Kepi i Rodonit dhe plazhi i Hamallajt në rrezik/ Muret rrethuese të kalasë së Skëndërbeut ndodhet në det. – Rrezikohen edhe vilat turistike…
13 Dhjetor 2024
Erozioni rrezikon edhe Kepin e Rodonit dhe plazhin e Hamallajt. Gazetarët e emisionit Vetting në News24 kanë mbledhur dëshmi mbi atë se çfarë ka ndodhur në këto zonë në të paktën 34 vite e fundit, ku jo vetëm erozioni, por edhe dora e njeriut, po rrezikojnë dy prej zonave brendetare të Shqipërisë. Madje ekspertët paralajmërojnë se me ritmet e erozionit, vilat turistike në Hamallaj do të jenë nën ujë pas disa vitesh.
Kepi i Rodonit e ka marrë emrin prej perëndisë pagano-ilire Redon. Mendohet të ketë qenë stacion i flotës detare ilire. Shumë shekuj më pas prijësi i shqiptarëve Skënderbeu zgjodhi këtë vend si një shteg të lirë për të dalë në det pa u kushtëzuar nga venedikasit që kishin nën sundim gjithë vijën bregdetare.
Sipas historianëve, kalaja e Skënderbeut nisi të ndërtohej pas rrethimit të parë të Krujës. Muret e saj u përfunduan në 1452 nga mjeshtra venecianë që e ndërtuan me një gjatësi prej 400 metrash dhe me kulla të rrumbullakëta në majat e saj.
E konsideruar si perla sekrete bregdetit verior, e mbushur me histori, mite dhe legjenda antike, Kepi i Rodonit ndodhet seriozisht në rrezik. Pjesa më e madhe mureve rrethues gjendet tashmë në det si shkak i erozionit të detit Adriatik. Nga rrënojat sot ka mbetur në këmbë një pjesë shumë e vogël e një kalaje gjigande. Diku reziston ende një pjesës e murit të jashtëm të kalasë. Vizitorët e Kepit nuk mund të rezistojnë pa shkuar pranë kalasë dhe rrënojave të saj nën ujë. Një monument kulture që përveçse i rrezikuar nga erozioni, dora e njeriut në Kalanë e Skënderbeut i ka humbur asaj dinjitetin që i takon më shumë se 500-vjecarë. Sipas dekanit të fakultetit të pyjeve, në Universiteti Bujqësor Kamëz, Ervin Toromani, “Në Kepin e Rodonit është më tepër një fenomen natyror sesa një fenomen i shkaktuar nga dora e njeriut. Aty është një fenomen ku bashkohet veprimi i ujit dhe erës. Erozini aty shkaktohet nga era që përplas dallgët e detit me bregun dhe me sipërfaqe toke bujqësore, por edhe me pemë. Është një problematikë, natyrisht duhet të adresohet, duhet të ndërtohen barriera mbrojtëse për të penguar avancimin e detit në sipërfaqe të tokave bujqësore dhe bregut që po gërryen vazhdimisht.”
Lehtësisht vihen re gjurmët e gërryerjes detare në fund të Kepit të Rodonit. Duke ecur pak metra me këmbë në këtë vijë bregdetare sheh dëmtimet që janë bërë nga “sulmi” i detit, ku bregu më rërë ngushtohet gjithnjë e më shumë ndërsa kodra gërryhet.
Plazhi i Hamallaj
Banorët e zonës por edhe specialistët thonë se më shumë se 300 metra vijë tokësore në të gjithë bregun duke përfshirë edhe Gjirin e Lalzit pak kilometra më tej, janë gërryer nga deti. Ekspert Mjedisit Endri Haxhiraj shprehet për “ Vetting” se “ veprimtaria e njerëzve në zonat bregdetare shqiptare ka ndikuar negativisht. Marrja ndonjëherë e inerteve pranë lumenjve ka bërë që prurjet të jenë më masive të dherave, apo heqja e rërës në zona të ndryshme. Ndërhyrja pa kriter në vijën bregdetare për shumë vite me rradhë mund të ketë ndikuar negativisht në këtë fenomen.
Deti ka përpirë sipërfaqe të mëdha toke, por shqetësimi i banorëve mbetet neglizhenca që i është bërë nga shteti i cili nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar këtë fenomen. Sipas Ervin Toromanit, dekan në Fakultetin e Pyjeve në Universitetin Bujqësor, para viteve 1990 pothuajse në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka patur brez me pisha të cilat kontribuonin për mbrojtjen e tokës. Por pas viteve 1990, në zonën e Hamallaj dhe shkëmbit të Kavajës, nisën ndërtimet pa kriter duke shkatërruar brezin mbrojtës që ishte krijuar me pemë. Profesori shprehet se fajtor për erozionin në këtë zonë, është njeriu i cili ka shkatërruar natyrën për ta zëvendësuar me komplekse turistike dhe banesa.
Sipas dekanit Universiteti Bujqësor Kamëz Ervin Toromani, “para viteve 1990 në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka qenë një brez i ndërtuar me pisha të karakterit mesdhetar, kryesisht pisha të egra dhe të buta. Efekti kryesor i tyre ka qenë të parandalohej dhe mbrohej toka, por edhe të pengoj erërat e fortë detare që hynte në brendësi të territorit që mund të dëmtonin kulturat bujqësore apo të shkaktonin edhe dëme të tjera. Pas viteve 1990 ndërtimet pa kriter që janë bërë sidomos në zonën e Shkëmbit të Kavajës ose në Hamallaj komplekse të ndryshme turistike të ndërtuara kanë krijuar problematikë duke e shkatërruar këtë brez mbrojtës. Duke prishur këtë lloj barriera të krijuar artificialisht nga njeriu dhe duke shkaktuar dëmtime të shumta.”
Ndërsa eksperti i mjedisit, Endri Haxhiraj, paralajmëron se pas disa vitesh në Hamallaj vilat turistike do të jenë nën uji për shkak të erozionit detar. Sipas tij “E njëjta gjë shihet edhe në zonën e Hamallajt, ku janë edhe vilat turistike, aty ka përparim shumë të madhe të detit, humbja e sipërfaqes së rërës çdo vit. Ne parashikojmë që gjithë këto investime në breg të detut, pas disa vitesh të jenë nën nivelin e ujit, çfarë e bën këtë sitiuatë alamamante.”
Të njëjtën gjë duket se ka pësuar edhe bregdeti i Golemit, ku deti ka nisur të gërryej tokat bujqësore. Sipas ekspertit të mjedisit Endri Haxhiraj edhe pse bizneset privatë kanë nisur të reagojnë duke investuar për tu mbrojtur nga erozioni detar, kjo nuk është e mjaftueshme. Por duhet një studim i mirëfilltë dhe investim i cili do t’i shërbej gjithë zonës bregdetare. Kjo “ Veçanërisht për zonën e Golemit dëmi për shkak të përparimit të detit është rreth 100 metra, në harkun kohor të 10 viteve të fundit. Gjithashtu duhet një bashkëpunim me komunitetin, midis publikut dhe biznesit që ne e sugjerojmë dhe duhet të kryhet. Biznesi aktualisht po hedh para duke ndërtuar vetë valëthyes apo duke ndërtuar vetë diga në disa zona të caktuara për shembull në bregdetin e Golemit duke i bërë këto investime të pakonsultuara. Ata po hedhin financojnë por për të qenë efikas ky investim, duhet të ndërveprojë me shtetin për të arritur zgjidhjen përfundimtare më të mirë dhe në interes të komunitetit”.