Katalogu 500-vjeçar zbulon librat e humbur. –
Katalogu 500-vjeçar zbulon librat e humbur. –
Katalogu i librave “Libro de los Epítomes”, 500 vjet i vjetër e që jep të dhëna për librat që kaherë janë zhdukur, është gjetur në Kopenhagë, ku mbahej tash 350 vjet. Ai i ka takuar Hernando Colónit, djalit jashtëmartesor të Christopher Columbus, i cili gjatë gjithë jetës së tij ka punuar për të krijuar bibliotekën më të madhe që ka pasur bota deri në pjesën e parë të shekullit XVI.
Biblioteka që arriti të ketë 15 mijë dorëshkrime nuk është ruajtur në tërësi, por vetëm një e katërta e librave që përmenden në katalog, e që prej vitit 1552 ruhen në Katedralen e Sevilas. Katalogu është një alamet libri, i trashë më shumë se 30 centimetra dhe që ka 2 mijë faqe, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Në katalog nuk përfshihen vetëm titujt e librave, por edhe përmbajtja e shkurtër e tyre.
Zbulimi në Koleksionin Arnamagnæan në Kopenhagë është “i jashtëzakonshëm”, dhe një dritare në një “botë të humbur të librave të shekullit XVI”, ka thënë akademiku nga Cambridge, Edward Wilson-Lee. “Është një zbulim me rëndësi të madhe, jo vetëm për shkak se përmban aq shumë informacione në lidhje me atë se çfarë lexohej 500 vjet më parë, por edhe, sepse katalogu ka edhe përmbajtjen e librave që nuk ekzistojnë më, pra të humbur në çdo formë tjetër përveç në këto përmbledhje”, ka thënë Wilson-Lee. “Ideja se ky objekt që ishte aq në qendër të këtij projekti të jashtëzakonshëm në fillim të shekullit XVI është menduar si një humbje e madhe… ”
Katalogu u gjet në koleksionin e Árni Magnússonit, një dijetar islandez i lindur në vitin 1663, i cili dhuroi librat e tij në Universitetin e Kopenhagës para vdekjes së tij më 1730. Pjesa më e madhe e 3 mijë artikujve janë në gjuhën islandeze ose skandinave, me vetëm rreth 20 dorëshkrime spanjolle, që ndoshta është arsyeja pse “Libro de los Epítomes” nuk u vë re për qindra vjet. Ishte Guy Lazure në universitetin “Windsor” në Kanada, i cili së pari zbuloi lidhjen me Colon. Instituti Arnamagnæan pastaj ka kontaktuar Mark McDonald në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, i cili ia besoi punën e verifikimit Wilson-Lee me bashkautorin e tij José María Pérez Fernández nga Universiteti i Grënadës.
“Më dërguan fotografitë. Unë isha ulur në një plazh në atë kohë dhe i thashë: ‘duhet të ma shfletoni. Është pjesa që mungon nga biblioteka’”, ka thënë Wilson-Lee. “Është një histori mahnitëse. Në vend që të ishte një gjilpërë në kashtë, ishte një gjilpërë në një shumëllojshmëri të gjilpërave të tjera”.
Pas grumbullimit dhe mbledhjes, Colón ka angazhuar një ekip të shkrimtarëve për të lexuar çdo libër në bibliotekë dhe secili në një përmbledhje të vogël është paraqitur në “Libro de los Epítomes”, duke filluar nga tekstet më të gjata deri tek ato shumë të shkurtra si rreth 30 faqe për veprën e plotë të Platonit, që Wilson-Lee e quajti “mrekulli ngjeshësi”.
Colón ka mbledhur çdo gjë që i ka ardhur në dorë. Katalogu është një dokumentim real për atë që kanë lexuar njerëzit 500 vjet më parë, dhe jo vetëm klasikë. “Pjesë e rëndësishme e bibliotekës së Hernandos nuk janë vetëm Platoni dhe Cortez, ai ka mbledhur gjithçka, prej almanakëve deri te pamfletet e lajmeve. Kjo është me të vërtetë duke na ofruar një dritare në tërësinë e botimeve të hershme që kanë humbur dhe për atë se çfarë kanë lexuar – një botë në masë të madhe e panjohur për ne”, ka thënë Wilson-Lee.
Wilson-Lee dhe Pérez Fernández janë duke punuar për një pasqyrë të plotë të bibliotekës, e cila do të publikohet në vitin 2020. Ata gjithashtu janë duke punuar për të digjitalizuar katalogun në bashkëpunim me Institutin Arnamagnæan.
“Është gjithmonë emocionuese për një studiues dhe një biograf për të kuptuar se ka ende gjëra atje”, ka thënë Wilson-Lee.
Gazeta © KOHA