12 Gusht 2023

Gazeta Dita

Faqja e njohur Albeu thotë se Rama po përgatit një kabinet krejtësisht të ri që do t’ja prezantojë shqiptarëve në përfundim të pushimeve verore.

Artikulli që rendit emrat e 5 ministrave që mund të largohen, e krahason Ramën me “skifterin që pasi arrin një moshë të caktuar shkul pendët dhe copëton sqepin për të jetuar edhe shumë vite të tjera”.

Sipas faqes në fjalë Rama pritet të lehtësojë veten nga çdo personazh që e ka rrethuar deri më tani që ka apo pritet të ketë të bëjë me SPAK duke hequr dorë nga çdo kosto për t’u fokusuar te investimet e reja, duke synuar edhe një mandat tjetër. Por cilat pritet të jenë lëvizjet më të forta të Ramës në qeveri?

Delina Ibrahimaj

Ibrahimaj u shkarkua njëherë nga Rama, por për arsye ende të paqarta vijoi punën në qeveri, të paktën edhe për disa javë. Ibrahimaj u shkarkua pas një sherri gjatë mbledhjes së kabinetit, por më pas edhe ajo edhe Rama dolën në publik dhe mohuan një lajm të tillë.

Duket se kryeministri nuk është nxituar në shkarkimin e saj duke pritur vjeshtën për t’ja përfshirë emrin në listën e ministrave të tjerë që ikin në kuadër të një riformatimi të qeverisë. Ibrahimaj në fakt nuk qenë ndonjëherë ministre më shumë se sa një investim i grupeve të fuqishme të biznesit në vend.

Olta Xhaçka

Xhaçka është një ndër bashkëudhëtaret e vjetra të Ramës, por ajo është e vetmja ministre investitorë strategjike, të paktën me letra, në kabinet. Koncensioni i Portit të Limionit ndaj një kompanie private, po hetohet prej prokurorëve të SPAK, shkruan AlbEU.

Deri më tani Xhaçka është paraqitur disa herë në SPAK për një bazë detare kur ajo ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Frida Krifca

Pavarësisht se tashmë ajo ka nisur një fushatë në rrjetet sociale me investime të fermerëve të bëra me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Krifcën nuk e kap tetori në krye të punëve.

Anulimi i fondeve IPARD nga KE dhe zbulimi se fondet janë tjetërsuar janë një shkak i mjaftueshëm për ta hequr Krifcën nga Ministria e Bujqësisë. Kujtojmë se KE ka kërkuar paratë e IPARD mbrapsht nga Maqedonia kur u hasën shpërdorime, kurse në Bullgari u arrestua një kryebashkiak.

Bora Muzhaqi

Nuk është kuptuar ndonjëherë se çfarë bën Bora Muzhaqi në krye të ministrisë dhe çfarë bën në fakt ministria që ajo drejton, por politikania e re do të mbahet mend në publik për gafat e shumta.

Edona Bilali

Bilali ka qenë në qendër të një skandali me shpërndarjen e fondeve për START UP-et. Tashmë situata politike ka ndryshuar në Shkodër, kurse investitori i saj politik pritet të ketë probleme me drejtësinë.