Këlliçi publikon e-mailin tjetër: – Si u vodh buxheti i Tiranës duke paguar kompaninë e inceneratorit për punët publike
25 Prill 2024
Ditën e djeshme ju bëmë me dije se si funksiononte afera e dytë korruptive, brënda mega aferës së inceneratorit të Tiranës, afera e dherave. Nëpërmjet marrëveshjes të firmosur më 15 tetor të vitit 2018, pronari faktik i inceneratorit të Tiranës Erion Veliaj, duke përdorur drejtorët 5D, shantazhonte, kërcënonte dhe detyronte biznesin e ndërtimit për të paguar depozitimin e dherave, shumë e cila kalon vlerën e 60 milionë eurove. Para të cilat sigurisht kanë dalë nga xhepi i qytetarëve shqiptarë.
Sot, nëpërmjet një tjetër e-maili do ju faktojmë se Erion Veliaj përpara se të grabiste qytetarët e Tiranës dhe biznesmenët e ndërtimit, grabiti fillimisht buxhetin e Bashkisë Tiranë. Kontrata konçensionare e firmosur në vitin 2017, për të cilën Erion Veliaj dha miratimin në shkelje të Ligjit ‘Për vetqeverisjen vendore’ pa mare dakordësinë e Këshillit Bashkiak, hyri në fuqi në janar të vitit 2018.
Në 21 janar të vitit 2020, midis Denisa Tollkuçit dhe një zyrtari të Bashkisë Tiranë, komunikohet pikërisht për rakordimet e sasive të depozituara të mbetjeve dhe dherave. E më specifikisht, zyrtari i drejtohet Tollkuçit duke i thënë: ‘Referuar tabelës me të dhënat e vitit 2018, krahasuar me tabelën tuaj kemi diferenca… Shmangia besoj ka ndodhur për faktin se në 2018 pagesat e urdhëruara kanë konsideruar vetëm zërin mbetje urbane deri në muajin maj, pas këtij muaji ne kemi filluar të aktivizojmë pagesat sipas zërave ‘urbane, dhera, inerte’.’
Pra e thënë thjeshtë, sipas këtij komunikimi deri në muajin Maj, nuk kishte asnjë pretendim nga konçensionari për të aktivizuar një pagesë të re për zërin dhera/inerte. Pas këtij muaji nëpërmjet një veprimit kryekëput korruptiv, Erion Veliaj vendos që buxheti i Bashkisë Tiranë duhet të paguante për çdo punë publike tarifën për depozitimin e dherave në biznesin e tij. E sigurisht, oreksi vjen duke ngrënë. Pasi e pa si një mundësi të artë, për të vjedhur dhjetëra milionë euro shtesë, Veliaj në tetor të vitit 2018 vendosi këtë gjobë edhe për bizneset private.
Ditët në vijim, do të bëjmë publike disa marrëveshje të Bashkisë Tiranë ku aty do të kuptoni fare se këta janë qartazi një grup i strukturuar kriminal, të cilët në bashkëpunim kanë vepruar për të vjedhur buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve. Dokumente që bëjnë bashkë inceneratorin e Tiranës, bandën 5D, Taulant Tushën, Ilda Qazimllarin dhe kokën e këtij grupi kriminal, Erion Veliajn.
I bëjmë thirrje SPAK, të mos harxhojë më edhe një orë të vetme, por sot të sekuestrojë të gjitha asetet e këtij grupi të strukturuar kriminal, që fillon me inceneratorin e Tiranës, vijon me bandën e 5D dhe përfundon tek dhjetra e dhjetra apartamente në kullat më të rëndësishme të Tiranës. Apartamente të cilat Veliaj mund ti ketë përdorur dhe për të blerë influencë politike brenda Grupit Parlamentar të PS.
Ftoj sërish qytetarët e Tiranës, që ditën e nesërme, e premte, datë 26 prill, ora 11:00, të protestojmë përpara Bashkisë më të korruptuar në Europë, në mbrojtje të taksave tona, në mbrojtje të qytetit të Tiranës, pa harruar asnjëherë shëmbjen brutale të Teatrit Kombëtar si dhe vrasjen e Ardit Gjoklajt, për të cilin do të nxjerrim të dhëna të reja.
Nga OraNews