Kanuni i Lekës së madh apo Lekë Dukagjinit (Pjesa e Dyte). –
Kanuni i Lekës së madh apo Lekë Dukagjinit. –
(Pjesa e Dyte).
Sipas Plutarkut, Aleksandri i Madh ka mbajtur petka të purpurta dhe mbretërit e tjerë kanë kërkuar të ngjanin me të edhe me ngjyrën e veshjeve të tyre . Në Perandorinë Bizantine ngjyra e purpurt është simbol i sovranitetit perandorak33, si në veshjet perandorake ashtu edhe në flamurin shtetëror. Dokumentet e kohës dëshmojnë se Skënderbeu ka mbajtur petka të purpurta . Të njëjtën ngjyrë ka edhe fusha e flamurit të Heroit tonë Kombëtar .
Adhurimin e Skënderbeut për Aleksandrin e Madh e kanë dhënë në veprat e tyre autorët e hershëm shqiptarë, si Marin Barleci, Frang Bardhi etj., si edhe shumë autorë të huaj.
Lidhjen shpirtërore të Skënderbeut me Aleksandrin e Madh e ka dhënë autori i jetëshkrimit më të hershëm të Skënderbeut (1481-1482), peshkopi i Ulqinit Martin Segoni, prej Novobërdës së Kosovës, në titullin e këtij jetëshkrimi: “Rrëfim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh” . M. Barleci (dhe nën ndikimin e tij të gjithë autorët e tjerë shqiptarë), ka treguar në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” se Heroi ynë Kombëtar i është drejtuar bëmave historike dhe jetës së Aleksandrit të Madh për të frymëzuar e për të rritur shkallën e qëndresës heroike të shqiptarëve kundër hordhive osmane .
Figura e Aleksandrit të Madh ka mbetur gjithnjë e gjallë në kujtesën historike të shqiptarëve, si në librat e shkruar prej tyre ashtu edhe në krijimtarinë popullore.
Në veprën e tij të parë, “Rrethimi i Shkodrës”, të botuar latinisht në janar të vitit 1505, libri i parë i botuar nga një autor shqiptar, Marin Barleci ka shënuar një gojëdhënë. Sipas saj qyteti i Shkodrës është themeluar nga Aleksandri i Madh . Kjo gojëdhënë shumë e ngulitur në mendjen e shkodranëve ka vijuar brez pas brez. Ajo është dhënë edhe në botimet e viteve 30 të shek.XVII , si edhe në dokumente të fillimit të shek.XVIII. Sipas këtyre botimeve, meqenëse Aleksandri i Madh kishte themeluar Shkodrën, turqit e quajtën këtë qytet Skenderia, që në gjuhën e tyre do të thotë Aleksandria . Krahas trajtës Iskenderije , emri i Shkodrës është shkruar osmanisht edhe Iskender .
Frang Bardhi është i pari autor që ka shkruar se vendlindja e Aleksandrit të Madh, Pella, ishte Petrela4. Ky mendim i pasaktë i tij është dhënë pas 50 vjetësh prej Pjetër Bogdanit43 dhe prej hartografit Xhakomo Kanteli, i cili, pas udhëtimeve nëpër Shqipëri, e ka botuar atë si gojëdhënë në hartën e Shqipërisë të botuar prej tij në vitin 1689: “Petrela mbahet si vendlindja e Aleksandrit të Madh” .
Krijimtaria popullore shqiptare e ka përjetësuar figurën e Aleksandrit të Madh edhe me një valle të kërcyer nga 200-300 veta dhe që njihet me emrin “Arnautja”. Sipas përshkrimit të disa autorëve të huaj, kjo valle e kënduar niste me këto fjalë: “Ky është Aleksandri i Madh që nënshtroi gjithë botën”. Kjo valle, për të cilën ka shkruar hollësisht Nexhat Agolli, është e shek.II dhe ka vijuar të kërcehet nga shqiptarët e Maqedonisë deri në shek.XVIII .
