Kanioni i Langaricës. –
Kanioni i Langaricës. –
Kanioni dhe rrjedha e lumit të Langaricës, përbën një nga degët më të mëdha që ushqejnë krejt zonën burimore të Vjosës, ndërkohë që burimet termale ndodhen jo më larg se 5 km larg qytetit të Përmetit dhe rruga për të shkuar te ky vend i shenjtëruar, devijon nga rruga nacionale Përmet – Korçë vetëm 200 – 300 metra pa arritur në qendër të komunës në Petran.
Padyshim, lumi i Langaricës, kjo degë e fuqishme për Vjosën që për vendasit është “lumi i bekuar”, rrjedh me forcë përmes një kanioni spektakolar shkëmbor të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe Shqerisë dhe që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aos-in e lashtë apo Vjosën e kohës tonë. Peizazhi natyror i këtij lumi deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Peizazh i bukur, i frikshëm dhe i ndryshueshëm sipas stinëve.
Katër stinët kanë katër peizazhe të ndryshme dhe të mahnitshme. Është vërtet një lumë misterioz, i bukur dhe i begatë. Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Shtrati i këtij damari ujor malor, që fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëlllisë pranë zonave të Frashërit, Miçanit, Delvinës, Melanit, Koblarës deri në kufi me rrethin e Skraparit. Prurjet e jashtëzakonshme gjatë dimrit e ndryshojnë për vit konfiguracionin e territorit përreth Ures se Katiut, një monument i rrallë kulture.