16 Maji 2023

Nga FATOS LUBONJA*

“DROGA” SHQIPËRI

Më ndodh gjithnjë e më shpesh që kur takoj perëndimorë nga ata që më kërkojnë t’u sqaroj se çfarë ndodh në Shqipëri, t’u vë në dukje, si me shaka, se bisedat nëpër kafenetë e Tiranës me njerëz si puna ime nuk mjaftojnë për këtë. Ua shpjegoj arsyen nëpërmjet një pasazhi të librit të Jack London-it, “Kujtimet e një pijaniku”. Aty, duke folur për efektin e drogës, London-i thotë se sado të përpiqesh t’ia shpjegosh këtë dikujt që nuk e ka provuar, megjithëse ti përshkruan e shpjegon, e prapë përshkruan, e prapë shpjegon, ke ndjesinë se dëgjuesi nuk të ka kuptuar. Kurse me dikë që e ka provuar drogën, kuptohesh me tri fjali.

Nëse do të përpiqesha të shpjegoja se nga vjen diferenca, do të thosha se një nga shkaqet është se ne nuk njohim vetëm nëpërmjet shqisave dhe trurit tonë racional, por edhe nëpërmjet gjithë qenies sonë, jetës sonë në një kontekst historik, që figurativisht e identifikojmë edhe me fjalën “lëkurë”.

Ky është refleksioni i parë që më erdhi duke lexuar “Rënia e së ardhmes”. Në ndryshim nga shumë perëndimorë, pa përjashtuar gazetarë e ekspertë të rajonit, njohja e të cilëve mbi Shqipërinë kuptohet lehtë se është një koleksion idesh të mbledhura në tryeza kafenesh apo nga lexime të të tjerëve, Vincent W.J. van Gerven Oei bën pjesë ndër ata perëndimorë, me të cilët ne shqiptarët që thithim përditë “drogën Shqipëri” kuptohemi menjëherë, pasi ai e ka provuar edhe vetë atë. Duke lexuar librin, ndihet se autori ka ecur me muaj e me vite nëpër rrugët e Shqipërisë, me këmbë, me biçikletë, me makinë, duke takuar njerëz nëpër të gjitha vendet ku një shqiptari i qëllon të takohet me një shqiptar, në kafenera, në pazare, në zyra, në gjykata, në spitale, në shkolla, në WC-ra; me një fjalë, që ka kaluar nëpër lëkurën e vet morinë e përjetimeve që prodhon jeta në këtë vend, duke u bërë pjesë, duke mbajtur qëndrim, dhe, pas gjithë këtyre, ka krijuar mendimin e vet për çfarë ndodh në Shqipëri.

Poende, sikurse del nga ky libër, autori jo vetëm e ka provuar “drogën Shqipëri”, duke e thithur atë mes shqiptarëve në punën e tij të përditshme si botues, kurator dhe kritik arti, por ai e ka thithur atë duke e jetuar edhe si një qytetar intelektual i angazhuar, duke shprehur publikisht kritikat e tij e duke ngulmuar për këtë, veç të tjerash, të informohet gjithandej, shpesh edhe duke trokitur në dyert e institucioneve shqiptare e ndërkombëtare e duke polemizuar me pasion me ta për përgjigjet e shtrembra apo për heshtjet e qëllimta. Në këtë pikë, ai ndryshon shumë nga ata intelektualë shqiptarë, që, përballë dyerve të mbyllura të institucioneve, kanë zgjedhur t’i lëpijnë ato që t’u hapen, të thonë “Ky vend nuk bëhet”, e të ikin për të siguruar jetën e fëmijëve në emigracion, apo të struken në një emigracion të brendshëm. Gjykoj se një pjesë të meritës për këtë qasje e ka edhe kultura e vendit prej nga vjen, Holanda. Në fakt, duke lexuar librin, kuptohet qartë se autori mbetet një i huaj perëndimor. Kuptohet ngase shkruan i distancuar nga klima e marrëdhënieve tejet konfliktuale të shqiptarëve me njëri-tjetrin, nga ajo kulturë dominante mes nesh, ku racionalja nuk është zhvilluar në atë masë sa të mund të njohë e kontrollojë kafshët e inkoshientit; kuptohet nga distanca ndaj klimës së korruptimit të shqiptarëve nga njëri-tjetri nëpërmjet parave, miqësive, tarafeve; kuptohet edhe sepse lexuesi, të cilit ai i drejtohet, nuk është vetëm shqiptar, por edhe i huaj, pasi, si qytetar evropian, ai u kërkon llogari institucioneve evropiane për abuzimet që bëjnë në Shqipëri përfaqësuesit e tyre, polemizon publikisht me ta, duke informuar kësisoj bashkë taksapaguesit e tij.

