Kërpaçi justifikon humbjen e LSI dhe sulmon Bashën: – Shqiptarët nuk shihnin forcë karakteri te kunat-Luli, vijoi marrëveshjen e 17 majit me Ramën

20 Nëntor 2021

Deri para 25 prillit, ishin bashkë, por tani më sulmi ndaj Ilir Metës, ka “zgjuar” edhe LSI-në, të cilët në sintoni me njëri-tjetrin, kanë vijuar sulmet e njëpasnjëshme. Së fundmi është ish-deputetja Floida Kërpaçi e cila thotë se Basha është një lider pakarakter, që ka shitur kauzat e opozitës, e ndërsa shton se kryedemokrati ka vijuar marrëveshjen e 17 majin me Edi Ramën, duke  cilësuar si një vijimësi e paktit sa i përket që nga djegia e mandateve deri te protestat në rrugë,

“Ja iku Rama, po kush do vijë? Në demokraci kjo pyetje nuk ka vend, mirëpo në fasadë-demokracinë shqiptare, rezulton e kundërta. Jemi përballur me këtë presion nga qytetarët në çdo ditë të aksionit opozitar 4 vjeçar dhe fushatës elektorale që lamë pas. Njerëzit donin ndryshimin, e megjithatë shikonin tek lidershipi i opozitës, një kopje të shëmtuar të së keqes në pushtet.

Shqiptarët nuk shikonin forcë karakteri dhe vullnet për të mbrojtur interesat e tyre, por shitje të kauzave dhe papërgjegjshmëri për fjalën e dhënë. Kjo është trashëgimia e kunat-Lulit si kreu i opozitës së bashkuar dhe arsyeja kryesore pse opozita në tërësi dhe LSI si mbështetëse pa kompromis të Opozitës së Bashkuar, morën atë rezultat në zgjedhjet e 25 Prillit. Për më tepër, duke ndjekur deklaratat me regji nga kampi i PD drejtuar LSI, nuk kam gjetur asgjë të përbashkët me çfarë diskutohej në mbledhjet e grupeve parlamentare PD-LSI, si pjesë e opozitës së bashkuar. Luli nuk mund të fshihet pas aleatit, sepse nuk e detyruam ne të vijonte 17 Majin, të digjte mandatet, të bojkotonte zgjedhjet, të godiste institucionet, të shkaktonte protesta dhe pastaj të linte opozitarët rrugëve nëpër komisariate”, shkruan Kërpaçi.

Gazeta Shqiptare