Karl Topia dhe kulti i Gjon Vladimirit
Karl Topia dhe kulti i Gjon Vladimirit
Karl Topia, princi reformator dhe Konstandin Shpataraku
Krishterimi tek shqiptarët është i vjetër i kohërave apostolike, d.m.th. përpara krijimit institucional të kishave dhe të kanuneve liturgjike.
Ky krishterim pati dy vatra të mëdha në Ballkan, dy qytetet ilire, qytetin e Salonës në Dalmaci (Spliti i Sotëm) dhe qytetin e Durrësit ku ka apostoluar vetë Shën Pali dhe ku në vitin 57 pas Krishtit ka patur një Agape (komuniteti tipik i të krishterëve të parë) si dhe dy dishepuj ungjillorë të famshëm Shën Cezari dhe Shën Apoloni, pa harruar dhe martirin e madh Shën Asti.
Është pikërisht forca tërheqëse e emrit të Shën Astit që ka bërë të mundur thithjen e legjendave dhe gojëdhënave si dhe një kult tjetër të krishterë, shumë të rëndësishëm për shqiptarët, kultin e Gjon Vladimirit.
Ç’përfaqëson kulti i Gjon Vladimirit?
Kush është Gjon Vladimiri, përse kulti i tij para së gjithash nderohet nga shqiptarët?
Literatura shkencore dhe ikonografike për Gjon Vladimirin është relativisht e gjerë.
Studimi i albanologut të madh kroat Milan Shuflai për kultin e Gjon Vladimirit përbën një strukturë konceptuale, të pazëvendësueshme për këtë figurë.
Sipas Shuflait kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin, ky kult është i çuditshëm dhe i pastudiuar deri në fund, nuk ka ende një studim përfundimtar dhe shterues.
Ky kult i cili ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brenda për brenda mjedisit shqiptar megjithatë është nderuar edhe nga sllavët e Jugut, edhe nga serbët e maqedonët edhe nga kroatët.
Ka debate shkencore dhe fetare për Gjon Vladimirin, ka dhe falsifikime dhe pasaktësi të nisura nga politika shoviniste dhe të qëllimshme kryesisht antishqiptare.
Por është fakt që kulti i Gjon Vladimirit ka qenë një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ballkanit, siç e ka quajtur Milan Shuflai.
Gjon Vladimiri ka qenë princi i krahinës së Krajës pranë Ulqinit një tokë me popullsi iliro-shqiptare e kahershme në shekullin XI.
Gjatë një vizite që autori i këtyre rreshtave bëri në janarin e këtij viti pa me sytë e tij gërmadhat e shtëpisë princërore të Gjon Vladimirit në Krajë si dhe një pus të madh që mban emrin e gruas së Gjonit, princeshës Kosara.
Gjon Vladimiri (i quajtur në burimet sllave si Ivan Vladimiri) iu nënshtrua Carit bullgar Samuil, kur ky pushtoi Shqipërinë Veriore.
Mbasi u bë vasal i Carit Samuil, Gjoni u detyrua të martohej me vajzën e Samuilit, princesësh Kosara.
Ky vasalitet u prish sepse Gjon Vladimiri u bashkua në aleancë me perandorin bizantin Vasili II.
Cari bullgar Samuil e vrau në mënyrë të pabesë princin kryengritës të Krajës, Gjonin, madje së bashku me të shoqen Kosarën.
Qe pikërisht kjo kryengritje kundër bullgarëve, martirizimi politik i Gjon Vladimirit, që bëri që shqiptarët në Krajë, në Anamal dhe në Ulqin ta quanin Gjon Vladimirin një martir në rradhë të parë për lirinë e tyre, që sakrifikoi kundër pushtuesve bullgarë, pra pushtuesve sllavë.
Si martir qenë pikërisht shqiptarët që pa asnjë akt zyrtar kanunizues e shpallën Gjon Vladimirin një shenjtor të madh, një shenjtor që në fakt nuk u bë i tillë nga asnjë akt i shënuar incriptus nga kishat e krishtera, qoftë të ritit lindor ortodoks serb, qoftë të ritit perëndimor katolik të Romës.
Është e habitëshme por është plotësisht e vërtetë që kultizimi dhe shenjtërimi i Gjon Vladimirit u bë në mënyrë popullore dhe në një mjedis tipikisht shqiptar.
Shumë dijetarë e quajnë Gjon Vladimirin me origjinë sllave, duke u nisur edhe nga fakti që në burimet sllave ai quhet Ivan Vladimiri.
Por krahina e Krajës, madje mali i quajtur Katërkolë (shihni ju lutem këtë toponim, që përbëhet nga fjalë shqipe, nga fjala “katër” dhe fjala “Kolë”, që shpjegohet me emërtimin nga katër kisha e Shën Nikollës dikur në këtë mal. Pas Vdekjes eshtrat e Gjonit u ruajtën në kishën “Virgjëresha e Krajës” deri në vitin 1215. Gjoni u vra në vitin 1016.
