Kështjella 2.800 vjet e vjetër në Turqi – dëshmi për mbretërinë e zhdukur
Kështjella 2.800 vjet e vjetër në Turqi – dëshmi për mbretërinë e zhdukur
Kështjella besohet se daton që nga Mbretëria Urartu, e cila dikur shtrihej në Anadollin e sotëm Lindor
Dikush mund të mendojë se është e vështirë të humbasësh një kështjellë. Por, javën e kaluar, përderisa ishte në një ekspeditë, një ekip arkeologësh vuri re një kështjellë të tillë në lindje të Turqisë, ka bërë të ditur “Anadolu Agency”. E vendosur midis maleve të rrethit Gürpinar të provincës lindore Van, kalaja qëndron në 5 mijë e 200 metra lartësi mbidetare. Atje, ekipi gjeti mure antike, një cisternë për ruajtjen e ujit dhe më tej brenda terrenit disa fragmente qeramike. Megjithëse struktura nuk është e paprekur, gurët e grumbulluar ofrojnë skica të themeleve dhe mureve të mëparshme. Gjatë periudhës mesjetare, kalaja 2 mijë e 800-vjeçare – sipas Rafet Çavuşoğlu, drejtues i ekipit të gërmimeve e profesor i arkeologjisë në universitetin “Van Yuzuncu Yil”, i cili sponsorizoi projektin e gërmimit – u ripushtua.
Kalaja besohet se daton që nga Mbretëria Urartu (e njohur edhe si Mbretëria Van), e cila dikur shtrihej në Anadollin e sotëm Lindor.
Mbretëria Urartu ishte jetëshkurtër, duke filluar nga afërsisht viti 860 para erës sonë, e deri në vitin 590 para erës sonë. Fundi i mbretërisë ishte misterioz. Shumica e burimeve mbi Urartunë janë shkruar nga asirianë ose armiq të tjerë të Urarturit. Suksesi i tyre i shkurtër ishte gjatë rënies së përkohshme të Perandorisë Asiriane në shekullin e tetë para erës sonë. Mbreti urartian, Ishpuini, pushtoi qytetin antik Musasir, i cili do të bëhej kryeqyteti i shenjtë i Mbretërisë.
Dihet pak për historinë e qytetit, veçmas pasi një dërgesë e artefakteve nga Musasir humbi në vitet 1850.
Kishte një zbulim tjetër të artefakteve të kësaj mbretërie në vitin 2014. “Live Science” ka raportuar zbulimin e bërë nga fshatarët në Irakun Verior, disa shtylla që përshkruanin zotin suprem të urartianëve, Haldin. Këto besohet se i përkisnin një tempulli të vendosur në Musasir (megjithëse datimi sugjeron se mund të ishte bërë pas rënies së Urartunit kur asirianët u kthyen në fuqi).
Gërmimi i kalasë, në fund të fundit, shënon një mundësi të rrallë për të mësuar më shumë rreth historisë së errët së mbretërisë së humbur. Veçmas edhe për faktin se ishte e njohur për prodhim cilësor në art. Ani pse nevojiten më shumë kërkime për ta përcaktuar funksionalitetin e kalasë, kryetari i bashkisë së Gürpinarit, Hayrullah Tanis, ka thënë për “Anadolu Agency” se gjetja ia rrit pasurinë krahinës dhe zgjeron ofertën për turizëm kulturor.