KiE ngre alarmin për konflikt në Mal të Zi: – Tensionet ndëretnike mes malazezëve, shqiptarëve e serbëve janë rritur.
KiE ngre alarmin për konflikt në Mal të Zi: – Tensionet ndëretnike mes malazezëve, shqiptarëve e serbëve janë rritur.
7 QERSHOR 2021
Para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi është vënë re një rritje e fortë e gjuhës së urrejtjes ndëretnike mes malazezëve, serbëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Këto janë gjetjet e një raporti vëzhgues të Këshillit të Europës, që ka ngritur alarmin se kjo gjuhë mund të precipitojë në dhunë e konflikt të paprecedentë nëse nuk veprohet në kohë. KiE thotë se po thellohen ndasitë mbi baza etnike dhe gjuha e urrejtjes ka marrë forma kërcënuese sidomos në rrjetet sociale.
Raporti vëren se ka përplasje edhe mbi baza fetare, ndërsa kritikon qëndrimin apatik të autoriteteve që ndërhyjnë pak, ose aspak për të ndryshuar këtë situatë, madje akuzohen se në disa raste me vendimet e tyre e kanë nxitur më shumë këtë konflikt.
Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve gjithashtu të sqarojnë përdorimin e simboleve shtetërorë në Malin e Zi, pas tensioneve në lidhje me përdorimin e flamurit kombëtar nga shqiptarët e Malit të Zi.
KiE thotë se ka paqartësi në këtë pjesë dhe se ligji aktual në fuqi nuk i ndalon pakicat etnike të shfaqin simbolet e tyre kombëtare, por kërkon që ata gjithashtu të shfaqin flamurin kombëtar përkrah tyre, ose të përballen me gjobë prej 100 dhe 500 euro.
Në 2019, policia gjobiti disa shqiptarë për shfaqjen e flamurit kuqezi gjatë festivaleve në qytetin e Tuzit.
Gazeta Shqip