Për gjithë sa thashë deri këtu, “Rënia e së ardhmes” është një libër dy herë i rëndëFATOS LUBONJA* sishëm, për shqiptarët dhe për të huajt, veçanërisht perëndimorët.

NJË TJETËR GËNJESHTËR E MADHE

Pas kësaj përshtypje të përgjithshme mbi librin dua të ndalem në një vlerë që, sipas meje, është tema qendrore e tij dhe ia rrit në mënyrë të veçantë rëndësinë atij.

Shkrova më sipër për vështirësinë që kanë të huajt për ta kuptuar “drogën Shqipëri” kur nuk e kanë kaluar atë nëpërmjet lëkurës së tyre. Me këtë nuk dua të them se çdo shqiptar është në gjendje ta kuptojë Shqipërinë meqë e ka jetuar atë, pra, se libri “Rënia e së ardhmes” vlen më së shumti për të huajt. Aq më pak dua të bie në pozitat wokeiste të disave që kërkojnë të hedhin poshtë historianë të rëndësishëm perëndimorë të kohëve të sotme që janë marrë me Shqipërinë. Dihet se eksperienca nuk mund të kthehet në njohje pa mendimin kritik, aftësinë për të analizuar, konceptualizuar. Po ashtu, dihet se shqiptarët, për shkak të së kaluarës, që i ka bërë të jetojnë për gjysmë shekulli nën diktaturën e një “gënjeshtre të madhe”, në vend të mendimit kritik e vetëkritik kanë kultivuar kulturën e manipulim-simulimit, si nevojë/mënyrë mbijetese, e cila ka vazhduar të dominojë edhe përgjatë këtyre 30 vjetëve. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e tyre, edhe pse e provojnë përditë “drogën Shqipëri”, nuk arrijnë të ngrihen përmbi të nëpërmjet mendimit kritik, për ta kuptuar, shpjeguar, me një fjalë për t’u vetëdijesuar dhe gjetur mjetet për ndryshimin e gjendjes së tyre, përkundrazi, në rreth vicioz, vazhdojnë të mbeten viktima të kulturës së vjetër dhe njëherësh riprodhues të saj.

Libri i Van Gerven Oei-t është shumë i rëndësishëm në këtë kontekst sepse, në thelbin e tij, ai merret me dekonstruktimin e mekanizmit të ngritur nga pushteti i instaluar dhjetë vjetët e fundit nën udhëheqjen e Edi Ramës, i ashtuquajtur i Rilindjes, – nëpërmjet përdorimit sa të kulturës së vjetër aq edhe të kulturës perëndimore të shoqërisë së spektaklit, – duke sjellë një kontribut të rëndësishëm për çlirimin e shqiptarëve nga prangat e një tjetër gënjeshtre të madhe që sundon sot jetët e tyre.

LIBRI SI TABLO DHE SI FILM

Në “Rënia e së ardhmes” gjejmë të përsëritur në lakime të ndryshme termin “tablo”. Autori e merr dhe e rimerr atë duke iu referuar një thënieje të Kryeministrit Edi Rama: “Edhe në politikë unë po përpiqem të pikturoj mbi një kanavacë. Përfytyroj se si e dua vendin tim të jetë, si të përjetohet, si e dua të ndryshojë”.

“Rënia e së ardhmes” merret pikërisht me “pikturimin” e kanavacës Shqipëri nga Edi Rama gjatë dhjetëvjeçarit të punës së tij si “numri një në botë i piktorëve Kryeministër dhe numri një i kryeministrave piktorë” – siç i pëlqen ta cilësojë veten në Perëndim.

Si përfundim, libri na paraqet një “tablo” të “tablosë” të ndarë në katër pjesë:

– Art dhe propagandë
– Hapësira publike dhe planifikimi urban
– Shqipëria dhe BE-ja
– Reforma në drejtësi