Krijimtaria popullore dëshmon se Aleksandri i Madh, si një figurë madhore e historisë kombëtare të shqiptarëve, është përcjellë në kujtesën e tyre historike nga brezi në brez. Këtë e ka vërtetuar edhe Edit Durham, e cila në vitin 1905 ka shkruar: “Aleksandri i Madh… është ende i gjallë mes njerëzve të vet. Nuk mund ta merrni me mend se sa me pasion flasin për të; gjaku i të parëve u vlon ende në dej” . Kujtesa e thellë historike për Aleksandrin e Madh bëri që në vitin 1925 qeveria dhe parlamenti shqiptar të caktojë Lekun, të stampuar me portretin e tij, si njësi bazë monetare , të cilin e kemi edhe sot.
Në një shkrim për Aleksandrin e Madh, që kam botuar vitin e kaluar, kam vënë në dukje se emri Lekë te shumë toponime, gojëdhëna e, mbi të gjitha, emri i Lekës në emërtimin e së drejtës dokesore shqiptare, që është përkujtimi më i thellë historik e kulturor që shqiptarët ruajnë gjatë shumë shekujve për një figurë madhore historike, ka të bëjë me Lekën e Madh dhe jo me Lekë Dukagjinin .
Nga shqyrtimi i burimeve historike del se emrin Lekë Dukagjini gjatë shekujve XIV e XV e kanë pasur disa persona dhe që të gjithë kanë qenë figura dytësore në jetën politike e shoqërore të shqiptarëve. Asnjë prej tyre nuk ka lënë gjurmë që të ruhej në kujtesën historike të shqiptarëve brez pas brezi.
Në një dokument të dhjetorit të vitit 1387 përmendet një Lekë Dukagjini me të vëllanë, Palin, që u jepnin raguzanëve siguri për të lëvizur nëpër zotërimet e tyre . Në vitin 1393 Leka dhe i vëllai përmenden si të vdekur . Emrin e Lekës e ka trashëguar një nip i tij i lindur në vitin 1420 dhe që për herë të fundit jepet në vitin 1451 si kundërshtar i Venedikut . Vëllai i tij Pali i vuri emrin Lekë djalit të tij të parë, veprimtaria e të cilit është më e rëndësishme në krahasim me dy personat e mësipërm, por jo aq sa është pasqyruar në historiografi. Mendimin se emrin e tij e mbante e drejta dokesore shqiptare e ka pasur edhe autori i këtij shkrimi .
Dokumentet historike tregojnë se në fillim të nëntorit të vitit 1456, kur emri i tij përmendet për herë të parë, Lekë Dukagjini i kishte marrë me forcë Venedikut kështjellën e Dejës . Konflikti midis tyre ka vijuar deri në fund të vitit 1458, kur ende i ati, Pali, ishte aktiv në jetën politike e në marrëdhëniet me Venedikun . Sipas dokumenteve veneciane në vitin 1459 Lekë Dukagjini ishte në malësinë e Shatit , në vitin 1463 quhej armik i Venedikut , në vitet 1465 ishte afruar me osmanët dhe në vitin 1469 përgatitej të largohej nga Shqipëria, sepse kërkonte të tërhiqte pasuritë që kishte në Shkodër, kurse Venediku nuk donte ta pranonte se ishte afruar sërish me osmanët . Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët (1479), Leka dhe i vëllai i tij, Nikolla, mërguan në Itali dhe u kthyen në vitin 1481 për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Dokumentet përmendin vetëm kthimin në Shqipëri të të vëllait, Nikollës, dhe më pas të Lekës bashkë me Gjon Gjurashin (Cërnojeviçin) . Dokumentet e kohës heshtin për fatin e mëtejshëm të tij.
Po sipas dokumenteve, dy pinjollë të tjerë të familjes Dukagjini, Nikolla dhe Pali, kanë qenë personazhet më të rëndësishme të kësaj familjeje gjatë shek.XV, që kanë lënë gjurmë në jetën politike shqiptare të kohës. Emri i Nikollë Dukagjinit del për herë të parë në vitin 1409, në fillim të viteve 30, në luftën kundër serbëve e osmanëve që i dëbon ata nga kështjella e Dejës. Më pas, merr pjesë në kryengritjen çlirimtare të vitit 1443 në Kuvendin e Lezhës etj. Bashkë me Skënderbeun përfaqësuan Besëlidhjen Shqiptare në bisedimet për nënshkrimin më 4 tetor të vitit 1448 e Traktatit të Paqes me Venedikun. Në nderim të Nikollë Dukagjinit, sipas M. Barlecit, shqiptarët i ngritën atij një monument në Prizren.
