Këngëtari: – Festivali i Këngës është i shitur, do e fitojë Elsa
9 Dhjetor 2023
Zbardhen prapaskenat e përplasjeve, hije skandali në Festivalin e Këngës! Konfliktet brenda ambienteve të RTSH-së përfundojnë në Gjykatë, këngëtari: Është i shitur, do e fitojë Elsa.
Prej disa javësh situata brenda RTSH duket e ngarkuar. Problemet e para dolën në pah, ku disa artistë u tërhoqën nga gara për Festivalin e fundvitit. Konkretisht, Samanta Karavella dhe Kejsi Tola hoqën dorë nga gara, duke bojkotuar kështu eventin më të madh muzikor.
Në një prononcim për Panorama, Samanta u shpreh se do të fliste pasi festivali të përfundonte. E teksa Festivali i RTSH, do edhe pak ditë të startojë, një tjetër emër është tërhequr nga ky kompeticion.
“Kështu flitet. Unë, emrin e Anxhelës e kam ditur që në maj. Emrin e Ronelës e dija nga qershori, që e ka fituar Ronela. Nuk e besoja, por kur dalin… Vjet, Albina ka qenë e paparashikueshme. Askush nuk e ka pritur, ka qenë një festival më ndryshe. Sivjet, flitet që e ka fituar Elsa. Mund të jetë ndonjë surprizë, por nuk është kjo arsyeja që kam ikur…”, tregon këngëtari.
Një arsye që ai u tërhoq është se, sipas tij, niveli i festivalit është shumë i ulët. Gjithsesi, edhe nëse e fiton Elsa Lila, Sardi u shpreh se nuk do ta kishte problem po ta meritojë:
“Është muhabet shumë i ulët. Kjo më erdhi keq, që festivali ka rënë në nivel kaq të ulët. Ta dish ti, cili është shkaku… Ndihem në siklet, do e them në një moment tjetër. M’u duk shumë joprofesional, nuk e meriton festivali që të ketë një nivel të tillë. M’u duk niveli i festivalit shumë i rëndë. i festivalit, jo i artistëve. Po e fitoi Elsa, në rast se e ka këngën e mirë aq sa vjet, ose edhe më të mirë, e meriton pa dyshim, jam fans i këngës vjet. Nuk më vjen keq edhe nëse do isha në garë me të, po thjesht ta meritojë”, përfundoi Sardi.
Por veç lajmeve që kanë dalë në media, një tjetër episode i pazbuluar ka ndodhur në ambientet e këtij televizioni. Protagonist ka qenë pikërisht regjisorja Arnita Beqiraj. Prej pak kohësh ajo kishte nisur punë në RTSH, punë e cila ka zgjatur vetëm pak kohë. Burime për Panorama, bëjnë me dije se mes Arnitës dhe drejtuesve të këtij institucioni, ka ndodhur një përplasje e fortë, për shkak të orareve.
Pas konflikteve, regjisroja është hequr nga puna, duke ndërprerë kështu bashkëpunim. E gjendur në këto kushte, bëhet me dije se Arnita, ka ngritur padi ndaj këtij institucioni, ashtu edhe si ndaj drejtuesve të RTSH. Tashmë çështja pritet që të zgjidhet në dyert e gjykatës, pasi regjisorja ka renditur një sërë akuzash.
Ndërkohë edhe gazetari i njohur i televizionit Bledi Strakosha nuk do të jetë më pjesë e Televizionit Publik Shqiptar, ku punoi për vite me radhë. Këtë e njofton vetë Strakosha në një postim në FB, ku sqaron arsyet se përse sipas tij, sot ai gjendet jashtë institucionit ku ka punuar kontribuuar prej vitesh.
“8 vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur. I vetmi emocion (i kuptueshëm kësaj radhe) vjen nga lidhja dhe afërsia shpirtërore imja me këtë institucion ku kam hyrë që fëmijë, ku kam mësuar ABC në e profesionit, ku jam formuar nga profesionistë të televizionit e të drejtimit të mediave. Që nga fillimi i viteve ‘90 kur nisa punën në RTSH, kam parë të kalojnë shumë emra të njohur të televizionit, siç kam parë të vijnë e të ikin drejtues dhe emërues drejtuesish; secili me shkallën e vet të përkushtimit, ndershmërisë, aftësisë, zgjuarsisë, qytetërimit.
Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur, ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira, apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr. Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment. E vetmja frazë që mund të shpreh është se i uroj RTSH-së një fat mesatar.
Së fundmi, gjej rastin të falënderoj nga zemra të gjithë ju që në këto 8 vite keni zgjedhur të më ndiqni apo edhe ju që në ekranin e RTSH-së e që në programet e mia keni ndalur rastësisht. Shumë falënderime tërë atyre personaliteteve të jetës shqiptare, të cilët kanë pranuar të jenë të ftuar në emisionet e mia, qoftë edhe kur e kanë bërë për miqësi apo si “qokë” personale”, shprehet ai.
Këngëtarja Samanta Karavella ka zbuluar arsyen e vërtetë se pse u tërhoq nga “Festivali i Këngës”.
Sipas saj, kënga ka qenë tepër ritmike dhe për këtë arsye nuk i është lejuar performanca, që siç u shpreh ajo do të krijonte një atmosferë në Pallatin e Kongreseve.
“Ka pasur shumë spekulime ndaj festivalit, për mua ishte një temë që nuk dua ta cekja aspak por kam një sqarim për publikun tim, që e ka pritur rikthimin tim në festival. Pjesëmarrja e parë ka qenë që 14 vjeç. Kënga që unë kam zgjedhur në festival, që e kam krijuar për 2 ditë sepse ishte ajo energjia që dua të shkoj, është një këngë me potencial dhe ritmike.
Kënga fillonte me ‘eagle’ (shqiponjë), edhe do krijonte atmosferë të paparë në “Pallatin e Kongreseve”, mua më ka mbetur shumë peng. E vërteta është që nuk m’u lejua performanca, dhe unë nuk mund ta këndoja atë këngë ritmike pa performancë. Këto ishin kriteret e festivalit këtë vit. Nuk iu lejua askujt”, tha këngëtarja në emisionin “Më ler të flas” në Tch.
Një koment, Samanta kishte edhe për hipotezat e hedhura se fituesi është paracaktuar.
“Këto janë spekulime, mediat e flasin gjithmonë, edhe kur bëhet fjalë për një artist me emër mund të ishte edhe emri im. Nuk di asgjë rreth kësaj, uroj që të jetë zgjedhja e publikut”, tha Samanta.
Gazeta Shqiptare