Karlo Bollino: – Të gjithë ne po luajmë me zjarrin. –
Karlo Bollino: – Të gjithë ne po luajmë me zjarrin. –
“ …Luan me zjarrin kryeministri Edi Rama, i cili, në emër të Kushtetutës, këmbëngul ta konsiderojë 30 qershorin si datën e vetme të mundshme për të zhvilluar zgjedhjet vendore….”.
18 Qershor 2019.
Të gjithë aktorët e kësaj beteje politike, të marrë dhe pa logjikë, po luajnë me zjarrin, edhe një herë mbi kurriz të Shqipërisë. Të gjithë besojnë se kanë të drejtë, të gjithë pretendojnë se veprojnë mbi bazën e parimeve më të larta, por nuk po kuptojnë se flamujt e tyre të shenjtë valaviten mbi një fuçi mbushur me tritol.
- Nga: Karlo Bollina
Mazhoranca, opozita dhe kreu i shtetit janë si tre trena që po vrapojnë me 200 km në orë drejt të njejtës pikë, në një trajektore përplasje të frikshme. Të gjithë aktorët e kësaj beteje politike, të marrë dhe pa logjikë, po luajnë me zjarrin, edhe një herë mbi kurriz të Shqipërisë. Të gjithë besojnë se kanë të drejtë, të gjithë pretendojnë se veprojnë mbi bazën e parimeve më të larta, por nuk po kuptojnë se flamujt e tyre të shenjtë valaviten mbi një fuçi mbushur me tritol.
Luan me zjarrin kryeministri Edi Rama, i cili, në emër të Kushtetutës, këmbëngul ta konsiderojë 30 qershorin si datën e vetme të mundshme për të zhvilluar zgjedhjet vendore. Por parimi i pashkelshmërisë së Kushtetutës bie ndesh me parimin e mbijetesës së vendit dhe të bashkëjetesës civile:Përplasjet e fundit tek ambjentet e KZAZ-ve midis policisë së shtetit dhe policive të bashkive të djathta duket se është vetëm fillimi i një përplasjeje më të gjerë, që mund ta ketë pikën kulminante më 30 qershor, por që mund të vazhdojnë edhe më tej. A ka sens qe Rama të këmbëngulë kaq shumë? Dhe, a nuk është më logjike të hiqet dorë nga 30 qershori në emër të çtensionimit dhe thjesht të pretendohet nga presidenti të dekretojë një tjetër datë, duke lënë që, eventualisht, të jetë kreu i shtetit ai që do të gabonte, në rast se nuk e vendos?
Luan me zjarrin presidenti i Republikës, i cili, pas muajsh heshtjeje, hyri në lojë si arbiter kur ndeshja tashmë është duke mbaruar dhe pretendon të revolucionojë kartat mbi tryezë. Për muaj me radhë qendroi në heshtje ndaj veprimeve të opozitës, që shkelte dekretin e parë, me të cilin caktonte datën e zgjedhjeve vendore, ndërsa tani nuk le t’i shpëtojë rasti për të kërcënuar mazhorancën, që shkel dekretin e tij të dytë, me të cilin anulon të njejtat zgjedhje. Ilir Meta duket se e ka braktisur përfundimisht rolin e tij të aktorit neutral dhe, i rrëmbyer nga një protagonizëm i tepruar, harron detyrën e tij institucionale, që duhej të ishte thjesht ajo e zjarrfikësit, duke u përpjekur të gjente një kompromis mes partive, dhe jo e zjarrvënësit, që i fryn zjarrit.
Luan me zjarrin Prokuroria, e cila, pas vitesh heshtjeje dhe indiference, pas vitesh bashkëfajësie me krimin dhe korrupsioni me politikën, papritmas zgjohet dhe kërcënon “të shoqërojë me forcë” liderin e opozitës Lulzim Basha, pikërisht më 21 qershor, ditën kur opozita ka thirrur njerëzit në shesh për protestën tradicionale që “i jep fund regjimit”. Skandali i lobimit rus që përfshin Partinë Demokratike është zbuluar që një vit e gjysmë më parë dhe nuk ka fare sens zgjedhja e Prokurorisë që të përfundojë hetimet pikërisht në kulmin e kësaj krize.