Si mund t’i vendosim vizualisht këto të katra po ta përfytyrojmë si tablo? Do të thosha se i shkon më mirë forma rrethore, ku në qendër duhet vendosur pjesa e parë – “Arti dhe propaganda” – e rrethuar nga tri pjesët e tjera. Kjo pasi pjesën e parë e shoh si qendrën gjeneruese të tre të tjerave, që depërton nëpër to duke u dhënë atyre edhe motivet, edhe ngjyrimet. Mund ta përfytyrojmë edhe si qendrën e një sfere, rrotull së cilës mbështillen pjesët e tjera. Por përdorimi i figurës së tablosë apo sferës nuk më duket i mjaftueshëm për ta përshkruar këtë libër. Më duket më e përshtatshme të kaloj në katërdimensionalitetin kohor-hapësinor të filmit, duke i parë tekstet që Van Gerven Oei ka shkruar përgjatë një periudhe afro dhjetëvjeçare si sekuencat e një dokumentimi në proces të “pikturimit” të Shqipërisë nga Edi Rama. Në këtë dokumentim, “kamera” e tij sillet vërdallë veprës duke inkuadruar sa piktorin, penelat e paletën ku trazon ngjyrat, edhe kanavacën Shqipëri, duke u afruar e larguar prej tyre e duke iu kthyer e rikthyer procesit nga kënde të ndryshme.

Ajo që na tregohet gjithnjë e më qartë duke ndjekur këtë film është se protagonisti i tij nuk është një artist-politikan, por një iluzionistpolitikan. Kjo sepse Van Gerven Oei nuk na zbulon një tablo të vetme, por dy të tilla, të pikturuara në progres mbi të njëjtën kanavacë: tablonë e shkatërrimit e shëmtimit të Shqipërisë që “pikturon” politikani me njërën dorë, dhe tablonë që “pikturon” iluzionisti, për ta maskuar këtë, me dorën tjetër. Van Gerven Oei na tregon, pra, një kanavacë që sa më shumë pikturohet, aq më shumë u ngjet atyre kartave me lojëra iluzioniste, të cilat, sipas këndit nga i shohim, na japin dy pamje krejt të ndryshme. Për të zbuluar truket e pikturimit të kësaj kanavace, Van Gerven Oei përdor shpesh lëvizjen e kamerës nga njëri këndvështrim, ku duket shëmtimi në progres, në këndvështrimin tjetër, ku shfaqet maska mbuluese edhe ajo në progres.

DAMMI I COLORI

“Më thuaj të vërtetën Anri. Më thuaj që nuk ekziston një qytet i tillë. Të lutem më thuaj që s’është e vërtetë që ju keni një kryetar bashkie artist!”. Me këto fjalë eksklamative të artistit britanik Liam Gillick e hap miku dhe bashkëpunëtori i Ramës, artisti Anri Sala, filmin “Dammi i colori” (jepmë ngjyrat), kushtuar projektit të lyerjes ngjyra-ngjyra të fasadave të pallateve të Tiranës, me të cilin piktori kryebashkiak Edi Rama u lançua në botë. Nuk ka çelës më të mirë për të zbërthyer lojën e “pikturimit” të kanavacës iluzioniste Shqipëri sesa filmi i Salës. Madje, vetë pallatet shërbejnë si materiali i vërtetë i kanavacës ku shohim trukun e iluzionistit në veprim. Ky truk është shumë i thjeshtë: ai mbështetet në fuqinë që ka kamera dhe ekrani mbi njeriun e kohës sonë, i shndërruar gjithnjë e më shumë në një spektator, për të cilin ekziston vetëm ajo që duket në ekran. Pra, mjafton të gjendet mënyra që spektatori të shohë vetëm dorën e piktorit që lyen fasadat dhe jo dorën tjetër, të politikanit që hap prapa tyre, me ekskavatorë të zhurmshëm, gropa themeli pallatesh korrupsioni, që u marrin banorëve diellin, ajrin, gjelbërimin dhe që, së bashku me trashëgiminë kulturore, shkatërrojnë edhe kujtimet e jetës së tij. Dhe për këtë mjafton që çdo kamera, e kujtdo qoftë, të vendoset në pozicionin që ka zgjedhur e promovuar artisti i njohur Sala, duke e lënë kështu shkatërrimin dhe shëmtimin në mosekzistencë. Dhe kjo arrihet lehtë kur piktori është njëherësh edhe kryebashkiaku. Pra, kur është po ky ai që firmos me dorën tjetër lejet e ndërtimit për oligarkët. Dhe kur edhe këta janë njëherësh edhe pronarë të ekskavatorëve që shkatërrojnë edhe pronarë të kamerave që filmojnë, pasi edhe ndërtues, edhe pronarë mediesh.