Përveç dokumenteve të shek.XV, në mënyrë episodike, Lekë Dukagjini është përmendur edhe nga M. Barleci . Episodi dramatik i dhënë nga M. Barleci për njoftimin që Lekë Dukagjini u ka bërë lezhjanëve për vdekjen e Skënderbeut, ka ndikuar më shumë se çdo veprimtari tjetër politike që figura e Lekë Dukagjinit të zërë vend në veprat e autorëve të mëvonshëm. Ndër ta do të veçonim Frang Bardhin, i cili në qershor të vitit 1637 ka shkruar për dukagjinasit: “Sipas zakonit të të moçëmve, ndër gostitë e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj dhe sidomos të të pathyeshmit zotit Gjergj Kastriotit, të thanunit Skënderbe, dhe të të përndriturit zot Lekë Dukagjinit, princit dhe zotërisë së tyre” . Këngët i janë kënduar Lekës, kurse njëjtësimi (identifikimi) i emrit të personazhit të këngëve popullore me Lekë Dukagjinin, duhet të jetë bërë nga Frang Bardhi, i cili, kur hartoi apologjinë e tij për Skënderbeun, është mbështetur kryesisht në veprën e M. Barlecit . Autorët e tjerë të vjetër, që nuk kanë qenë nën ndikimin e veprës së M. Barlecit, nuk e përmendin emrin e Lekë Dukagjinit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me toponimet dhe me gojëdhënat.
Në “Hartën arkeologjike dhe etnografike të Vilajetit të Shkodrës”, që ka botuar Franc Nopça, në vitin 1909, janë shënuar disa kështjella të emërtuara “Kalaja e Lekës” . Të njëjtën gjë dëshmojnë edhe 36 toponimet e gojëdhënat e botuara nga Qemal Haxhihasani për Lekë Dukagjinin . Prej tyre vetëm 6 kanë emërtimin Lekë Dukagjini , 28 kanë emërtimin Lekë, kurse dy nuk e japin fare emrin. Në gjashtë gojëdhëna të tjera, kur flitet për “Kanunin e Skënderbeut”, jepet vetëm “Kanuni i Lekës” dhe asnjëherë Kanuni i Lekë Dukagjinit. Nga botimi i Q. Haxhihasanit del qartë se tradita popullore përmend përgjithësisht emërtimin Lekë, kurse identifikimi i tij me Lekë Dukagjinin është më i vonë dhe është bërë nën ndikimin e botimeve të ndryshme. Çështja e përcaktimit të një figure historike ka rëndësi të bëhet drejt, jo vetëm në toponimi e në gojëdhënat popullore, por sidomos, kur ajo ka lidhje me një trashëgim shumë të lashtë kulturor, siç është e drejta dokesore shqiptare. E drejta dokesore ose kanuni është një monument madhështor për historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Gjuha shqipe, e drejta dokesore dhe trashëgimia kulturore pagane janë faktorë vendimtarë për ruajtjen e identitetit dhe të njësisë kombëtare të shqiptarëve. E drejta dokesore ka udhëhequr jetën shoqërore të shqiptarëve dhe ka qëndruar mbi besimet e ndryshme fetare. “Këto ligje janë të njëjta për të gjithë: ndryshimi i fesë nuk ndryshon gjë… Barazia e të drejtave është e plotë për të gjithë pa dallim: Doket e zakonet sigurojnë vazhdimin e zbatimit më të imët’ të tyre. Kështu ka shkruar rilindasi ynë i madh, Pashko Vasa, në veprën e tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” , e cila, në vitin 1879 e më pas, gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, është botuar në disa gjuhë kryesore të Evropës.
