë?” dhe workshop-i “Si na shërben gramatika funksionale në mësimdhënien e gjermanishtes”.
Përgjatë kësaj jave, e kryesisht në datat 28 dhe 29 Tetor në Tiranë dhe Shkodër do të organizohet koncert i Ansamblit “Trachtenkapelle Graz – Wetzelsdorf”. Gjatë këtij koncerti do të interpretohen disa marshe të përzgjedhura që vijnë që nga koha e perandorisë dhe monarkisë mbretërore nën temën e Ignaz Trollmann-it, i cili shërbeu si kryekomandant i ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri nga viti 1916-1918 dhe ishte qytetar nderi i qytetit të Shkodrës.
Ndërsa më 29 Tetor, tek Holli i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të mbahet shfaqja “Body Music Explosion” nga Groove. Pesë performues do të sjellin ritëm, këndim dhe kërcim sipas muzikës që do të jenë kryefjala e këtij eventi, ku tingujt ngrihen nga ajo që ata bartin me vete: trupat dhe zërat e tyre. Kjo shfaqje është më shumë se një performancë – është një bashkëbisedim mes artistëve dhe publikut, një festë e muzikës dhe artit që nuk duhet ta humbisni.
Java Kulturore Austriake do të mbyllet me shfaqjen e dy filmave. Më 30 tetor, ora 18:00, tek Galeria “Zeta”, do të shfaqet filmi “Shqipëria e Egër”, që ka për qëllim të pasqyrojë paragjykimet kulturore që ekzistojnë ende ndaj Shqipërisë në radhët e njerëzve në Austri. Xhirimet e filmit janë bërë në Tiranë me njerëz të ndryshëm. Kurse me 31 Tetor, në Kinema Republika në Shkodër do të shfaqet filmi “Alma dhe Oskari” me regji të Dieter Berner dhe që eksploron një lojë mes pushtetit dhe varësisë, e cila i çon të dy protagonistët në prag të vetë shkatërrimit.