Kam qenë dikur Isuf Myzyri ….

Nga: Enris Qinami

Ishte viti 1955, një vit para se gjeniu i këngës të Elbasanit, usta Isuf Myzyri të ndërronte jetë. Një grup prej 4-5 shkodranësh shkonin për një çështje pune në Elbasan. Buzë mbrëmjes, ata u ulën në një bar-lulishte të vogël dhe ja nisën këngës qytetare shkodrane. Një plak i hajthëm dhe i veshur në mënyrë karakteristike, që rrinte i vetëm në tryezën përballë, e shoqëronte këngën me lëvizjet e trupit të tij të lodhur, por të shkathët. Ai i bëri shenjë më të riut të grupit dhe pasi u afrua i fali tri hudhra. Dhurata kaq modeste e plakut zemërbardhë duket se e obligoi grupin që t’i linte njëherë këngët shkodrane dhe t’ia merrte elbasançe.

Isuf-Myzyri

Kënga “S’paske pasë një pikë mëshire” çau natën e Elbasanit dhe u përhap në sokakë. Befas plaku i urtë filloi të fshinte lotët…
Kur mbaroi kënga, plaku u çua i përlotur dhe erdhi për ti takuar.
– Qofshi jetë gjatë! – uroi ai. – Nuk kam menduar se këngët e mia kanë arritur deri në Shkodër.
– Pse, kush jeni ju? – pyeti njëri nga grupi.
– Kam qenë dikur Isuf Myzyri, sepse tashti, siç e shihni, pothuajse nuk jam – tha plaku dhe sytë iu përlotën përsëri.

Isuf-Myzyri