Kina peshon rreziqet e përplasjes SHBA-Rusi mbi Ukrainën
Kina peshon rreziqet e përplasjes SHBA-Rusi mbi Ukrainën
28 JANAR 2022
Pavarësisht se i bashkon rivaliteti me Shtetet e Bashkuara, interesat e Kinës dhe Rusisë nuk përputhen gjithmonë.
Kina po vëzhgon me interes ndërsa Rusia dhe Perëndimi përballen për Ukrainën. Pekini është i angazhuar në mosmarrëveshjet e veta territoriale dhe ka ofruar mbështetje politike për Moskën. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Kina gjithashtu ka investuar miliarda dollarë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, të cilat mund të jenë në rrezik në rast të ndonjë konflikti.
Vendet perëndimore kanë kërcënuar me sanksione të paprecedenta ekonomike kundër Moskës, nëse ajo pushton Ukrainën. Nëse ndahet nga Perëndimi, a mund të shikojë Rusia nga lindja për ndihmë, tek Kina?
“Kina ka të ngjarë të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar rusët të përballen me sanksionet ekonomike, që Shtetet e Bashkuara dhe evropianët mund të vendosin ndaj Rusisë. Megjithatë, mendoj se lidhjet ekonomike midis Rusisë dhe Kinës nuk janë mjaft të forta për të zëvendësuar ndërprerjet e lidhjeve ekonomike midis Rusisë dhe Evropës”, thotë Steve Tsang, drejtor i Instutit për Kinën në Universitetin e Londrës.
“Ky koordinim i politikës së jashtme patjetër do të rritet, sepse nga perspektiva ruse, intensifikimi i partneritetit ushtarak midis Rusisë dhe Kinës është pikërisht një nga dhimbjet kryesore që Rusia mund t’u shkaktojë Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”, thotë Dmitry Suslov me Universitetin për Hulumtime Kombëtare të Rusisë.
Ndërkohë, Kina po vëzhgon nga afër reagimin e NATO-s dhe Amerikës ndaj çdo pushtimi rus.
“Edhe pse ka dislokime trupash në shtetet e Evropës Lindore, asnjë shtet nuk po flet për dërgim trupash në Ukrainë për ta mbrojtur atë. Dhe sigurisht, Kina po e vëzhgon këtë, ndërsa ka mosmarrëveshjet e saj territoriale në zonat e veta”, thotë Julie Norman, analiste e sigurisë.
Tajvani është mosmarrëveshja më e madhe territoriale e Kinës – dhe ekziston rreziku i llogaritjes së gabuar teksa Pekini shikon zhvillimet në Ukrainë, thotë Steve Tsang.
“Kinezët i shohin amerikanët dhe evropianët që flasin shumë, por nuk bëjnë asgjë, gjë që do t’i trimëronte ata në lidhje me Tajvanin dhe ndoshta t’i bënin llogaritë gabim rreth përgjigjes amerikane ndaj një krize mbi Tajvanin”.
Pavarësisht se i bashkon rivaliteti me Shtetet e Bashkuara, interesat e Kinës dhe Rusisë nuk përputhen gjithmonë. Nisma prej triliona dollarësh e Pekinit “Një Brez Një Rrugë” kalon nëpër disa shtete të ish-bllokut sovjetik – përfshirë Ukrainën. Një linjë direkte hekurudhore dhe trageti, që lidh Kinën me bregun e Detit të Zi të Ukrainës nëpërmjet Gjeorgjisë, Azerbajxhanit dhe Kazakistanit – duke anashkaluar Rusinë, u hap në vitin 2016.
Kina ka financuar gjithashtu projekte infrastrukturore, duke përfshirë një linjë të re metroje për Kievin. Nëse Rusia pushton Ukrainën, a mund të rrezikohen investimet e Pekinit në rajon?
“Ndikimi më i menjëhershëm për nismën Një Brez Një Rrugë do të ishte në fakt ndërhyrja ushtarake ruse në Kazakistan. Dhe qeveria kineze ka treguar se është mjaft e qetë dhe e mbështet atë. Për ta, është më e rëndësishme të mbështeten shtetet autoritare dhe autokratët për të qëndruar në pushtet, sesa që disa prej tyre të jenë më afër Rusisë sesa Kinës, për momentin. Në një afat më të gjatë, gjërat mund të ndryshojnë”, thotë Steve Tsang.
Në një periudhë afatshkurtër, thonë analistët, Kina është e prirur të qëndrojë larg tensioneve të ndezura për të paktën javët e ardhshme, ndërsa përgatitet të mirëpresë Lojërat Olimpike Dimërore./voa
Nga Gazeta Sot