Së drejtës dokësore i është nënshtruar në trojet shqiptare edhe e drejta kishtare . Edit Durhami ka shkruar: “Ndër shqiptarë shprehja “Kështu ka thënë Leka ” ka më tepër forcë se sa dhjetë porositë e Biblës. Mësimet e Islamit e të Krishterimit, ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t i nënshtrohen Kanunit të Lekës”.
Në dokumentet mesjetare dhe të periudhave të mëvonshme jepen raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë zgjidhjeve të çështjeve shoqërore sipas normave të të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë i kanë dhënë përparësi së drejtës dokesore, sepse ajo ka ardhur si trashëgim i vyer i kulturës shqiptare që nga lashtësia e tyre e kohës pagane. Ritet e besimeve pagane janë shumë të lashta, autoktone dhe të përbashkëta për të gjithë shqiptarët. Ato janë rrënjosur thellë në vetëdijen e shqiptarëve dhe gjithnjë janë praktikuar në jetën e përditshme me përkushtim të thellë.
Ato nuk janë zëvendësuar plotësisht as nga ritet fetare monoteiste (kristiane e islame), që u përhapën edhe në trojet shqiptare.
Që nga shek.XIX e drejta dokesore shqiptare tërhoqi vëmendjen e studiuesve të huaj dhe gjithnjë e më shumë është bërë objekt studimi për albanologë të huaj e shqiptarë. Si studime më të rëndësishme për të drejtën dokesore, të bëra nga autorët shqiptarë kohët e fundit, do të veçonim Hyrjen e vëllimit “E drejta zakonore shqiptare 1 (Tiranë, 1989), botimet “Vetëqeverisja e Mirditës” (Tiranë, 1996) e “Për kanunin” (Tiranë, 2003) të Pal Doçit dhe, sidomos, monografinë e Ismet Elezit “Njohuri për të drejtën zakonore mbarëshqiptare” (Prishtinë, 2003).
Në krye të studiuesve të së drejtës dokesore shqiptare ka vend të meritueshëm kleriku atdhetar Shtjefën Gjeçovi, i cili vitet e jetës së tij ia kushtoi mbledhjes, hulumtimit dhe përgatitjes së saj për botim. Ai e kishte emërtuar “Kanuni i Maleve”72. Vepra madhore e tij u botua e plotë pas vdekjes së Sh. Gjeçovit, në vitin 1933 në Shkodër, me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Kjo vepër është ribotuar disa herë në gjuhën shqipe dhe është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Krahas ribotimeve të shumta të veprës së Sh. Gjeçovit, e drejta dokesore shqiptare është mbledhur e kodifikuar edhe nga dom Frano Illia dhe është botuar prej tij në vitin 1993 me titull “Kanuni i Skanderbegut”. Edhe Xhemal Meçi ka dhënë dy botime të kësaj të drejte dokesore, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës” (1997) dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës” (2002).
Botimet e mësipërme të drejtën dokesore shqiptare e kanë lidhur që në titull me figurat historike të shek.XV, me Skënderbeun dhe me Lekë Dukagjinin. Kështu, formalisht, është kufizuar shumë shtrirja dhe prejardhja e hershme mbarëshqiptare e saj. Kufizim kohor japin gjithashtu edhe emërtimet me fjalët “kanun” dhe “e drejtë zakonore”. Më i saktë se fjalët e huaja e më të vona kanun e zakon është togfjalëshi “e drejtë dokesore”. E. Çabej fjalën doket e jep si emër foljor të gegërishtes verilindore për duket, që i përgjigjet pjesores dukë. Në dokumentet e mesjetës dhe në dokumente më të vona fjala dukë është përdorur shumë si emër vetjak e familjar prej shqiptarëve, kudo që ata kanë banuar, në trevat e tyre e në diasporë. Ky është një emër i hershëm i fondit të antroponimisë kombëtare shqiptare me kuptimin: dukje, pamje e hijshme e njeriut.
