Kemi rritur buxhetin ne Kosove për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar. –
Kemi rritur buxhetin ne Kosove për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar. –
Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi për zbatimin e programit dhe politikave të trashëgimisë kulturore dhe punën e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.
Ministri informoi deputetët se që nga muaji shkurt kur ky Inspektorati ka filluar punën, ka bërë 21 inspektime, ndër to ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë në vend. Ai po ashtu u shpreh se MKRS ka përgatitur koncept-dokumentin për ligjin për trashëgiminë kulturore i cili do të procedohet në Kuvend.
Gashi theksoi se ka filluar zbatimi i programit për trashëgiminë sidomos në plotësimin e legjislacionit dhe se MKRS ka rritur buxhetin për trashëgimi.
“Sa i përket zbatimit të programit për vitin 2018 mund të them se kam pas një përkushtim të veçantë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, rritjes se buxhetit për institucionet vartëse dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve kapitale”, është shprehur ministri Gashi duke shtuar se “Rritja e buxhetit për vitin 2018 në programin e trashëgimisë kulturore është afërisht 1 milion krahasuar me vitin 2017 (që zbërthyer në përqindje i bie afërsisht 30%)”, ka thënë Gashi.
“Buxheti i vitit 2017, në projeksion kapital ka qenë 3.125.684€ kurse në subvencione 842.286 euro derisa ne vitin 2018 në projeksionin kapital 4.020.000 euro kurse ne subvencione është i njëjtë. Prioritet ka qenë themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, një detyrim ligjor ky i pa përmbushur për më shumë se një dekadë”, ka shpjeguar ministri.
“Bazuar në programin e punës në MKRS, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të kushtuar dhe përbën një nga sfidat kryesore të kësaj ministrie. Janë realizuar 12 projekte në ndërtesat me status të mbrojtjes kurse tek kërkimet në kuadër të trashëgimisë arkeologjike janë realizuar 19 projekte”, tha ministri.
Ministri ka njoftuar anëtarët e Komisionit edhe për përgatitjen e materialeve e dokumenteve të trashëgimisë kulturore. “Tek botimet janë realizuar 10 sosh. Një vëmendje e shtuar në kuadër të politikave programore i është kushtuar 14 projekteve në trashëgimin shpirtërore”, tha ai.
Kryetari i komisionit Ismail Kurteshi tha se përmes këtij takimi po tentohet të rritet bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Trashëgimisë Kulturore, agjenci kjo që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.
Në këtë takim u diskutua edhe për Këshillin e Trashëgimisë, të cilës pritet t’i kalojë mandati dhe duhet të përzgjidhen kandidatët e rinj për këtë Këshill.