Kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” bëhen bashkë. – Opozita çel fushatën
15 Prill 2023
Nga OraNews
Pamjet që shihni tregojnë atë se çka po ndodh brenda ambienteve të Air Albania atje ku do të çelet sot fushata elektorale e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kandidatët takohen me njëri-tjetrin, ndërsa në sfond ka muzikë.
Mitingu elektoral pritet të nisë pas pak, ndërsa përkrahësit e Berishës, Metës dhe ata të PDK-së e PBDNJ-së janë futur në stadiumin “Air Albania”.
Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua” opozita do të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt 14 majit.
PD ka bërë publik edhe spotin e çeljes së fushatës, ku përmes mesazheve ftohen qytetarët të marrin pjesë në mitingun e kësaj të shtune.
Në videon e spotit bëhet një retrospektivë se si mbërriti PD e rithemeluar deri këtu.
Pikënisja e këtij rrugëtimi është 16 shtatori i 2021, kur kryetari i PD, Sali Berisha nisi Foltoret me qytetarët.
Momenti i dytë madhor ishte Kuvendi i 11 dhjetorit, ku zbriti në stadium “formacioni i lirisë”, me miratimin e ndryshimeve statutore të PD ku u shkarkua Lulzim Basha dhe u bënë pjesë e statutit primaret.
Ndërsa në 6 mars 2022, shqiptarët i besuan rithemelimit me votë, në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Momenti kulminant i rithemelimit të Partisë Demokratike do të ishte 22 maji i vitit të kaluar kur lideri historik, Sali Berisha u zgjodh në krye të PD.
Demokratizimi i PD, tashmë më e hapur dhe më e bashkuar, paralelisht me aksionin opozitar si protestat dhe debati në Parlament, vijoi me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes procesit të primareve në 4 dhjetor 2022.
Kandidatë të cilët në 14 maj janë alternative ndryshe nga Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij dhe mbeten garancia për nisjen e një rrugëtimi tjetër, këtë herë për ndryshimin e vendit.