“Principata Shqipëri”, është një libër i shkruar nga Karl Thopia. Por ende nuk ka të dhëna të sakta nëse origjina e tij e saktë ka të bëjë me Topiajt e mesjetës. Gjithsesi, me origjinë shqiptare apo jo të tillë, autori na ka dhënë një vepër të rëndësishme historike sa i përket periudhës kur në Shqipëri drejtoi Princ Vidi. Madje Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, jo vetëm që e vlerësoi veprën e shkruar nga Karl Thopia, por tha se prurjet e reja që përkojnë me periudhën e pas vitit 1912 janë të mirëseardhura.
Ndërkohë, vepra në fjalë, e shkruar në gjermanisht, është sjellë në shqip nga përkthyesja dhe botuesja Lindita Komani.


Përurimi i “Principata Shqipëri” u zhvillua në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Aktiviteti u organizua nga Ambasada Austriake dhe shtëpia botuese “Kompass” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Jo vetëm për këtë arsye, por edhe sepse viti 2018 është konceptuar si Viti i Kulturës Austri – Shqipëri, në këtë aktivitet merrte pjesë dhe zv.ambasadorja e Austrisë në Tiranë, znj. Sonja Harreither.
Në fjalën e tij të përshëndetjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se libri merrte vlera të veçanta, pasi kjo periudhë e historisë shqiptare ka nevojë për më shumë dritë. Në këtë aspekt “Principata Shqipëri” sjell burime historike të vlefshme nëpërmjet dokumentave dhe burimeve të ndryshme. Ai vlerësoi gjithashtu ndihmën e madhe që ka dhënë Austro-Hungaria në shtetformimin e Shqipërisë dhe të mbështetjes që i bëri Vilhelm Vidit për të ardhur në Durrës si një princ i shqiptarëve.


Mbas fjalës së tij drejtori Dorian Koçi prezantoi për të pranishmit Himnin e Principatës Shqiptare 1914, që për hir të së vërtetës duhet thënë se është një himn jo fort i rrahur në veshët e shqiptarëve.
Nga ana e saj zv.ambasadorja e Austrisë, znj. Sonja Harreither, veç fjalëve që tha për librin “Principata Shqipëri” u ndal tek Viti i Kulturës Austri – Shqipëri, ku sipas saj ky vit do të sjellë një mori aktivitetesh për publikun shqiptar dhe atë austriak, ose thënë ndryshe rreth 60 të tilla me ekspozita, koncerte apo përurime librash.


Vetëm dy javë më parë Viti i Kulturës Austri – Shqipëri, ngriti siparin me konferencën, e cila duke risjellë në kujtesë periudhën e viteve 1914 – 1918, na ndihmoi të zbulojmë të përbashkëta mes dy popujve e shteteve tanë, si dhe të njohim më mirë një pjesë të historisë sonë që ende vlen të perceptohet e kuptohet më mirë.


Më pas, aktiviteti do të vazhdonte me kumtesa nga të ftuarit. Fillimisht foli përkthyesja dhe botuesja e librit “Principata Shqipëri”, znj.Lindita Komani. Në vijim, u ftuan për të mbajtur kumtesat e tyre analizë: historiani Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa) historiane dhe pedagoge në Fakultetin e Histori – Filologjisë, si dhe historiania pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Dr. Gentiana Kera.