24 Janar 2024
Nga Agon Rrezja.
Reagimi i Vëllazërisë së Manastirit të Deçanit ndaj artikullit tim “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale”, dëshmon se murgjit e Manastirit do të duhej të jenë më të gjerë në literaturë e njohuri kishtare, sidomos të mesjetës së hershme, pasi ky keqinformim për vetë besimtarët serb-ortodoksë mund të shkaktojë hutime të cilat bien në injorancë e cila kalon pastaj në urrejtje ndëretnike
Pas publikimit të shkrimit tim “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale” në Shtojcën për Kulturë të gazetës “Koha Ditore” më datën 07.01.2024, Vëllazëria e Manastirit të Deçanit, e indinjuar dhe e mllefosur ndaj punimit tim, siç thotë ajo në prag të Krishtlindjes ortodokse, ka reaguar fillimisht në faqen e vet në X, “Dečani Monastery”, reagim i cili pastaj është botuar në gati krejt mediat në Serbi

E nis në gjuhën angleze duke akuzuar gazetën “Koha Ditore” për “joobjektivitet dhe joprofesionalizëm gazetaresk dhe përhapje të urrejtjes ndëretnike”. Gazeta në fjalë është një prej burimeve më produktive të informacionit, e cila qysh nga vitet ’90 dha kontribut të madh duke e informuar popullatën e Kosovës nën okupimin serb të Sllobodan Millosheviqit, kasapit të Ballkanit. Kjo gazetë pas çlirimit definitiv të Kosovës më 1999 e deri më sot, është ndër më objektivet dhe më profesionalet në nivel vendi me gazetarë të përkushtuar, hulumtues të shumë sferave të ndërlikuara në shtetin tonë e deri te dashamirësia ndaj historisë dhe kulturës në përgjithësi. Jo rastësisht, 20 vjet “Shtojca për Kulturë” u bë emblemë e informimit kulturor të qytetarëve të Kosovës.

Në pasazhin e dytë, Vëllazëria vazhdon me kritikë, duke shkruar “për hir të së vërtetës historike Kisha e Eleousës Panagia/Bogorodica Ljeviška është kishë lindore bizantine e shekullit 11 (XI)”. Ky argument bie poshtë, pasi që vetë historiani i artit, Sllobodan Nenadović, në veprën monografike “Bogorodica Ljeviška”, në gjuhën serbe, botuar më 1963 në Beograd nga autori i cili ka qenë restaurator pjesëmarrës gjatë hulumtimeve në vitet e 50-ta, konkludon se në bazë të gjetjeve të mureve dhe të artefakteve, kjo kishë ka kaluar në disa faza që nga ajo e antikitetit të vonë, pastaj epokën e Justinianit, e deri në fillim të shekullit XIV kur u restaurua nga Millutini II në vitin 1307. Pra vëllazëria e ashtuquajtur e Deçanit bie ndesh me vetë argumentet e studiuesit serb, Nenadović. Ndër të tjera, gjatë gërmimeve arkeologjike në kishë është gjetur një monedhë e perandorit bizantin Roman Lekapenit I që ka sunduar gjatë shekullit X dhe ku Kosova e sotme, Dardania e atëhershme, kishte qenë pjesë e Perandorisë Bizantine.

Më tej thotë se “kisha shërbeu si dioqeza më e madhe për peshkopët kristianë ortodoksë serbishtfolës të lidhur me dinastinë nemanjidase”. Është fakt se pas pushtimit brutal të Kosovës nga mbreti Millutin II – i cili shkatërroi të gjitha qytetet dhe objektet e kultit që kishin të bënin me Bizantin – rifilloi mbindërtimin me gurët e gërmadhave të shkaktuara nga ushtria serbe për t’iu dhënë identitetin personal të tij e me të erdhën edhe kolonët priftërinj serbë rashianë të cilët i shërbenin politikës centraliste të mbretit serb, Millutinit. Prizreni nuk ka qenë kryeqendra e Millutinit dhe as e sunduesve të tjerë, pasi ata nuk kishin një kryeqendër të vetme. Sundimtarët nemanjidas lëviznin apo e bartnin kryeqendrën e tyre nga njëri vend në tjetrin, gjë që dëshmon paqëndrueshmërinë e tyre politike dhe administrative. Në bazë të studimeve të sotme bizantine, kjo familje ndryshe quhet edhe si “Bloody family” (familje gjakatare), ku vëllezërit derdhin gjakun e njëri-tjetrit, ndërkaq i biri e verbëron të atin e tjetri e vret.