PERSONAZHI FANTAZMË

Megjithëse në vështrimin e parë të krijohet përshtypja se protagonisti kryesor i librit “Rënia e së ardhmes” është Edi Rama dhe aktorët e tjerë shqiptarë, në këtë pikë të rrëfimit na duhet të flasim për një personazh themelor, që, edhe pse i padukshëm, fantazmë, është i kudondodhur në këtë libër – aq sa mund të thuhet se kjo histori nuk do të mund të kishte ndodhur pa këtë fantazmë që shëtit mes shqiptarëve prej më shumë se një shekulli. Është një fantazmë kulturore, që shfaqet që në shekullin XIX, kur të huajt perëndimorë u treguan popujve osmanë të Ballkanit se cilët ishin ata në të vërtetë: – greqishtfolësve multietnikë e multifetarë se ishin trashëgimtarë të Platonit dhe Aristotelit, shqipfolësve gjithashtu multifetarë e multietnikë se ishin ilirë nga ata që i kishin dhënë Perandorisë Romake perandorë, duke u zhvilluar kështu identitete të reja kombëtare që do t’i ndanin nga Perandoria Osmane në emër të ndërtimit të shteteve të tyre kombe. Në sajë të kontributit të perëndimorëve në krijimin e shtetit shqiptar gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, fantazma në fjalë u rrit e u forcua, duke bërë që ajo çka thonë të fuqishmit e kohës të trajtohet mes shqiptarëve si fjala e perëndisë; që edhe rëndësia e çdo shqiptari të matet me peshoren e tyre, që edhe legjitimimi i politikanëve të burojë prej tyre dhe jo prej vendasve.

Protagonisti i librit të Van Gerven Oei-t, iluzionisti politikan, e njeh mirë, nga përvoja e paraardhësve të tij, fuqinë e kësaj fantazme. Përvoja e tyre i ka mësuar atij se nuk ka mënyrë më të lehtë për të arritur qëllimet sesa manipulimi i pasqyrës perëndimore ku ua drejton sytë bashkëkombësve të tij kjo fantazmë për të parë veten. Prandaj jo rastësisht e fillon pikturimin e pallateve përgjatë rrugës, në të cilën hyjnë të huajt në Tiranë nga aeroporti i Rinasit dhe zgjedh një artist të vlerësuar në Perëndim për të filmuar ato. Kështu, si në një lojë pasqyrash, fasadat e Salës do të hidhen në sytë e perëndimorëve artistë e gazetarë, të cilët do ta reflektojnë këtë pamje në sytë e shqiptarëve, të shoqëruar me vezullimet lavdëruese për veprën e politikanit artist.

Kështu, shumë shpejt, nga Perëndimi vjen lajmi se në Shqipëri ka ndodhur mrekullia: mesia që presim, artisti që bëhet politikan për të ndryshuar botën, ka lindur, ashtu siç e do tradita, në një qoshk të vogël e të varfër të botës. Kuratori i njohur zviceran Hans Ulrich Obrist fillon e teorizon se në këndvështrimin e këtij artisti-politikan “arti nuk është i ndarë nga politika, por ato të dyja janë zgjatime të njëratjetrës”. Vetë mesia i posadalë fillon të shëtisë nëpër botë së bashku me filmin, duke i predikuar publikut perëndimor se arti i tij është shpërthimi i një “impulsi politik”, një “aksion politik me ngjyra”, sepse, tek e fundit, a nuk synojnë arti dhe politika të njëjtën gjë: “ta bëjnë botën një vend më të mirë”. Nën efektin psikoterapeutik të ngjyrave, – u shpjegon ai perëndimorëve, që e dëgjojnë me sy hapur – qytetarët u bënë më të mirë dhe filluan të paguajnë edhe taksat që nuk i kishin paguar kurrë.

Pothuajse askush nuk hedh ndonjë dyshim mbi këtë narrativë, duke iu referuar një përvoje historike, nga e cila vjen edhe Shqipëria, – atë të artistëve rusë që iu bashkuan revolucionit, – e të shtrojë një pyetje të ngjashme me atë që shumë intelektualë të shquar perëndimorë nuk e ngritën as në atë kohë: a mund të ndodhë një revolucion i tillë në vendin më të varfër e më të prapambetur të Evropës, të posadalë nga totalitarizmi më i egër, apo mos vallë kemi të bëjmë me një manipulim propagandistik.

