“Kanë marrë pus nafte”, Rakipllari: – Rama të përgjigjet pse janë paguar dëshmitarë për lobistin e një partie kundërshtare
2 Mars 2023
Mocioni me debat për “McGonigal” i zhvilluar sot në një seanca maratonë në Parlament, është tema e diskutimit këtë mbrëmje në panelin e emisionit “Open”.
Robert Rakipllari, u shpreh ndër të tjera se kryeministri Edi Rama nuk u dha shpjegim të plotë pyetjeve të parashtruara nga opozita lidhur me çështjen e zyrtarit të lartë të FBI, por mbajti një fjalim.
Komisioni Hetimor është e vetmja mënyrë sipas Rakipllarit që Edi Rama t’u përgjigjet pyetjeve të ngritura nga opozita, për të cilat kërkon përgjigje edhe opinioni publik.
Sipas tij, Parlamenti është i detyruar që të ngrejë një Komision Hetimor nëse kërkohet nga ¼ e deputetëve, gjë të cilën nuk e ka bërë duke shkelur Kushtetutën.
Nga ana tjetër, Raipllari tha se Rama duhet të përgjigjet se përse përse janë paguar dëshmitarë për lobistin e një partie kundërshtare. Po ashtu shton se në aktakuzë thuhet se “kanë marrë pus nafte dhe nga ana tjetër kanë hetuar lovbistin e PD”.
“Është shumë e thjeshtë, ka një favor këtej dhe një këtej. Ka paguar para për këtë. E thotë aktakuza, kishin interesa financiare. Rezulton se e kanë marrë këtë tender. E ka fituar Trans Oil”, tha Rakipllari.
“Fjala sot në parlament e kryeministrit, në tërësi, nuk është se jepte ndonjë shpjegim të plotë. Nuk kishte përpjekje të tij për të dhënë përgjigje për pyetjet që ngrinte opozita. Ironizoi opozitën, për mua ironizoi dhe aktakuzën, duke thënë ‘personi zh, personi y’… E vetmja mënyrë se si kryeministri të përgjigjet mbi këto pyetje, është të ngrihet Komisioni Hetimor. Sepse drejtësia këtu nuk ngre një çështje.
Drejtësia amerikane ka ngritur një çështje për zyrtarin e saj, pra ajo po e heton përveç marrëdhënies me Deripaskën, dhe për faktin që nuk ka deklaruar takimet me kryeministrin Rama, plus që ka marrë paratë nga personi A, që është Agron Neza. E vetmja mundësi që t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës dhe opinionit publik, është të ngrihet Komisioni Hetimor.
Sipas nenit 77 pika 2, është i detyruar të ngrihet nëse kërkohet nga ¼ e deputetëve të Parlamentit, dhe Parlamenti është i detyruar ta ngrejë Komisionin Hetimor….
Parlamenti këtë gjë e ka bllokuar deri tani, që është një skandal që nuk zbaton Kushtetutën.
Përse një këshilltar pa pagesë i kryeministrit, që përgjithësisht janë sekserë, paguajnë dëshmitarë për lobistin e një partie kundërshtare? Për këtë duhet të përgjigjet kryeministri. Aktakuza e thotë këtë gjë, për lobistin Nik Muzin janë paguar nga Duçka dëshmitarët që kanë shkuar atje. Është në aktakuzë… Ç’punë kishte ky që paguante shpenzimet e tyre?!
Aktakuza po thotë kanë marrë pus nafte dhe këtej kanë hetuar lovbistin e PD, është shumë e thjeshtë, ka një favor këtej dhe një këtej. Ka paguar para për këtë. E thotë aktakuza, kishin interesa financiare. Rezulton se e kanë marrë këtë tender. E ka fituar Trans Oil”, u shpreh Rakipllari.