“Kam qenë prezent”/ Haradinaj: Rama ka lobuar për ndarjen e Kosovës

– 23/01/20

mapo.al

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, teksa po fliste për padinë që ka ngritur ky i fundit ndaj tij. Haradinaj deklaroi se Rama ka lobuar për të ndarë Kosovën.

“U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës”, u shpreh Haradinaj në emisionin “Open”. Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë ka lobuar në media, me aktorë dhe me ndërkombëtarë, madje edhe kur ka qenë ai prezent.

“Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent. Nuk e di pse bën këtë hajgare (tallje) ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre (i marrë) dhe pafytyrsi bëri padinë, i cili është akt i turpshëm”, theksoi Haradinaj.

I ftuar në ‘Open’, Ramush Haradinaj foli edhe për dobsimin e AAK-së në zgjedhjet e fundit të parakohshme. Një nga gazetarët e pyeti: Kur ju keni bërë sakfrifica për Kosovën pse nuk jeni votuar?

Haradinaj u shpreh se ka bërë burg për qëndrimet e tij, madje shtoi se ka thënë gjithmonë ndaj çdokujt se çështja e Kosovës do përfundojë me pavarsi. Haradinaj shtoi se ka humbur vota pasi është keqkuptuar nga besimtarët myslimanë.

“Kam qenë kundër shkuarjes në luftë në Siri të Kosovarëve. Aty kam humbur vota se u keqkuptova nga besimtarët e devotshëm. Sot unë i kam kthyer të gjithë ato gra e fëmijë nga Siria. Kanë vdekur 150 kosovarë atje dhe askush nuk mban përgjegjësi. Unë nuk jam ai politikani që e harxhon kohën në media dhe pasurinë e hedh në biznese se kështu do i kisha fitu 30%.

Unë jam ai politikan që në 2005 kam qenë në burg. 4 vite i kam bërë burg dhe i kam bërë për qëndrimet e mia. Kam thënë gjithmonë ndaj çdokujt se çështja e Kosovës do përfundojë me pavarsi. Nuk jam politikani ekstremist.- tha Haradinaj.