***

“Është histori e mrekullueshme”, e siguron me një buzëqeshje bindjendjellëse Obristi audiencën e huaj edhe pas afro dhjetë vjetësh, kur tashmë artisti kryebashkiak është bërë artist Kryeministër. Me të njëjtin entuziazëm si dikur, ai tregon tani historinë e COD-it (Qendra për Hapje dhe Dialog), që Kryeministri paska hapur në katin e parë të selisë trekatëshe kryeministrore, në të cilën ka edhe një galeri arti ku ekspozohen vepra artistësh të huaj dhe shqiptarë. Inaugurimi i saj ka përkuar me vizitën e kancelares gjermane Merkel ,të cilën, së bashku me Kryeministrin, e ka shoqëruar nëpër sallat e ndryshme artisti Sala dhe artisti gjerman Thomas Demand. Shndërrimin e katit të parë të ndërtesës së ekzekutivit në galeri, Obrist-i e trajton si një tjetër shenjë të njeriut të veçantë që ka mundur të bashkojë dy gjëra aq të pabashkueshme si arti dhe politika, duke u bërë kështu mirë njerëzve me të dyja.

Ndërkaq, Van Gerven Oei vazhdon edhe ai të bëjë punën e tij, duke “filmuar” e “transmetuar” me guxim pamjet e kanavacës që nuk i japin kamerat e Ramës, pa u shqetësuar se tashmë ky është bërë aq i fuqishëm sa, përveç ekraneve perëndimore, ka kapur thuajse të gjithë televizionet në vend, madje ka krijuar edhe televizionin publik me emrin e tij, ERTV. Ai na tregon se artistët shqiptarë që e thithin përditë “drogën Shqipëri” e quajnë COD-in me ironi “Qendra për Hapje dhe Monolog”, pasi vetëm dialog me ata që mendojnë ndryshe nga Kryeministri nuk është zhvilluar në ato salla; se galeria e artit e vendosur aty është një vend që ilustron më mirë se çdo tjetër se “kur degradon në art oborri, kur i lëpihet pushtetit dhe e shfaq haptazi dhe pa turp servilizmin, arti kthehet në kitsch”. Teksa komenton me ironi Obristin e mrekulluar, ai na tregon se si edhe vetë selia e Kryeministrisë është bërë tashmë një fragment i kanavacës iluzioniste. Sepse arti dhe dialogu që shiten në katin e parë shërbejnë për të mbuluar shkatërrimin, shëmtimin e dhunën që prodhohet në katet e sipërme.

Van Gerven Oei i fton Obristin me shokë të kuptojnë se po promovojnë si “avangardist të demokracisë” llojin më të keq të artistëve të kultivuar në tokën e diktaturës së djeshme: ata që, për të çuar përpara karrierën e artistit, iu bashkuan regjimit jo vetëm me veprën, por edhe duke marrë funksione politike. I paralajmëron po ashtu se avangardisti i tyre i demokracisë po bëhet “autokrati i radhës në Ballkan” dhe iu paraqet pamjen e vërtetë që ka prodhuar në kanavacën Shqipëri dora tjetër e artistit politikan, ajo që punon në katin e tretë të kësaj selie, “ku shfaqen peizazhe me plantacione hashashi, thesare arkeologjike të mbuluara me beton, pasuri natyrore të shfrytëzuara nga oligarkë për përfitime marramendëse, dhe portreti tronditës i një sistemi politik që po degradon”.

Mirëpo, siç na tregon më tej në faqet e librit Van Gerven Oei, kjo historia e perëndimorëve, që i shërbejnë mbulimit të shkatërrimit të “kanavacës” Shqipëri me një vello propagandistike, nuk është një çështje të gabuarish që duhen ndriçuar, por një çështje të korruptuarish që duhen denoncuar. Janë të shumta rastet në libër që tregojnë se ashtu siç ka korruptuar në Shqipëri politikanë, biznesmenë, juristë, intelektualë, gazetarë, artistë shqiptarë, duke u ofruar favoret që ia mundëson pushteti, ashtu ka vepruar edhe me kolegë të tyre në Perëndim.

NJË INTERVISTË E ÇUDITSHME E VITIT 2019

“Ju latë shtëpitë e zymta të Tiranës, të shkatërruara nga lufta [siç!], të lyheshin me ngjyra të shumëllojshme për t’u dhënë shpresë njerëzve”. “Ne krijuam përshtypjen e rrallë se arti mund ta ndryshojë shoqërinë […] e besoni ende ju këtë? A është artisti vërtet politikan më i mirë?”

Van Gerve Oei komenton në “Rënia e së ardhmes” edhe një intervistë të Edi Ramës të vitit 2019 me një gazetare gjermane që, siç duket nga pyetja, e njeh mjaft mirë figurën e promovuar në Perëndim të politikanit artist, por, vini re, e njeh aq pak Shqipërinë, sa pandeh se ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë.

“Arti nuk mund të ndryshojë shumë, – i përgjigjet heroi i Obrist-it, – madje mund të shkoja edhe më tej dhe të thosha: asgjë fare”.

