Kënga popullore: gjinia më demokratike e folklorit.-
Kënga popullore: gjinia më demokratike e folklorit.-
Nga: Vaso Tole. –
Kënga popullore është quajtur gjinia më demokratike e folklorit. Kjo pasi, përmes një forme të thjeshtë, melodisë së bukur, vargjesh e ritmike të përshtatshme, krijuesi popullor shpreh natyrshëm brendinë e tij emocionale. Bartoku thoshte se kënga popullore kompozon vetveten, nisur nga fakti që secili që e këndon atë, heq ose shton diçka nga vetja, deri në përsosmërinë e saj.
Prej vitesh tregu muzikor është pushtuar nga një repertor këngësh që në pamje të parë duken si me rrënjë në traditë, por që në fakt nuk e njohin, respektojnë atë dhe trashëgiminë e madhe të saj. Asnjë filtër artistik, profesional, ligjor e institucional duket se nuk po i bën ballë këtij vërshimi të çuditshëm i cili serviret edhe si risi! Është më se e domosdoshme vendosja e disa parametrave përpara se kjo krijimtari të shkojë tek dëgjuesit. Arti muzikor nuk është thjesht çështje tregu por kryesisht vlere dhe identiteti.
Për më tepër, të sjella si krijime të reja, ato kanë kufizuar hapësirat e domosdoshme mediatike për artin e vërtetë muzikor popullor dhe për bartësit e tij me vlera.
Modelet se si duhet bërë siç duhet, aty janë.