Kaos në Paris! – Pak orë para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike ndërpriten lëvizjet me trena. – I vihet zjarri hekurudhave
26 Korrik 2024
Rrjeti hekurudhor i shpejtë i Francës është sulmuar duke sjellë ndërprerje të mëdha në shumë prej linjave hekurudhore më të ngarkuara të vendit, disa orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris.
Sipas mediave ndërkombëtare, në rrjetet hekurudhore është vënë zjarr, duke bërë të pamundur nisjen e trenave.
Operatori shtetëror hekurudhor, SNCF, tha se zjarrvënësit kishin shënjestruar flakët përgjatë linjave që lidhin Parisin me perëndimin, veriun dhe lindjen e vendit dhe se trafiku do të ndërpritet në të gjithë vendin gjatë fundjavës.
“Ky është një sulm masiv në një shkallë të gjerë për të paralizuar rrjetin TGV,” tha SNCF për Agence France-Presse, duke shtuar se shumë rrugë do të duhet të anulohen dhe situata do të zgjasë të paktën gjatë gjithë fundjavës, derisa të kryhen riparimet.
Operatori kombëtar i trenave tha se kishte qenë viktimë e disa akteve të tilla keqdashëse gjatë natës, duke shtuar se sulmet prekën linjat e tij në Atlantik, në veri dhe në lindje.
Firma hekurudhore ndër të tjera ka njoftuar qytetarët se biletat për këto udhëtime të ndërprera janë të këmbyeshme dhe të rimbursueshme.
Presidenti i SNCF ka deklaruar se nga kjo situatë janë prekur rreth 800 mijë udhëtarë. Ai shton se rrjeti hekurudhor ishte përgatitur për Lojërat Olimpike, por tani po shikojnë të mobilizojnë qindra personel për të rregulluar rrjetin sa më shpejt që të jetë e mundur.