24 Prill 2023

“Pika më e nxehtë” e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, prej 10 vitesh tanimë, duket se ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i rikthyer në vëmendje pas takimit në Ohër, më 18 mars.

Asociacioni është dakorduar nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por themelimin e tij tani e kërkon Rusia.

Ai mund të jetë temë e diskutimit në Nju Jork, përkatësisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, që ka thënë se vendi “angazhohet për një diskutim produktiv për thelbin e problemeve, që janë vërtet akute për serbët, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se do të “kundërshtojë çdo keqpërdorim” nga Rusia, gjatë udhëheqjes së Këshillit të Sigurimit.“Edhe pse është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia vazhdon ta shkelë thelbin e kornizës ligjore të OKB-së”, ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Asociacioni konsiderohet tani “atuti” i Rusisë, term i përdorur në lojën e kartave “Bridge”, në të cilën ai është një grup i veçantë i kartave që kanë vlerë më të lartë se kartat e tjera dhe mund të përdoren për të fituar një raund.

Në kuptimin figurativ, “atuti rus” mund të përdoret për të përshkruar një person ose organizatë që ka një avantazh të jashtëzakonshëm në një situatë të caktuar dhe është në gjendje të kontrollojë situatën me lehtësi.Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, ka marrë kryesimin njëmujor të këtij organi në fillim të prillit.

Gazeta Sot