“Po, a kanë funksion sociopolitik veprat e artit?”, ngulmon gazetarja, që u referohet deklarimeve të tij të mëhershme se arti i tij është një “aksion politik me ngjyra”, apo pohimeve të Obrist-it se tek ai “arti nuk është i ndarë nga politika, por të dyja janë zgjatime të njëra-tjetrës”.

“Jo. Artistëve arti thjesht u ofron një botë tjetër. Je në tjetër gjendje, përjeton lehtësim. Të krijosh art do të thotë të jetosh në një botë dhe njëkohësisht të kesh edhe mundësinë të udhëtosh te një tjetër pa lëvizur fare”.

Van Gerve Oeit ky pohim sikur i del jashtë kuadrit të kanavacës me dy pamje që ka filmuar deri tani. Çfarë ka ndodhur? Politikani i paraqitur e vetëparaqitur si njeriu që e ka vënë artin në shërbim të politikës po thotë se arti i tij qenka një lloj droge që e ndihmoka të arratiset nga politika. Mos vallë ka filluar të reflektojë se pushteti politik, duke e zhytur “në korrupsion, nepotizëm dhe krim”, i ka çuar dëm “vokacionin e vërtetë”? – shtron pyetjen Van Gerve Oei – pa u kuptuar qartë nëse e thotë ironikisht apo duke u mbështetur në atë thënien se shpresa vdes e fundit.

Në këtë pikë nuk mund të mos shtrosh pyetjen: cili është “vokacioni i vërtetë”, burimi primar i mendimeve dhe veprimeve të artistit që u bë pushtetar, – nëse mund të flitet për një motivim dominant, të pandryshueshëm në jetën e njeriut? Për t’iu përgjigjur pyetjes duhet të kujtojmë se ai ka shpallur tri qëndrime të ndryshme mbi raportin e artit me pushtetin politik. Një të parë, të kohës kur sulmonte artistët e intelektualët që i kishin shërbyer dhe vazhdonin t’i shërbenin pushtetit politik, duke predikuar se intelektuali i përket asaj pakice “që kërkon të vërtetën”, ndryshe nga pushtetari që “kërkon votën” e shumicës; një të dytë, kur u bë vetë mbledhës votash të shumicës dhe predikonte, me ndihmën e Salëve shqiptarë e Obristëve të huaj, se artisti dhe pushtetari qenë tek ai dy duar që punonin së bashku për ndërtimin e një njeriu dhe një bote më të mirë; së fundmi këtë të tretin, që i trajton punët e këtyre duarve si të ndara nga njëra-tjetra, si rrugë që të çojnë në dy botë të ndryshme.

A duhet t’i trajtojmë këto pohime si tri faza të ndryshme të jetës së artistit politikan, apo si tri maska të të njëjtit vokacion, atij të vërtetit? Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje na ndihmon Mark Twain-i, i cili, duke pasur parasysh njerëz si vetja, shkrimtarë, artistë, intelektualë thotë: “Kur e gjen veten në anën e shumicës, është koha të reformohesh (ose të ndalësh të reflektosh)”. E, pra, artistin tonë të pakicës që kërkon të vërtetën, qysh kur hyri në kërkim të votave të shumicës, nuk e kemi parë asnjë çast të ndalet e të reflektojë, por, siç na e përshkruan edhe Rënia e së ardhmes, vetëm të rendë për të shtuar me çdo kusht dhe me çdo mjet shumicën rreth tij. Dhe këtë e ka bërë duke ulur diskursin intelektual gjithnjë e më poshtë, duke bashkëpunuar me të keqen, deri krimin e organizuar, për të kapur të gjitha pushtetet, veçanërisht mediat, drejtësinë, duke korruptuar biznesmenë, intelektualë, artistë dhe veçanërisht të famshmit perëndimorë, për t’i përdorur ata në luftën për asgjësimin e opozitën dhe të çdo pakice që nuk i nënshtrohet shumicës së tij. Mjafton kaq për të kuptuar se “vokacionin” apo motivin i jetës që komandon veprimet e tij – gjithmonë nëse mund të flasim për një të tillë – duhet ta gjejmë në historitë banale të atyre individëve që, të motivuar nga etja e sëmurë për pushtet, para dhe famë, kanë premtuar rrejshëm se do të ndryshojnë botën, sipas idealeve të pakicave, por që, sapo ia kanë arritur qëllimit, i janë përshtatur botës së shumicës, në të cilën, fatkeqësisht, sikurse thotë Ekleziasti, “Stultorum infinitus est numerus” (i pafund është numri i budallenjve). Këtë përshtatje tregon edhe përgjigjja që jep në fazën e tretë, kur flet për ikje nga politika nëpërmjet artit, por që e realizuaka si një udhëtim të nëpërëndërrt, pa lëvizur nga karrigia e pushtetit. Dhe në çfarë bote e ka çuar ky art? Në fakt, po ta shohësh, arti i tij nuk është veçse ornament i mureve të zyrës së tij, një festim i pushtetit të tij politik, pjesë e kanavacës iluzioniste që shërben për të mbuluar shkatërrimin e Shqipërisë. Dhe se çfarë shkatërrimi ka pësuar kjo kanavacë, mbi të gjitha njeriu dhe indi social ku ai është i detyruar të jetojë, e tregon një anketim i kryer në kohën e kulmit të pushteti të tij (2017-2022) nga The European Values Study (EVS) dhe World Values Survay (WVS), që u kanë drejtuar njerëzve të vendeve evropiane pyetjen: “Si mendoni, a duhet t’u besojmë të tjerëve?”. Shqipëria e artistit politikan që ka njëzet vjet që punon me të dy duart për t’i bërë shqiptarët më të mirë rezulton e fundit me vetëm 2.8%, – shifër alarmante, po ta krahasosh me shifrat e vendeve të tjera që kryesohen nga Danimarka dhe Norvegjia me mbi 70%.

