Kështjella e Keqekollës – Kosove. (album foto).
Kështjella e Keqekollës (album foto).
Kështjella Antike e Keqekollës ndodhet në perëndim të fshatit, në vendin e njohur si Gjytet dhe Kala, e ngritur mbi një kodër me pozitë të jashtëzakonshme strategjike, 864 m mbi nivelin e detit. Kështjella në verilindje kufizohet me rrugën malore që lidhë terrenin malor e kodrinor me fshatin Keqekollë. Në anët jugore dhe lindore kufizohet me ledhet e jashtme të mureve rrethuese. Në veri ledhi i tretë kufizohet me hendekun mbrojtës. Kurse në perëndim kështjella kufizohet më trasenë e rrugës antike. Ajo në të gjitha anët është fortifikuar me mure të ngritura me gurë mesatar dhe të vegjël të lidhur më llaç të bardhë gëlqereje. Në anën veriore të kullës është zbuluar hyrja e kullës së fazës së parë sikurse edhe një parë shkallare guri tetëshkallësh. Në anën perëndimore të kështjellës, përafërsisht në mesin e saj është zbuluar hyrja kryesore dhe një hyrje anësore në anën verilindore. Hyrja kryesore, hyrja për karroca është e gjerë 3.20 m. Kështjella në anën jugore mbrohej më një kullë drejtkëndore e ngritur në tri faza.
Lartësia e mureve të kullës së fazës së parë të ndërtimit nga ana e brendshme është 4.20 m pa arritur në taban, ndërsa nga ana e jashtme muret deri në taban ruhen në lartësinë prej 4.70 m. Kështjella është ndërtuar në shek. IV – VI e.s, duke mos përjashtuar mundësinë e përfaqësimit të fazave dardane të epokës parahistorike të bronzit dhe të hekurit, sikurse edhe fazat mesjetare të shek. IX – XI e.s.
Mund të identifikohet me kështjellën Kekola, të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, historiani i oborrit mbretëror të mbretit më origjinë dardane Justinianit, në veprën “ Mbi ndërtimet”, në shek. VI e.s. Bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore dhe shkëncore, aseti kështjella antike e Keqekollës në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.