E drejta dokesore, ashtu si edhe gjuha shqipe, janë trashëgimi shumë e lashtë. Në të drejtën dokesore ndërthuret dhe pasqyrohet tradita e vetorganizimit shoqëror parashtetëror me legjislacionin shtetëror të kohëve më të vona, duke përfshirë edhe norma të trashëguara nga e drejta romake. Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe ato nuk kanë qenë vepër e individëve të veçantë, por e bashkësive të mëdha shoqërore, të miratuara nëpër kuvendet e tyre. Prandaj, në të drejtën dokesore vihen re edhe elemente vendore dalluese, që janë dytësore në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të saj73. Përbashkësia mbarëshqiptare e së drejtës dokesore dhe elementet dalluese vendore shkojnë krahas me gjuhën shqipe si e tërë, e cila ka dialektet, nëndialektet dhe të folmet e saj.
Është krejt e natyrshme që e drejta dokesore, edhe pse është krijesë kulturore anonime mbarëshqiptare, në traditën popullore ajo është e lidhur me emrat e figurave të shquara të historisë sonë kombëtare dhe me personazhe vendore të periudhave historike të hershme dhe të kohëve më të vona.
E drejta dokesore shqiptare, si për lexuesit e zakonshëm madje, edhe për studiuesit e saj, do të ishte më e drejtë të jepej me titull të papersonalizuar, sepse ajo është trashëgimi anonime shumë e lashtë kulturore e popullit shqiptar. Botimi i saj me titullin “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është vënë nga botuesit dhe bie ndesh jo vetëm me të vertetën shkencore, por edhe me traditën historike vendore dhe mbarëshqiptare.
Tradita historiko-shoqërore e krahinave ku është mbledhur e drejta dokesore shqiptare dhe që është botuar me titujt “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dhe “Kanuni i Skënderbeut”, nuk e lidh atë me emrat e mësipërm vetjakë, siç kanë vepruar botuesit e tij. Në vitin 1916 albanologu i shquar Ludvig Taloci ka treguar qartë se shqiptarët të drejtën dokesore të tyre e kan emërtuar “Kanuni i Lekës” . Ai thotë gjithashtu se ka dy mendime për personazhin historik që jep emri Lekë i Kanunit: një palë mendon se është Aleksandri i Madh, kurse pala tjetër mendon për Lekë Dukagjinin . Në vitin 1944 Zef Valentini ka shkruar për emërtimin e kanunit: “Tash quhet fjesht Kanuni i Malevet, o Kanuni i Lekës, ose Kanuni i Dukagjinit; a u quejt që më parë edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, a po asht ky nji kontaminacion burimi kulturuer, nuk mund e vertetova” . Edhe autorë të tjerë, si Xh. Kasteleti, Rrok Zojzi, Ismet Elezi, Pal Doçi etj. i kanë kushtuar vëmendje emërtimit të së drejtës dokesore .
Rrok Zojzi ka shkruar se Kanuni i Lekës është shtrirë në veri mbi Kelmend “deri në Novi Pazar, në kufi me Bosnjën”78. Në librat e tij “Vetëqeverisja e Mirditës” (Tiranë, 1996) dhe “Për kanunin” (Tiranë, 2003) Pal Doçi me të drejtë kundërshton emërtimin e së drejtës dokesore si “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dhe “Kanuni i Skënderbeut”. Sipas gjurmimeve vetjake ai më ka pohuar se në Shpat e Çermenikë të Elbasanit, në Polis të Librazhdit e deri në Rrajcë të Përrenjasit pleqtë thonë se “ndanin kuvend” sipas “Kanunit të Lekës”. Edhe etnologu Mark Tirta më ka pohuar të njëjtën gjë, se banorët e trojeve të Shqipërisë së Epërme e të Mesme dhe deri në brigjet e liqenit të Ohrit kanë pasur si emërtim të tyre më të hershëm për të drejtën dokesore togfjalëshin “Kanuni i Lekës”. Ismet Elezi, sipas saktësimit gojor që më ka bërë, emërtimin “Kanunu i Lekës” e ka gjetur me shtrirje nga Fushë-Kosova deri në Kurvelesh e Himarë . Këtë dëshmon edhe botimi i sipërpërmendur i Q. Haxhihasanit me tregime e këngë popullore për Skënderbeun. Emërtimi i mëvonshëm “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është sajesë kryesisht e gjurmuesve, e studiuesve të mëpastajmë të së drejtës dokesore dhe të njerëzve amatorë.
