“Kemi tri orë në dalje të Lezhës”, dëshmitë e udhëtarëve të bllokuar në rrugë: – Është emergjencë kombëtare

13.02.2021

Nga Arben Rrozhani

Qindra mjete dhe njerëz janë bllokuar prej orësh në rrugën Lezhë-Milot-Tiranë, afër fshatit Rrilë të Lezhës, prej nga vijnë pamje dramatike, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur situatën që po rëndohet me rënien e natës. Temperaturat janë ulur shumë dhe qindra udhëtarë rrezikojnë jetët, të bllokuar në rrugë, edhe pse nuk ka reshje dëbore, por shiu.

Qytetarët e bllokuar prej mëse tri orësh në afërsi të Lezhës, në një kolonë prej 10 kilometrash, thanë për gazetën “Shekulli” se gjendja po kthehet në emergjencë kombëtare, me fëmijë, gra e të moshuar, pa asnjë reagim të instancave shtetërore, siç duket edhe në këtë video të ardhur në redaksi.

Një situatë e tillë është gati në të gjitha akset rrugore të vendit, prej reshjeve të dëborës dhe ngricave.

Qindra  mjete dhe udhëtarë janë bllokuar edhe në rrugën Elbasan-Librazhd, në afërsi të Xibrakës, pasi rruga është bllokuar në mungesë të një borëpastrueseje.

Autoriteti Rrrugor Shqiptar fajësoi drejtuesit e mjeteve që nuk kanë vënë zinxhirë duke bllokuar rrugët dhe ndërhyrjen e pastrueseve të borës, por rasti i qindra njerëzve në dalje të Lezhës tregon se mungon reagimi shtetëror edhe për situata ku nuk ka kushte ekstreme të motit.

Gazeta Shekulli