Luan me zjarrin e gjithë opozita, me në krye Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin, të cilët këmbëngulin të vendosin veton ndaj çdo negocimi me mazhorancën socialiste, duke pretenduar si kusht për t’u ulur në tryezë dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Për të gjithë është e qartë se historia e zgjedhjeve të blera me paratë e krimit është vetëm një alibi, nje përpjekje për të rrëzuar qeverinë, pasi për të gjithë është e qartë që, nëse bandat do të kishin zgjedhur me të vërtetë në këto vite të bënin aleancë me Partinë Socialiste, do të kishin mbetur aleate të saj edhe po të jepte dorëheqjen Edi Rama, e kështu që do të ishin të gatshme të kushtëzonin edhe zgjedhjet e ardhshme. E vërteta është se opozita kërkon ta shtrëngojë Edi Ramën të japë dorëheqjen, vetem për t’u nisur me avantazh në zgjedhjet e ardhshme, pasi e di mirë, në fund të fundit, se ndikimi i bandave është shumë i vogël kunder votes se gjithë popullit. Për fat të keq, në këmbim të këtij objektivi, opozita duket e gatshme t’i vejë vendit flakën. Në rast se opozita do të ishte e sinqertë në synimet e saj reformiste, do të ulej në tavolinë me Edi Ramën pa vendosur kushte, pasi është e qartë se cilëndo reformë që të synojë të realizojë (kushtetuese, elektorale apo institucionale) ajo do të kalojë edhe nëpërmjet konsesusit me Edi Ramën, si lider i Partisë Socialiste. Përveç rastit kur synon të bëjë puç dhe të qeverisë me një parti të vetme.
Por, në këtë luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, luan me zjarrin edhe komuniteti ndërkombëtar, i cili, pasi ka ndërmjetësuar për vite me radhë në të gjitha vendimet kryesore të Shqipërisë, pasi ka ndërhyrë për të sheshuar dhjetëra kriza dhe pasi ka kufizuar sovranitetin e vendit me dhjetëra herë, duke imponuar me çdo kosto reformat që kishte ndër mend, papritur tani qendron larg, duke lënë që vendi të digjet. “Këtë herë asnjë nuk do të ndërhyjë”, përsëritin nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Romë. Po përse pikërisht këtë herë, që duket si kriza më e rëndë institucionale e 20 viteve të fundit? Ta ndihmosh Shqipërinë në procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, a nuk do të thotë ta ndihmosh atë edhe të kapërcejë kriza të rrezikshme si kjo?
Të gjithë luajnë me zjarrin, ndërkohë që shumica dërmuese e shqiptarëve rri e shikon pa bërë fjalë betejën që po luftohet dhe ndjek e neveritur debatet televizive dhe lexon e hutuar komentet në internet. Pasi, mes atyre që luajnë me zjarrin, jemi edhe ne gazetarët, të gjithë të bindur se jemi nga ana e arsyes dhe, në emër të asaj arsyeje, jemi të gatshëm të sakrifikojmë logjikën e të mbyllim sytë përballë realitetit. Edhe ne, të pandërgjegjshëm, duke luajtur me fishekzjarret tona ndersa qendrojme mbi një fuçi të mbushur me tritol.
Logjika, vetëm logjika duhet të fitojë, të paktën një herë. Bashkë me vullnetin për kompromis. Në interesin e të tjerëve e jo në interesin tonë personal dhe, këtë herë, jo në emër të Evropës, apo të Kushtetutës, por thjesht sepse e duam Shqipërinë.
Gazeta Shqiptarja.com