24 Dhjetor 2024

Vetting/ Armand Kullau

Vitet e fundit Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare po has vështirësi financiare në menaxhimin e procesit të prodhimit dhe shitblerjes së energjisë elektrike. Vështirësitë kanë ardhur jo vetëm për shkak të krizës energjitike, e cila tashmë ka përfunduar, por për shkak të keqmenaxhimit, duke krijuar mundësi pasurimi për kompanitë private dhe zyrtarët e lartë, afera të cilat kanë krijuar gropën financiare në buxhetin e KESH-it.

Për të kuptuar më shumë rreth këtyre problemeve që rëndojnë mbi buxhetin e familjeve shqiptare, “Vetting” i bëri kërkesë për informacion KESH-it për pasqyrat financiare 2021, 2022 dhe 2023. Në përpjekje për të mbuluar të vërtetën, fillimisht administrata e KESH-it deklaroi se nuk i kishte gati pasqyrat financiare, edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për ti bërë publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në këtë rast, “Vetting” bëri ankesë te Komisioneri për të Drejtën e Informimit për të siguruar informacionin publik. Përfaqësuesit e KESH-it deklaruan se i kishin dorëzuar pasqyrat financiare te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por nuk kishin asnjë argument ligjor për të shpjeguar arsyet që nuk i bënin publike informacionet për bilancet e kompanisë. “Vetting” ka zbuluar se në mars 2021 KESH ka lidhur një kontratë me afat 3-vjeçar për auditimin e pasqyrave financiare 2020, 2021 dhe 2022 me kompaninë “ERNST & YOUNG – EKSPERTE KONTABEL TE AUTORIZUAR” dega në Shqipëri, e cila rezulton në pronësi të shtetasit maqedonas Vladimir Sokolovski. Pra, nga ky informacion është e qartë që Koorporata i ka dorëzuar bilancet te kompania private për të kryer dhe procesin e auditimit.

Sipas përfaqësuesve të KESH-it, Koorporata akoma nuk ka çertifikuar rezultatet pasi është në proces auditimi nga kompania “ERNST & YOUNG – EKSPERTE KONTABEL TE AUTORIZUAR”, e cila tashmë duhet ta kishte mbaruar auditimin pasi afati për kontratën me vlerë 261 milionë lekë skadonte në 17 mars 2024. Në linjë telefonike me gazetarin e “Vetting” përfaqësuesi i kompanisë “ERNST & YOUNG – EKSPERTE KONTABEL TE AUTORIZUAR”, Mario Vangjeli deklaroi se kompania është në momentet e finalizimit të pasqyrave të KESH-it dhe vonesat lidhen me krizën energjitike të vitit 2022 dhe ndryshimet në modelin e tregut.

Disa ditë mbas seancës dëgjimore, në 6 dhjetor 2024 Komisioneri Besnik Dervishi gjobiti Drejtoren e Departamentit Ekonomik të KESH-it Klodiana Guci për mosdhënie të informacionit publik dhe vendosi masa të tjera.

“Urdhërimin e Autoritetit Publik (KESH) për vënien në dispozicion të dokumentacionit sipas kërkesës për informacion datë 16.10.2024, konkretisht për pikën e parë:Pasqyrat financiare për vitet ushtrimore 2021, 2022, 2023″, shkruhet në vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishi.
Në vendim ndër të tjera, Komisioneri e urdhëron Koorporatën që të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar brenda datës 16 dhjetor 2024.

Sipas deklaratës zyrtare nga Prokuroria e Posaçme për “Vetting”, prej 21 tetorit 2021 KESH dhe kompanitë e tjera publike që operojnë në sektorin e energjisë elektrike janë nën hetim nga SPAK sipas procedimit penal numër 275 për shpërdorim detyre.

BalkanWeb