“KÇK për të vënë në rresht gjyqtarët”- Fatos Lubonja: SPAK-u dhe gjykatat i çon në duart e ministrit të Brendshëm. Pamja më e tmerrshme ishte…
“KÇK për të vënë në rresht gjyqtarët”- Fatos Lubonja: SPAK-u dhe gjykatat i çon në duart e ministrit të Brendshëm. Pamja më e tmerrshme ishte…
3 shkurt 2020
Analisti Fatos Lubonja duke komentuar prezantimin gjatë së dielës të paketës së quajtur “Anti-KÇK”, thotë se kjo bëhet nga qeveria për të vënë në resht gjyqtarët që janë kundër tyre.
I ftuar në studion e News 24, Lubonja shprehet se kjo paketë e çon gjykatën dhe njerëzit e SPAK-ut, te ministri i Brendshëm.
Fatos Lubonja: Është e frikshme sepse janë kapërcyer të gjithë kufijtë. Pse qenkan të ndershëm këta me syze të zeza dhe gjyqtarët jo? Këta janë thjesht një instrument për të frikësuar këdo që nuk i nënshtrohet këtij autoritarizmi, këtij individi që bën një lojë të rrezikshme. Nuk e di se sa e ka propagandë dhe të vërtetë në kuptimin që t’i shkojë deri në fund. Erdhi koha të luftojmë krimin thotë. Ti ke ardhur në 2013 me thënien që në Shqipëri nuk jetohet si njeri i ndershëm. Çfarë ke bërë ti nga 2013 e deri më tani.
Që strukturat kanë dështuar na e thanë me reformën në drejtësi. O na thuaj që ka dështuar Vettingu dhe bëj diçka mbi super-vettingun, ose na e shpjego, pse duhet kjo. Ato nuk shkojnë paralelisht, sepse janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ne kemi kërkuar drejtësi të pavarur nga politika, ndërsa kjo reforma e çon gjykatën, njerëzit e SPAK-ut, te ministri i Brendshëm, ndërkohë që kemi pasur dy ministra të Brendshëm të Edi Ramës të lidhur në një mënyrë apo tjetër me krimin. Kemi një rritje galoponte që e thoshte edhe Rai3, të krimit në Shqipëri në kohën e Ramës, apo jo! U përgënjeshtrua nga kryeministri po u rikonfirmua nga ata që e thonë dhe që kanë dokumente.
Tek e fundit, nuk kemi nevojë të na e thonë italianët. Mjafton të shohim ndërtimet, që nuk janë as me lekë banke, për të hetuar se cilët janë këta që po ndërtojnë dhe hetimi të çon tek cilët janë ata që kanë dhënë leje këtyre që ndërtojnë dhe ata janë vetë këta që bëjnë KÇK. E kupton sa e palogjishme është kjo. Në rastin më të mirë është propagandë dhe në rastin më të keq të kërcënosh edhe më njerëzit që ke kundër, t’i kesh në rresht. Kjo është që gjykatësit t’i ketë rresht.
Kryeministrin e kishte shqetësuar fakti se gjykatësit kanë liruar ca kriminelë. Po kush janë këto kriminelë? Na dalin që shumë nga ata kriminelë që kanë vjedhur votën, bashkë me kryeministrin.
E bën ky për të mbuluar këto lirime të këtyre njerëzve, që i ka pasur bashkëpunëtorë partia e tij në vjedhje vote, apo e bën për të bërë një lloj presioni ndaj gjykatësve, që mendon ende se nuk i ka. Kjo është për t’u parë, por asgjë të mirë nuk ka këtu, asgjë të shtetit ligjor nuk ka këtu, ka rritje të një autokracie, rritje të banditizmit të shtetit të kapur dhe pamja më e tmerrshme ishte e atyre me syve të zeza, që na nxori. Ku kemi parë për tre ditë! As në revolucionet që bënte partia komuniste. Dikush duhet ta shqyrtojë vendimin gjyqësor. Këta me syze të zeza duhet ta shqyrtojnë? Nuk mund të vendosësh ti me polici.
Në qoftë se reforma në drejtësi nënkuptonte vettingun e gjyqtarëve dhe kërkoi të ngrihen struktura të qëndrueshme. Edhe ndërkombëtarët i ktheu mbrapsht, atëherë më del që këtij nuk i mjafton ai vettingu i kontrolluar po i duhet një vetting edhe më i shpejtë për të eliminuar dhe kërcënuar gjyqtarët dhe për të bërë propagandë. Kuptim tjetër nuk i jap kësaj.
Nuk matet thjesht se çfarë thotë ambasadori amerikan por se sa kemi antikorpe. Kemi problem sa media e bëjnë punën e tyre për ta demanskuar këtë! Sa gjyqtarë të ndershëm thonë që kjo është e paligjshme. Edhe brenda policisë që janë njerëz të ndershëm dhe të depolitizuar që nuk pranojnë të tilla funksione. Dhe natyrisht edhe sa të ndershëm janë këta ndërkombëtarët. A janë viktimë të atyre politikave shqiptare që është një kulturë, mashtron ndërkombëtarët që të marrësh një legjitimimin prej tyre pavarësisht se e bën me gënjeshtra dhe bien ata viktimë dhe sa ata kanë interesat e tyre. Ose është mashtrim, sepse janë miopë ose është mbështetje për një regjim. Pse është kjo mbështetje?! Mos prit ndonjë ambasador që të flasë kundër qeverisë në Shqipëri. Ambasadorët nuk kanë këtë detyrë.
A keni parë ambasador që të vijë e të thotë që këtu është një vend që ka shumë probleme. Ata këtë punë kanë, ata kanë interesa të ndërsjella, mbështesin qeverinë. Të paktën heshtja duhet. Kur vjen puna tek mbështetja është e bazuar mbi interesat. Nuk është hera e parë që mbështeten regjime për interesa gjeopolitike.
Gazeta Panorama