Mbas 199 vjetësh një sundimtar epirotas i quajtur Teodor Engjëll Komneni i mori eshtrat e shenjta të Gjon Vladimirit nga Kraja dhe i vendosi në Durrës.
Që nga ajo kohë eshtra e Gjon Vladimirit në Durrës u nderuan nga besimtarë të dy kishave të Kishës Lindore dhe Perëndimore.
Ky nderim në Durrës i shoqëruar edhe me panaire të mëdha nga më të mëdhatë e mesjetës ditën e 22 majit, që është dita e Shenjtit, vazhdoi për gati 1 shekull e gjysëm. Janë të shumta dokumentet që lidhen me Durrësin deri në shekullin XIV që tregojnë sesi reliket e Gjon Vladimirit nderoheshin madje duke i kushtuar vepra letrare fetare dhe dhurata të shumta ex voto.
Nuk e dimë deri më sot se ku ka qenë kisha që ka strehuar reliket e Gjon Vladimirit në Durrës.
Por mësojmë nga disa burime se në një nga katedralet e klerit domenikan të Durrësit nderohej së tepërmi martirizimi i Shën Astit, që u vra nga perandori romak Trajan në vitin 100 dhe vetë shenjtori Gjon Vladimiri dhe se për të dy këta shenjtorë kishte gojëdhëna të përafërta dhe tejet ekzotike, shoqëruar edhe në vargje në gjuhën latine dhe greke.
Karl Topia dhe manastiri në Elbasan
Një nga princërit më të rëndësishëm dhe më të kulturuar shqiptar të shekullit XIV, Karl Topia, në vitin 1381 i mori eshtrat e Gjon Vladimirit dhe i vendosi në kishën, që ai e ngriti dhe e ndërtoi së bashku me manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit.
Karl Topia ngriti një nga manastiret më të famshëm, qendër kulturore e jashtëzakonshme për shqiptarët. Në këtë manastir kryet e vendit e kishte sarkofagu madhështor që kishte brenda pjesët e trupit të shenjtorit Gjon Vladimirit.
Sipas një shënimi ka patur dhe afreske në mur ku tregoheshin ndodhitë dhe bëmat e shenjtit.
Në fondin e dorëshkrimeve të manastirit, kishte kodikë, shënime arkivore, libra psallmik dhe me poezi në disa gjuhë për kultin e Gjon Vladimirit.
Për fatin e keq kjo kishë u dogj nga gjermanët në 1944, çdo gjë u shkatërrua në një llahtari të papërshkrueshme, humbja kulturore siç mund të kuptohet është e pariparueshme, sot ekzistojnë muret akoma në këmbë në absidën e kishës së manastirit, ruhen gjurmë afreskesh, që dëshmojnë për një lavdi të madhe të dikurshme.
Nga ky manastir është marrë porta monumentale e gdhendur në gur së bashku me emblemën stemën heraldike të princit Karl Topia dhe mbishkrimin trigjuhësh të Karl Topisë dhe sot ky monument shumë i rrallë dhe i jashtëzakonshëm ndodhet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar.
Nga mbishkrimi mësojmë se manastiri u ngrit në vitin 1381 në vendin e një kishe më të vjetër, manastiri në të vërtetë u bë katër herë më i madh sesa kjo kishë e vjetër.
Emblema e Karl Topisë është tipike dhe përbën një vepër arti të pazakontë në shekullin e XIV në historinë e artit tonë kombëtar.
Emblema është në relief të hollë, ka në qendër si figurë kryesore luanin heraldik me kurorë mbretërore të ulur mbi një fron, nën të është forma e një libri të hapur pastaj ka një fushë dekorative ku duket skalitja e 20 kryqeve, 10 prej tyre janë mbyllur me rreth si dhe figurat e stilizuara të zambakëve si shenja mbretërore të fronit francez, konkretisht dinastisë së anzhuinëve të cilët më 1272 krijuan edhe shtetin e madh mesjetar shqiptar të quajtur Mbretëria Shqiptare (Regnum Albaniae) me kryeqytet Durrësin.
Shenjat e zambakëve janë vënë në këtë emblemë për të treguar lidhjen e Karl Topisë me një origjinë të supozuar të tij, në fakt me një lidhje krushqie me një princeshë franceze.
Nga ana tjetër politikisht Karl Topia ka luajtur me idenë e Mbretërisë së Shqipërisë së Anzhuinëve të shekullit XIII, sepse një shekull më vonë është Karl Topia që synon të quhet mbret i shqiptarëve.
Sipas studjuesit Gjergj Frashëri fusha dekorative ka disa shenja që janë dëshmi e një kalendari grafik origjinal.
