Kim Mehmeti: Na kanoset diçka e rrezikshme, ana e bukur e kulturës po zhduket.-
Kim Mehmeti: Na kanoset diçka e rrezikshme, ana e bukur e kulturës po zhduket.-
Kim Mehmeti, autor i “Mapo Edition” me romanin “Pusi”, ka qenë i pranishëm gjatë Ditënetëve të Librit që u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar për të folur mbi këtë roman, por dhe letërsinë në tërësi, takim i organuar nga UET Press.
“Na këndonin nënat të bëheshim më të bukurit e botës. Sot të jesh shkrimtar do të thotë të jesh i mallkuar. Unë mendoj se na kanoset diçka e rrezikshme, se disa pjesë të kulturës që japin anën e bukur të shqiptarisë, po na zhduken. Dikur çështja e statusit tënd zgjidhej, sot jo, sepse është e vështirë. Libri nuk matet me faqe. Libri është ai që lexon lexuesi e jo ai që shkruan shkrimtari”, tha Mehmeti.
Ai shtoi se jetojmë në kohëra të vështira për librin e për shqiptarët.
“Ne na i lexojnë librat ata që ne ua dhurojmë. Por nuk duhet të ankohemi. Togfjalëshin ‘nuk kemi lexues’ e kanë nxjerrë shkrimtarët e dobët. Në mos asnjë, vepra e ka 1 lexues të garantuar: vetja jote, e mandej ta lexon gruaja dhe familja”.
Sipas tij, shkrimtari është dyshues në veprën që bën.
“Duhet të kesh forcën e të thuash edhe që nuk vlejnë të botohen. Unë i kam thënë vetes shkrimtar, vetëm pasi kam takuar Anton Pashkun. Dhe e dini si? Shkova ta takoja në Prishtinë. E kur takimi mbaroi, dolëm nga apartamenti i tij. Ai priste me mua në këmbë që të vinte ashensori. Më erdhi zor dhe i thashë: ju lutem, kthehuni brenda e mos prisni në këmbë. ‘Të kam pritur 20 vjet’, më tha. Më dha zemër e unë kam shkuar në Shkup si me raketë atëherë”, kujtoi Mehmeti.
Gazeta MAPO.