
Këshilltari i Edi Ramës njoftoi Sali Berishën për largimin e Engjell Agaçit, kryeministri në hall nga dekonspirimi i…
4 Mars 2025
Qeveria “Rama” duket se është përfshirë nga një përplasje e paprecedentë, duke ekspozuar kështu një rrjedhje informacioni që ka vënë në siklet vetë kryeministrin Edi Rama. Burime të sigurta tregojnë se Baton Haxhiu, një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit dhe që njohet edhe si këshllitari i tij mediatik, dyshohet se ka informuar Sali Berishën për largimin e Engjëll Agaçit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Ky lajm ka bërë që Rama të përjetojë një nga momentet më të vështira të qeverisjes së tij, duke u ndjerë i tradhtuar nga njerëzit e tij më të afërt. Largimi i Agaçit ka ngritur dyshime të mëdha.
Nga njëra anë, zyrtarisht qeveria pohon se ai ndodhet jashtë vendit për arsye shëndetësore, por nga ana tjetër, opozita pretendon se ai është larguar për të shpëtuar nga arrestimi i mundshëm nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Berisha, duke iu referuar një burimi të brendshëm, e cilësoi largimin e Agaçit si “arratisje”, ndërsa shtoi se zyrat e kryeministrisë janë përfshirë nga një frikë e madhe, duke pritur “tringëllimat e hekurave”. Në mes të kësaj situate, Rama ka dalë publikisht në mbrojtje të Agaçit, ashtu siç bëri me Erion Veliajn pak para arrestimeve të fundit. Kryeministri u përpoq ta paraqesë largimin e tij si një çështje thjesht shëndetësore, ndërsa nuk kurseu etiketimet për kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë, duke i cilësuar si “këneta”, “bufa”, “bretkosat” dhe “zhapikët”. Kjo retorikë e ashpër tregon, se Rama e ndjen presionin dhe po përpiqet të mbrojë njerëzit e tij me çdo kusht.
Por ajo që e ka tronditur më shumë kryeministrin është dekonspirimi i informacionit te kundërshtarët. Fakti që Berisha ka qenë i informuar që në momentet e para për largimin e Agaçit tregon se brenda radhëve të mazhorancës ka një rrjedhje serioze të të dhënave, duke e vënë Ramën në siklet dhe në hall të madh. Dhe pikërisht këtu hyn në skenë Baton Haxhiu. I njohur për lidhjet e tij të ngushta me Ramën, por edhe për marrëdhëniet e tij të hershme me Berishën, Haxhiu duket se ka luajtur një rol të dyfishtë. Lajmi për largimin e Agaçit u publikua në “Albanian Post”, një media e lidhur ngushtë me të, duke e bërë de facto të konfirmuar informacionin e rrjedhur. Ky zhvillim ka krijuar një panik të madh brenda qeverisë. Rama e di mirë që nëse dekonspirimi i këtij informacioni ka ardhur nga njerëzit e tij më të afërt, atëherë ai nuk mund të ndihet më i sigurt.
Dyshimet e tij tashmë janë të drejtuara jo vetëm nga opozita dhe drejtësia, por edhe nga njerëzit që e rrethojnë. Ndërkohë, emërimi i Vilma Gurit si zëvendësuese e Agaçit ka ngjallur edhe më shumë spekulime. A është kjo një lëvizje e përkohshme, apo një sinjal që Rama po përgatitet për një epokë të re pa disa nga figurat e tij kyçe? Dhe më e rëndësishmja, sa e rrezikuar është mazhoranca e tij nga rrjedhjet e informacionit që mund të vijnë nga brenda radhëve të saj? Të gjithë këto pyetje presin të marrin përgjigje ditët në vijim. Megjithatë një gjë është e sigurt, se, ky dekonspirim ka hapur një betejë të re brenda mazhorancës dhe ka ekspozuar frikën e madhe që ka kapluar qeverinë. Me SPAK-un që po lëviz gjithnjë e më afër figurave të larta të pushtetit, me tensionet brenda radhëve të Partisë Socialiste dhe me informacione që po dalin nga brenda, Edi Rama duket se po përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij politike.
Akuzat e opozitës për Agaçin, Rama: U mor ‘peng’ nga këneta
Konkretisht kryeministri Edi Rama reagoi dje në rrjetet sociale ndaj akuzave të opozitës lidhur me gjendjen shëndetësore të Engjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, i cili ka kaluar një operacion të rëndë në Itali. Rama e quajti opozitën dhe mediat të lidhura me të “kënetë”, duke sulmuar ata që shpifin dhe përdorin këto situata për të sulmuar figurën e Agaçit. Ai përmendi vështirësitë shëndetësore të Agaçit, duke e cilësuar atë si një person të integruar dhe të nderuar, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë pas operacionit. Rama gjithashtu kritikon ashpër opozitën për sulmet ndaj tij dhe qeverisë, duke e konsideruar këtë një të keqe të madhe për Shqipërinë, duke thënë se “nuk mund të ketë drejtësi pa e larguar llumin nga politika”. “Dua të ndaj diçka revoltuese me ju. Këneta është përballë një thatësie të madhe.
