Kanada: – Ndalet ndërtimi i naftësjellësit veç pse iu prish foleja një zogu.

30/04/2021

Aktivistët dhe protestuesit në Kanada për vite të tëra janë përpjekur që ta ndalin ndërtimin e naftësjellësit kundërthënës “TransMountain” në pjesën perëndimore të Kanadasë. Atë që nuk e arritën shumë njerëz e arriti një zog i vogël e i rrallë i llojit kolibër, i cili është i mbrojtur me ligj.

Agjencia kanadeze për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, “Environment and Climate Change Canada”, ka dhënë urdhër që punimet në këtë naftësjellës të pezullohen së paku deri më 21 gusht, pasi u zbulua se një çerdhe e një zogu të llojit kolibër ra në tokë gjatë punimeve për ndërtimin e gazsjellësit.

Sipas përshkrimit në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, kolibra është “shpend shumë i vogël, me pendë të bukura shumëngjyrëshe, që, kur fluturon, i lëviz krahët aq shpejt, sa nuk i duken (rron kryesisht në Amerikën e Jugut)”.

Ky zog nuk është në listën e specieve të rrezikuara në Kanada, por është i mbrojtur me ligj federal. Grupet lokale kishin paralajmëruar më parë se ndërtimi i naftësjellësit “TransMountain” po sjell prerje të drunjve në zonat e ndjeshme me çerdhe të kolibrës, shkruan The Guardian.

Kompania që po e ndërton naftësjellësin tha se urdhri për ndalimin e punimeve vlen për një segment prej 900 metrash, por se vendimi nuk do të ndikojë që projekti të përfundohet në datën e planifikuar – në fund të vitit 2022.

Ndërtimi i këtij naftësjellësi cilësohet si shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kanadasë, sepse pritet që ta trefishojë kapacitetin e naftësjellësit ekzistues, duke e bërë të mundshëm transportimin e 890.000 fuçive me naftë të papërpunuar në ditë drejt brigjeve të Oqeanit Paqësor.

Nga Gazeta Metro, Prishtine