Sipas këtij studjuesi me një gjuhë simbolike grafike është shënuar në emblemën prej guri data e ngritjes së monumentit, kjo tregohet nga një vijë e vetme horizontale, e cila tregon shifrën 1000, nga tri vija vertikale (secila nga këto vija tregon shifrën 100, pra të trija së bashku tregojnë numrin 300), nga 8 vizatime zambakësh, që tregojnë së bashku shifrën 80 si dhe nga një vizë e vogël vertikale, që tregon numrin 1. Kështu gjithsej dilet tek shifra 1381, pra një nga format më origjinale dhe më të çuditshme të patakuar deri më sot të shënimit të datës të një Kalendari nga shqiptarët.
Duke parë me vëmendje fushën dekorative të emblemës së Karl Topisë mund të them se ajo nuk është studjuar plotësisht nga pikëpamja simbolike, ka enigma grafike të pazbërthyera dhe përbën në vetvete një kod enigmatik të fshehtash dhe simbolesh.
Ajo që është më e çuditshmja dhe më e rëndësishme është se ky manastir i ka shërbyer në mënyrë barazimtare edhe katolikëve edhe ortodoksëve.
Dihet se Karl Topia qe një princ katolik.
Atëherë pse ai ndërtoi një manastir të ritit ortodoks?
Ai kishte kështu një vizio dhe politikë të sinkronizuar fetare, idenë e një kishe të përbashkët dhe të njëjtë nga pikëpamja institucionale si për shqiptarët ortodoksë ashtu dhe për katolikët.
Për t’i bashkuar shqiptarët e dy kishave, ai përdori jo gjëra të rëndomta dhe simbole të çfarëdoshme por thesarin më të madh që kishte Shqipëria e shekullit XIV, eshtrat e shenjtit Gjon Vladimir.
Shikoni pikat gjeografike të tri qendrave të nderimit të këtij shenjti. Kraja shqiptare, Durrësi shqiptar dhe Elbasani shqiptar.
Nëse nuk merret parasysh ky realitet etnik nuk mund të kuptohet fare as procesi i shenjtërimit as prologu dhe deri diku as epilogu i historisë së eshtrave të shenjtit.
Shumë apologje të kishës serbe si kudo në politikë dhe histori në shkarkimet e tyre e mohojnë pa asnjë logjikë mjedisin shqiptar nga fillimi deri në fund të nderimit të eshtrave të Gjon Vladimirit.
Argumenti që përdorin serbët se Gjon Vladimiri është me origjinë sllave është një argument aprioristik sepse në të vërtetë deri më sot nuk ruhet absolutisht një dëshmi e sigurtë për origjinën etnike të Gjonit.
Nga ana tjetër emri Gjon është emër tipik i përdorur nga shqiptarët, ai quhet kështu në rrethet e Ulqinit por dhe kudo në Shqipëri.
Askush këtij shenjti nuk i thërret me emrin Ivan sipas sllavëve apo Johan sipas grekëve.
Nga ana tjetër janë shqiptarët ata që kanë krijuar disa vepra arti të shkëlqyera madje kanë botuar edhe libra të veçantë kushtuar Gjon Vladimirit të mbiemëruar më pas edhe si elbasanasit (në të vërtetë ulqinakas, ose më saktë nga Kraja).
Librat për Gjon Vladimirin
Janë dy botime të quajtura “Akuilithe” kushtuar jetës së Gjon Vladimirit, të botuara në Venedik, nga tregëtarët nga Elbasani.
Këto libra kanë jetëshkrimin dhe gojëdhënat lokale shqiptare për Gjon Vladimirin.
Për këto dy libra ka bërë shënime bibliografike Prof. Dhimitër Shuteriqi.
Më përpara, që në shekullin XIX, për njerin nga këto libra ka folur gjerësisht albanologu austriak Georg Hahn.
Ai jep të shtjelluar madje dy legjenda për Gjon Vladimirin si njeri i shenjtë.
Sipas këtyre legjendave Gjon Vladimiri u martua me Kosarën, vajzën e Samuilit, por kjo martesë “nuk u konsumua” mbasi shenjti vendosi të rrinte i virgjër.
Kjo ngjalli zemërimin e Kosarës, vëllai i saj e goditi me shpatë Gjonin por shpata përkulej si dyllë sapo prekte trupin e shenjtit, ahere Gjoni duke menduar nderimin e martirizimit të tij të ardhshëm i dha vrasësit shpatën e vet dhe kështu vrasësi i preu kokën Gjonit.
Gjoni me kokën e prerë në sqetull vrapoi dhe e çoi atë në kishën “Virgjëresha e Krajës” kurse vrasësi sipas dënimit hyjnor hëngri mishin e trupit të vet etj.