Maji do të jetë përvëlues për të dhe bufi i kënetës e di këtë më mirë sesa kushdo tjetër. Llumi helmues i kënetës që ka mbetur nga ajo që lindi si partia evropiane do të mbiprodhohet deri në ditën çliruese të 11 majit dhe zhaurime e atij kolektivi speciesh të ulëta do të shqetësojë dynjanë. Këneta ka marrë peng Engjell Agaçin, gruan, vajzën, nënën e tij të mrekullishëm, familjen, me ferman të bufit që e shpalli një person në arrati nga drejtësia. Me tam tamet e mushkonjave të kënetës që hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK në kryeministri e marrjes së lap topit dhe e syrit që tu dali bashkë me syrin e bufit.’, tha Rama.
Berisha i përgjigjet Ramës
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur dje menjëherë kryeministrit Edi Rama në lidhje me Engjëll Agaçin, për të cilin Rama thotë se është në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndryshe nga Rama, Sali Berisha pretendon se Engjëll Agaçin e kanë fotografuar nëpër kafene në Romë. Berisha deklaron i bindur se sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit i kanë konfiskuar laptopin, ndërsa thotë se nëse ai është i sëmurë “Rama le të publikojë spitalin ku ai po kurohet”. Engjëll Agaçi ka një muaj që është zhdukur, është zhdukur. Nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Po të ishte se, është e vërtetë, ai tregon spitalin, klinikën. Të pyes pak unë këtu Edi Ramën. Po zotrote kur hoqe zorrën qorre, ç’të shtyu ty të botosh fotografinë ditën e dytë të operacionit, apo ditën e parë. Pse ti operacionin në trupin tënd nuk e mbajte sekret, por e nxore në publik dhe na mbajte dy javë rresht zorra qorre, sa të doli në gojë. Kurse tani për Agaçion, sekret spitali, sekret largimi dhe jo vetëm kaq.
Por jo vetëm kaq, por emërohet Vilma e pushuar nga Ambasada e SHBA për fshehje akti kriminal, të një punonjësi tjetër, dihet. Ka fshehur, dhe kjo njeri e papërgjegjshme që pushohet nga ambasada e SHBA me të drejtë, sepse ka fshehur një akt dhune, jo punonjës të ambasadës, por ndaj një punonjësi ndaj nje tjetri, ka fshehur dhe shkarkohet për këtë punë, nuk e di ca pozicioni kishte, ajo merret tani dhe emërohet në vend të Engjëll Agaçit. Atëherë, sigurisht që Edi Rama do ta donte krejt ndryshe Engjëll Agaçin, me këto që po shoh unë, por e vërteta është se, dy të zhdukur janë në Shqipëri, Engjëll Agaçi dhe Martini. Këta nuk kanë gjurmë të dy, nuk ka të zhdukur të tjerë. Nuk kam idenë se ka të tjerë të zhdukur, nëse keni më thoni. Pra janë dy të zhdukur, të dy të lidhur me Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Qëndrimi i Berishës dhe Haxhiut
Ndërkaq kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha pretendon se Sekretari i Përgjithshëm në Kryeministri, Engjëll Agaçi ka dorëzuar përkohësisht detyrën. Ai ka bërë një status në rrjetet sociale para disa ditësh, ku ka publikuar denoncimin e një qytetari. Sipas tij, ai është zëvendësuar nga Vilma Guri, pasi ka ikur për kurim jashtë. Por Berisha e lidh me drejtësinë. “Don Agaçio arratiset! Ai zëvendësohet nga Vilma Guri. Arratisja është bërë me urdhër të Ramës. Ai do arrestohej ndaj iku për kurim! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital! Si je Doktor! Po të jap një info! Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit Agaci ka ikur nga KM dhe është zëvendësuar e komanduar Vilma Guri. Është larguar me pretekstin për tu kuruar jashtë, po në ambientet e brendshme flasin qe ka ikur për të mbrojtur veten. Në korridoret dhe zyrat e kryeministrisë ndjehen tringëllime hekurash. Nuk punon njeri, ka tmerr. Janë sekuestruar me kuintal dokumente. Klm”, shkruan Berisha, i cili tanimë prej disa ditësh çështjen “Agaçi” e përmend shpesh. Nga ana tjetër, Këshllitari i Ramës, Baton Haxhiu reagoi për largimin e Agaçit në të njëjtën ditë me Berishën, madje ai e beri edhe fakt te kryere zëvendësimin e tij përmes një lajmi në protalin e tij “Albania Post”.
“Në një botë ku shumë njerëz të jashtëzakonshëm mbeten në hije, Vilma Guri është një shembull i gjallë i asaj që do të thotë të jesh një profesioniste me rezyme dhe ekspertizë të hatashme. Për më shumë se dy dekada, ajo ka punuar në sfida komplekse që kërkojnë mençuri, vendosmëri dhe integritet të palëkundur. Aktualisht ajo është në rolin e këshilltares, por nga burime të Albanian Post, kuptohet se mund të marrë pozitën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Ministrave në një mandat tjetër eventual të kryeministrit Edi Rama. Ky, një vendim që jo vetëm do të reflektonte vlerësimin e aftësive të saj, por edhe do të sillte një shpresë të re për forcimin e institucioneve të vendit. Emërimi i saj në Kryeministri nuk do të ishte vetëm një zgjedhje e zgjuar- por një hap i domosdoshëm për të garantuar që institucionet shqiptare të drejtohen nga njerëz që dinë çfarë bëjnë dhe që e vendosin vendin mbi interesat personale. Shqipëria ka nevojë për këtë lloj lidershipi, dhe Vilma Guri është një nga ata pak njerëz që mund ta ofrojnë”, thuhet në artikull.
Gazeta Sot