SHQIPËRIA SI E ARDHMJA E EVROPËS

Ditët që po lexoja “Rënia e së ardhmes”, me synimin për të shkruar këtë parathënie, më erdhi një thirrje nga Londra. Ishte fundi i vitit 2022, kur ministrja e Brendshme britanike sapo kishte ngritur alarmin se në Britaninë e Madhe kishin zbarkuar ilegalisht, duke lundruar me gomone nëpër Kale, mbi 12.000 shqiptarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin të rinj të rekrutuar nga bandat e trafikantëve të drogës që veprojnë në Britani. Më kërkuan t’u shpjegoj se pse Shqipëria, që reklamohet nga disa “njohës” mediatikë në Britani si një histori suksesi, veçanërisht tani që udhëhiqet nga një kryeministër artist, braktiset nga shqiptarët në një masë të atillë sikur të jetë në luftë. Dhe pse kaq shumë të rinj merren me krim?

Më erdhi t’u jap përgjigjen, me të cilën e kam filluar këtë tekst: se duhet të vijnë ta provojnë “drogën Shqipëri” për ta kuptuar më mirë se çfarë i shtyn njerëzit të ikin. Por nuk i hyra këtij sofistikimi. “Rënia e së ardhmes, – u thashë, – prandaj ikin”. Gjatë bisedës mbi shkaqet e kësaj rënieje më erdhi t’u rreshtoj emrat e perëndimorëve të shquar që shfaqen në librin e Van Gerven Oeit – artistë e kuratorë të suksesshëm që përshkruhen në pjesën “Art dhe propagandë”, arkitektë të famshëm që shfaqen në “Hapësira publike dhe planifikimi urban”, politikanë, diplomatë, ambasadorë, ekspertë rangjesh të larta që përshkruhen në “Shqipëria dhe BE-ja” dhe “Reforma në drejtësi” – e t’u them se ndoshta duhet të pyesnin këta. Por nuk e zgjata, jo thjesht për çështje kohe, por ngase përvoja më ka mësuar se nganjëherë, për ata që nuk e kanë provuar “drogën Shqipëri”, por përkundrazi janë dendur me propagandë, e vërteta është aq e pabesueshme sa më mirë të mos ua thuash, që të mos mendojnë se je duke shpifur nga smira apo ndonjë çrregullim mendor. U përmenda vetëm Tony Blair-in dhe Alastair Campbellin, këshilltarët e Kryeministrit Rama ç’prej vitit 2013, si dhe ndonjë gazetë britanike që e ka përshkruar Tiranën e mbytur nga grataçielat e pastrimit të parave të drogës dhe të korrupsionit, si “miqësore për fëmijët”.

Edhe në këtë tekst të shkurtër nuk mund t’i përmend e komentoj të gjithë perëndimorët e Van Gerven Oei-t, e shumë të tjerë, që, për përfitime personale, kanë kontribuuar në pikturimin e gënjeshtrës që mbulon shkatërrimin e Shqipërisë, duke e bërë vendin e shqiponjave ilustrimin më ekstrem të profecisë së Guy Debord-it: “Nëse në një sistem, iluzioni me format e tij spektakolare arrin deri atje sa të mbizotërojë ndaj realitetit, kjo tregon se i gjithë rendi social është në një krizë të thellë legjitimiteti”.

