“Këshilli i Mandateve mblidhet të hënën për Olta Xhaçkën”, debat në Konferencën e Kryetarëve
3 Prrill 2024
Mbledhja e Këshillit të Mandateve do zhvillohet të hënën lidhur me çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Ndërkohë që nuk ka munguar debati në Konferencën e Kryetarëve mes kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Bardhi i është drejtuar Nikollës duke i thënë se mos zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përbën vepër penale.
Nga ana tjetër, Nikolla ka deklaruar se të hënën do të mblidhet këshilli i mandateve për këtë çështje për të vijuar procedurën.
Pjesë nga debati:
Bardhi kryetares së Kuvendit: Të kujtoj se mos zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përbën vepër penale. Në shkelje të Kushtetutës ju si kryeparlamentare dhe si mazhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerr justifikime absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese, është praktik e njohur por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një here tek këshilli i mandateve ku vendimet e këtij këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit ne Kushtetuese.
Nikolla: Të hënën do të mbledhim këshillin e mandateve për këtë çështje për të vijuar procedurën.
Bardhi: Procedura thotë se çështja do duhet të vijë në Kuvend. Por ju kërkoni ta zvarrisni.
Gazeta Dita