Përdorimi i gjerë i emrit të Lekës për të drejtën dokesore shqiptare nga banorët e Shqipërisë së Epërme e të Mesme, madje jo vetëm në këtë pjesë të trojeve shqiptare, nuk është i rastit. Në këto treva ky emër përmendet në shumë gojëdhëna dhe atë e mbajnë disa kështjella e shumë toponime të tjera. Disa gojëdhëna, që flasin për norma të së drejtës dokesore, Lekën e përmendin si bashkëkohës të Skënderbeut, pra kemi të bëjmë me një personazh historik të shek.XV. Ashtu si shumë norma të së drejtës dokesore që janë krijuar gjatë përiudhave të ndryshme historike, edhe personazhet e gojëdhënave u përkasin kohëve të ndryshme historike. Madje në disa gojëdhëna Skënderbeu dhe Leka kanë qëndrime të ndryshme për zbatimin e së drejtës dokesore shqiptare. Këto ndryshime dëshmojnë për përshtatjen e normave të së drejtës dokesore në mjedise shoqërore më të vona, prandaj ato janë lidhur me emrin e Skënderbeut.
Emri i Skënderbeut në gojëdhëna për norma të së drejtës dokesore dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek.XV. Kjo pasqyrohet edhe në zbatimin e institucionit të besës prej Heroit tonë Kombëtar .
Emri i Lekës në lidhje me të drejtën dokesore, toponiminë e me gojëdhënat ka përhapje shumë të gjerë në Shqipërinë e Epërme e të Mesme. Kjo shtrirje gjeografike është shumë herë më e madhe se sa zotërimet e familjes fisnike të Dukagjinëve gjatë mesjetës. Emri i Lekës përfshin edhe zotërimet e familjeve aristokrate shumë më të fuqishme e me rol shumë më të madh në historinë tonë mesjetare se sa Dukagjinët, siç janë Kastriotët, Balshajt, Topiajt e Arianitët. Edhe në antroponiminë mesjetare emri Lekë është përdorur shumë shpesh nga të gjithë shqiptarët, kudo që kanë banuar, sidomos në trevat e Shqipërisë së Epërme dhe të Mesme.
Periudha e mesjetës në historinë shqiptare nuk ka dhënë ndonjë personazh historik të shquar me emrin Lekë, që të kishte ndikim të fuqishëm në botën shqiptare dhe të linte gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të tyre, sa që emri i tij të lidhej me të drejtën dokesore, me gojëdhënat dhe me toponimet e shumta të Shqipërisë së Epërme e të Mesme. Prandaj vështrimi i studiuesve lipset të shtrihet në një kohë më të hershme të historisë së shqiptarëve, në lashtësinë e tyre.
Dhe kjo është koha e Aleksandrit të Madh, kujtimi dhe emri i të cilit është ruajtur i pashlyer në kujtesën historike të shqiptarëve.
Shtjefën Gjeçovi ka lënë një dëshmi shumë të rëndësishme se “Kanuni i Pirrit” ka qenë emërtimi më i hershëm i së drejtës dokesore të përdorur prej banorëve të Shqipërisë së Poshtme. Ky emërtim lidhet me mbretin Pirro të Epirit. Kurse emërtimi “Kanuni i Lekës” për të drejtën dokesore shqiptare ka qenë emërtim më i hershëm, shumë i rrënjosur e i përdorur në Shqipërinë e Epërme, të Mesme dhe në vise të gjera të Shqipërisë së Poshtme. Statutet e Shkodrës dëshmojnë se, që në mesjetë, banorët e një qyteti shumë të rëndësishëm shqiptar e kanë lidhur legjislacionin për organizimin e veprimtarinë e jetës së tyre me emrin e Aleksandrit të Madh.
Emri Lekë në shumë toponime, gojëdhëna e, mbi të gjitha, emri i Lekës në emërtimin e së drejtës dokesore shqiptare është ruajtja më e thellë në kujtesën historike të shqiptarëve për Aleksandrin e Madh.