Gjithsesi, nuk mund të rri pa vënë në dukje se numri i madh dhe rëndësia e këtyre personazheve flet për diçka që i kapërcen dimensionet e Shqipërisë: për atë se në “krizë të thellë legjitimiteti është i gjithë sistemi perëndimor”. Skandalet e korrupsionit të tipit Quatargate, që kanë përfshirë së fundmi Brukselin, ku çdo parlamentar është i rrethuar me 19 lobistë, janë vetëm maja e ajsbergut të kësaj sëmundjeje, e së cilës Shqipëria është manifestimi më ekstrem në Evropë, por edhe një pasqyrë ku Perëndimi mund të shikojë veten, e të kuptojë pse Van Gerven Oei shkruan me ironi në artikullin “Shteti i konsolidimit” se “nuk është Evropa e ardhmja e Shqipërisë, por Shqipëria e ardhmja e Evropës”.

***

Në këtë pikë, lexuesi do të më thotë se ajo çka ndodh në Shqipëri nuk është përgjegjësi e perëndimorëve, por e shqiptarëve. Sigurisht, madje do t’i shtoja diçka të rëndësishme kësaj vërejtjeje. Kryepersonazhi i këtij libri dhe njerëzit rrotull tij nuk janë veçse produkt i një shoqërie ku plekset njeriu pa mendim – që do të thotë edhe pa përgjegjësi për të tjerët – që farkëtoi e kaluara diktatoriale, ekonomia e falimentuar e atij regjimi që i detyroi shqiptarët që, për mbijetesë, të mbështeten gjerësisht tek ekonomia kriminale, si dhe modeli neoliberal globalist, që u bë dominant pas rënies së komunizmit, me efektet negative që po ndihen sot edhe në Perëndim. Prandaj përgjegjësia është shumë më e shtrirë, për të mos thënë se përfshin të gjithë shoqërinë shqiptare. Por Van Gerven Oei në këtë libër merret kryesisht me aktorët perëndimorë dhe mekanizmin e ngritur gjatë dhjetëvjeçarit të fundit nga artisti politikan për t’i kapur dhe përdorur këta, prandaj dhe theksi në këtë shkrim është vënë në përgjegjësit e tyre, por shtoj se libri, duke u marrë me ta, jep edhe shumë spunto për t’u thelluar në kompleksitetin e përgjegjësive brendashqiptare, që kanë prodhuar rënien e së ardhmes në Shqipëri si pjesë/pasqyrë e një rënieje të së ardhmes në botë.

SI PËRFUNDIM

Historia e pikturimit të kanavacës iluzioniste që tregon ky libër na kujton se në kohën e diktaturës në Shqipëri ka pasur dy narrativa, një zyrtare, festive, të propagandës së pushtetit dhe një me ngjarje tragjike e të turpshme, të transmetuar gojë më gojë në fshehtësi, por edhe të zhdukur në harresë. Ekzistencën e këtyre dy narrativave e gjejmë në historinë e çdo vendi, madje ky dualizëm narrativash nuk është zhdukur ende plotësisht as në vendet më demokratike të botës. Por s’mund të mohohet megjithatë se shkalla e përparimit të një shoqërie drejt më shumë lirie, demokracie, dinjiteti njerëzor, mund të matet me atë se sa një shoqëri ka ndërtuar instrumente për ta luftuar këtë dualizëm poshtërues narrativash, për të mos i lejuar gënjeshtrat propagandistike të pushtetarëve të ngrefosen të patrazuara nëpër piedestale, ekrane, gazeta dhe libra zyrtarë.

“Kujdesuni për lirinë, se pastaj e vërteta kujdeset vetë për veten e saj”, thotë Richard Rorty. Libri “Rënia e së ardhmes” është vepra e një njeriu të lirë, e shkruar në një Shqipëri dhe mbi një Shqipëri që nuk ka mundur të ndërtojë instrumente kujdesi për lirinë, e prandaj vazhdon të përjetojë dualizmin tragjik të dy narrativave, ku ajo e rrejshmja, festivja, e dhunshmja, e pushtetit vazhdon të mbysë e poshtërojë atë të së vërtetës së hidhur, të dhimbshme, revoltuese të shkatërrimit e rënies së të ardhmes. Van Gerven Oei me këtë libër i ka dhënë zë, zemër e dinjitet kësaj narrative.

Parathënie e librit “Rënia e së ardhmes”