Kaltrina Hoti, promovuese e artit abstrakt në Plavë e Guci
24 Maji 2024
Qendra e Kulturës në Guci prej 15 majit është nikoqire e ekspozitës personale të piktores dhe poetes znj. Kaltrina Hoti nga Hoti i Kujit, me titull “Fillimi i fundit”. Zonja Hoti, e lindur në Plavë, shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë e më vonë familja e saj ishte shpërngulur në SHBA, ku edhe ka studiuar artin si studente e profesorit Chuck DeHaan me të cilin, si bashkautor, kishte botuar librin “Western Coloring Book”. Është kjo ekspozita më e re në vargun e konsiderueshëm të ekspozitave deri më tash të organizuara të kësaj artiste në Texas, Florida, New York, San Antonio, Connecticut, Prishtinë, Kumanovë e Plavë, por është e para ekspozitë e organizuar në Guci deri më tash.
Në hapje të kësaj ekspozite ishin prezentë kryetarja e Komunës së Gucisë znj. Anella Çekiq, nënkryetari i komunës z. Edon Balidemaj, kryetari i Asamblesë Komunale z. Bujar Hasangjekaj, drejtoresha e Qendrës së Kulturës znj. Lejla Baliq, si dhe një numër i madh adhuruesish të artit.
Me këtë rast edhe autori i këtij shkrimi, i cili enkas për këtë rast ka ardhur nga Prishtina në Guci, përshëndeti artdashësit e pranishëm që kishin ardhur për ta parë këtë ekspozite dhe autoren e veprave të ekspozuara artistike.
Përndryshe autorja e ekspozitës znj. Kaltrina Hoti, pas qëndrimit 32-vjeçar në New York dhe në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kishte jetuar dhe krijuar pikturat e poezitë e veta, është kthyer në vendlindje, ku ka ndërtuar atelienë dhe ka hapur galerinë private artistike dhe me sukses merret me edukimin e fëmijëve të Plavës e të Gucisë.
Kaltrina Hoti është artiste e shumanshme, meqë pos artit të pikturës, njëkohësisht merret edhe me krijimtari letrare dhe deri tash ka botuar një varg veprash, në mesin e të cilave shquhen përmbledhje poezish: “Ta mora vargun”, “Preke ëndrrën”, “Puthja sekret”, “Flaka e shpirtit”, Buzëqesh, “Mos e prek”, “Vrapo pas diellit” dhe disa të tjera të botuara në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.
Nga veprat e saja që i takojnë artit abstrakt me kolorit të jashtëzakonshëm të ngjyrave plotë jetë dhe secila me porosi të veçantë të krijuara deri tash shquhen: “Hiding behind the rules,” “Ersa me”, “Her soul”,”Never again”, “Cros time thinking” e shumë të tjera.
Falë veprimtarisë së saj artistike, zonja Kaltrina Hoti është bërë pjesë e librit “121 foto me 121 jetë suksesi” të botuar në Ulqin, në të cilën autorja Flora Nikolla i ka prezantuar 121 personazhe të suksesshme në fushat e tyre të krijimtarisë.
Pas kësaj ekspozite, autorja ka planifikuar edhe një ekspozitë personale në Prishtinë.
Gazeta Koha, Prishtine