Dy librat e shqiptarëve për Gjon Vladimirin kanë rëndësi të posaçme për të kuptuar atmosferën dhe procesin e mendimeve nga shekulli XIV deri në shekullin e XX.
Ndoshta ka ardhur disa që këto libra në fakt të botuara në greqisht dhe me shpenzime të mëdha në Venedik të përkthehen edhe në shqipen e sotme letrare.
Ndoshta dhe shumë në poezi dhe himne fetare që kanë bërë shqiptarët për Gjon Vladimirin të përmblidheshin në një antologji.
Në të vërtetë akoma dhe sot shqiptarët ruajnë diçka materiale dhe konkrete, ruajnë kryqin e Krajës, është një kryq prej druri, i cili sot është pronë e një familjeje shqiptare në një fshat midis Tivarit dhe Ulqinit.
Sipas gojëdhënës këtë kryq e hodhi nga qielli një skifter i bardhë, për Gjon Vladimirin kjo qe një shenjë hyjnore për të ngritur Kishën “Virgjëresha e Krajës”.
Më vonë përballë kësaj kishe ka qenë akoma dhe një kryq akoma më i madh prej druri.
Populli e merrte këtë kryq në 22 maj në mëngjes dhe me të shtegtonte mbi Malin e Rumisë në afërsi të Shkodrës. Shqiptarët pavarësisht nga besimi të gjithë tok ortodoksë dhe myslimanë, në ditën e Rushajave (Pentecostes) bënin procesionin e kryqit në Malin e Rumisë.
Për fat të mirë kryqi i vogël i Kishës ruhet pra siç thamë përsëri në një familje shqiptare.
Ikona e Konstandin Shpatarakut
Në shekullin XVIII ikonografi gjenial shqiptar Konstandin Shpataraku bëri një kryevepër, ikonën e madhe të Gjon Vladimirit të perënduar më 1731.
Kjo ikonë ka në qendër princin e Krajës, Gjon Vladimirin, i cili mban në dorën e majtë kokën e tij të prerë si dhe 12 skena rreth e qark figurës qendrore.
Në njërën nga skenat është figura në këmbë e princit shqiptar Karl Topia, i cili tregon me dorën e djathtë tregon konstruktin arkitektonik të manastirit të Gjon Vladimirit në formën e tij fillestare.
Ky portret i Karl Topisë është i vetmi portret historik që kemi nga shekulli XIV. Konstandin Shpataraku e ka bërë portretin e Karl Topisë duke u bazuar tek një ikonë e vjetër e Karl Topisë që ka qenë në manastir.
Skenat e tjera tregojnë historitë e shenjtit. Kështu tregon shenjtin me kalorës në gjueti, skenën kur shenjti pa për herë të parë skifterin e bardhë që i hodhi kryqin, shenjtin në luftë me sa duket me bullgarët.
Ajo që të habit është se një nga kalorësit mban një flamur të kuq, që të kujton shumë flamurin e shqiptarëve, skena të habitshme janë ato që tregojnë 16 francezë që siç thuhet nga gojëdhëna e Elbasanit donin të vidhnin eshtrat e Gjon Vladimirit, por mushka që ja ngarkuan këto eshtra ngordhi në vend etj.
Për fat të mirë ikona e Kostandin Shpatarakut ruhet akoma edhe sot.
Kulti i Gjon Vladimirit
Milan Shuflai pyet: Kush ja tregoi kishës së Romës rëndësinë e kultit të Gjon Vladimirit, kjo nuk dihet por sido që të jetë duhet të ketë qenë një njohës i veçantë i gjendjes në Krajë. Shuflai na tregon sekretin e gjithë enigmës.
Shuflai thotë se ka qenë një kishtar shqiptar i quajtur Pal Dushmani, metropolit i Krajës, i cili ka ndikuar edhe te kardinali domenikan nga Raguza i quajtur Gjon Stajkoviç.
Pal Dushmani më 1440 ka qenë famullitar në qytetin Trevizo në Italinë e Veriut, në 1443 ka qenë peshkop në qytetin e Shasit pranë Ulqinit, në 1446 peshkop në Drisht.
Ky kishtar shqiptar ka luajtur role të mëdha pranë Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ky njeri që ka ndikuar më së shumti për shenjtërimin e kultit të Gjon Vladimirit.
Kjo histori e Gjon Vladimirit te shqiptarët tregon njëkohësisht dhe tolerancën fetare të shqiptarëve dhe përbën një nga legjendat më të mëdha, madje kryesoren për nga rëndësia siç e quan Shuflai” të një shenjti në krejt historinë e Ballkanit”.
Vetëkuptohet që historia e Gjon Vladimirit nuk mund të kalojë në indiferencë dhe të mos bëhet element përbërës kulturor edhe në kohërat e sotme.
Nga: Moikom Zeqo
Gazeta Dita