Karamuço paralajmëron “tërmet”: – Dosja ‘Toyota Yaris’ do tronditë drejtësinë dhe politikën
28 Tetor 2024
Ervin Karamuço, ka paralajmëruar se pas Ilir Metës, do të ketë shumë emra të tjerë që do të arrestohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Teksa ishte i ftuar një një studio televizive zbuloi se një nga dosjet e SPAK përfshin edhe emra të kolegëve të prokurorëve të këtij institucioni. Karamuço sqaroi se, përveç prokurorëve, në dosjen e cila njihet si “Toyota Yaris”, janë përmendur edhe politikanë të lartë të së majtës, duke ngritur pyetjen nëse hetimi për këtë çështje duhet të kryhet nga një prokuror i huaj. “Unë shikoj se mos po mbrohet ndonjë. Kush po e bën këtë? Mos po e bën SPAK-u vetë? Pasi duan të ekspozohet këtu dhe mos të ekspozohet këtu.
Por sidomos te rasti i korrikut, i Toyota Yaris, ka kolegë të prokurorëve të SPAK-ut, që SPAK-u duhet t’i hetojë. Mos ka ardhur koha që për atë dosje duhet ndonjë prokuror i huaj, se këta shqiptarët nuk e di sa integritet do kenë për ta hetuar atë dosje. Janë duke u bërë verifikime. Në atë dosje ka edhe politikanë të së majtës brenda; edhe ata po verifikohen, pozita e tyre, po kryqëzohen të dhënat nëse kanë qenë në ato vende. Ne nuk duhet të marrim vesh hollësitë, por një gjeneralitet të përgjithshëm të kësaj ngjarjeje, se kush është i përfshirë, ne duhet ta kemi”, deklaroi ai. Ndërkohë Karamuço ka deklaruar se me arrestimin e Metës, SPAK theu mitin e pandëshkueshmërisë. “Ka dhe probleme të brendshme.
Nuk janë të gjithë prokurorët njësoj. Zoti Dumani dhe ndërkombëtarët duan të ndryshojë ligji që të ketë zgjatje të mandatit ose ripërtëritje. Politika nuk e do këtë gjë. Por ai për 9 vite do jetë aty. Dumani hyri në historinë e Shqipërisë, u fut si drejtues i kësaj prokurori. Ndikuam ne, apo media, ndoshta. Mbase një drejtues i ardhshëm do trajtojë çështje të tjera. Por tani SPAK ka krijuar besim. Ka shumë elemente pozitive. Miti u thye. Nuk ka më mit të pandëshkueshmërisë. Do shihni emra të tjerë që nuk ja u merrte mendja kurrë që do ishin aty. Ka shumë të tjerë aty. Koha është e gjatë. Misioni do të vijojë dhe sa kohë ka një kallëzim. Ishim mësuar të bënim kallëzime dhe humbnin. Zyrtarët duhet t’i shqetësojë shumë edhe një kallëzim nga një qytetar i zakonshëm”, nënvizoi Karamuço.
Gazeta Sot