Pastaj Vëllazëria shkruan se “nuk ka të dhëna konkrete të shkruara për çfarëdo kishe etnike dardane”. Ky pasazh tregon qartë se kleri ortodoks serb në Kosovë i shkolluar në shkollën e tyre “Bogosllavia” në Prizren, e pastaj në Beograd dërgohet me mision special për të vazhduar me mitin serb për Kosovën edhe në kohën e tanishme postmoderne-demokratike.

Sipas hulumtimeve të teologut të ndjerë, studiuesit Gaspër Gjini në librin e tij “Ipeshkvia Shkup-Prizren”, argumentohet se përmes burimeve latine, organizimi kishtar në Dardani kishte filluar në deceniet e para të shekullit IV kur feja krishtere u zyrtarizua nga perandori Konstantini i Madh. Ndërkaq, Prokopi i Cezaresë historiani i oborrit të Justinianit, kur flet për restaurimet dhe ndërtimet e qyteteve dardane që u prekën nga tërmeti i vitit 518 në veprën e tij “De Aedeficis”, përveç se potencon që Justiniani ishte nga vendi Tauris “diku te dardanët evropianë”, shton se “ai themeloi këtu pranë një qytet madhështor që e quajti Justiniana Prima” që sipas studiuesve është në afërsi të Shkupit të sotëm, ndërkaq në lidhje me organizimin kishtar shkruan se “jo vetëm u ngrit në dinjitetin e metropolit, por u zgjodh edhe si qendër e kryepeshkopit të ilirëve”. Fraza e fundit “kryepeshkopit të ilirëve” nënkupton se Prokopi e ka pasur fjalën pikërisht për kishën e dardanëve, institucion kishtar i zyrtarizuar në Novelën XI të lëshuar nga Justiniani, arqipeshkvit Katelian për organizimin e vikariatit të Dardanisë për të cilin Papa Vigjili u pajtua duke e legalizuar Novelën XI me ç’rast i jep autorizime të mëdha jo vetëm për provincën e Dardanisë, por për të gjithë Ilirikun Lindor.

Vëllazëria në fjalë, si duket nuk di t’i lexojë numrat romakë apo “google translate” i ka mashtruar?! Kur e kam përmendur shndërrimin e kishës në xhami, kam thënë se ajo është konvertuar në shekullin XVIII (1754) dhe jo në shekullin XVII.

Në lidhje me gjithë këtë, mendoj se murgjit e Manastirit të Deçanit do të duhej të jenë më të gjerë në literaturë e njohuri kishtare, sidomos të mesjetës së hershme, pasi ky keqinformim për vetë besimtarët serb-ortodoksë mund t’u shkaktojë hutime të cilat bien në injorancë e cila kalon pastaj në urrejtje ndëretnike. Studiuesit shqiptarë, ka dekada që janë përballur me historiografin serbe qysh në vitet ’70 e sidomos pas demonstratave të studentëve shqiptarë të vitit 1981, ku profesorë të respektueshëm të ndjerë, si rasti i dr. Muhamet Tërrnava që u fut në burg dhe u keqtrajtua fizikisht për çka mbeti me pasoja shëndetësore pikërisht në mbrojtjen e tezës për popullsinë e Kosovës në mesjetë, si dhe dr. Skënder Rizaj, i cili u suspendua me pensionim të parakohshëm dhe përjashtim nga Universiteti i Prishtinës në vitin 1985, kur argumentoi në Manastirin e Deçanit se ky manastir është në rend të parë i arbërve mesjetarë, shqiptarëve të sotëm.

Andaj me sa u tha më lart, Kisha e Shën Premtës në Prizren është kishë universale në të cilën do të duhej të jenë të gjithë hisedarë konform ligjeve kanonike dhe ligjeve ndërkombëtare në një botë të qytetëruar demokratike.

Gazeta Koha, Prishtinë