Kioskëzimi i Tiranës/ Veliaj mbush kryeqytetin me kioskat e salçiçeve të Agim Zeqos. –

Kryebashkiaku Erion Veliaj, duket se nuk ka të ndalur, me planin e tij për “kioskëzimin” e Tiranës. Kryeqytetit tashmë i janë shtuar disa kioska të reja, ngjyrë kafe, të cilat mbajnë emërtimin “Wiener Wurst”, që do të thotë “salçiçe vieneze”. Këto kioska  kanë filluar të mbijnë në cepa të ndryshëm të Tiranës.

Portali “Politiko.al“, raporton se këto kioska janë në pronësi të Albanian Distribution & Development (ADD), kompania e biznesmenit Agim Zeqo, i njohur si “Gimi i Red Bullit”, për shkak të pronësisë mbi pijen energjike Red Bull. Tashmë zoti Zeqo, përveç Red Bullit dhe kafesë, do të njihet edhe si “biznesmeni i salçiçeve”. Nuk dihet nëse në këtë biznes të kioskave me salçiçe, do të përfshihet edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është ortak me Agim Zeqon në disa biznese të tjera.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një spastrim të rrugëve të kryeqytetit nga shitësit ambulantë, për të krijuar mundësi të reja për kioskat e oligarkëve. Në rrjetet sociale, janë publikuar dhjetëra video, të cilat tregojnë dhunën që ushtron Policia Bashkiake, mbi shitësit e varfër, që shesin për të mbijetuar. Por trotuaret e Tiranës, vazhdojnë të uzurpohen nga kioskat e oligarkëve, për të cilët dyert e zyrës së kryebashkiakut, janë gjithmonë të hapura.