Lida Shosha Kirugia Piktore

23 Gusht 2022

Nga Anila Dedaj

Kirurge prej tri dekadash e pikturon prej 7 vitesh, duke i dhuruar punët e saj. Mjekja Lida Shosha ekspozon 30 vepra në galerinë “Fab”. E apasionuar pas ngjyrave, stilit e artit, rrëfen se ngacmimin për pikturën e mori nga sfidat e përditshmërisë me pacientët në spitalin ku punon.

Është mjeke kirurge prej tri dekadash… Gjithmonë kreative dhe e apasionuar pas të bukurës e artit, Lida Shosha nisi të pikturojë 7 vite më parë….

“Në mënyrë spontane, një ditë të bukur marr një telajo edhe në të hedh pikturën e parë me disa trëndafila. Ia dhashë nënës time dhe e pyeta: A të pëlqen?! Ajo më tha se i pëlqeu shumë, dhe ia ktheva: Është dhuratë për ty”, tregon kirurgia Lida Shosha e apasionuar pas pikturës.

Siç thotë të pikturojë, krahas pasionit për ngjyrat e stilimit të veshjeve, erdhi si nevojë e brendshme e nxitur prej punës e kontaktit të përditshëm me pacientët.

“Besoj që ky ka qenë ngacmimi kryesor. Kjo, sepse në profesionin e kirurgut ne jemi shumë të sfiduar. Përditë të sfiduar! Me pacientë, me situata nga më të ndryshmet, me gjendje shumë të rënda, me të cilat mjeku duhet të bëjë maksimumin e vet për të dhënë zgjidhje. Dhe mbase shpërthimi në drejtim të pikturës ka qenë një mënyrë që organizmi, truri të qetësojë vetveten”, shprehet më tej.

Lida Shosha Kirugia Piktore

Në Galerinë Fab, ekspozohen me “Ngjyrat e jetës”, 30 piktura nga “Gjeneza”, tek kompozimet e luleve, “Qyteti i zemrës” që ngrihet përmes besimit e veçmas figura e gruas. Ajo vjen e parë me sytë e shpirtit,  delikate, por edhe përmes dhimbjes.

“Ka një mesazh që unë dua të jap, për një vlerësim më të fortë. Një vlerësim më real të gruas në Shqipëri”, shton më tej Shosha.

Pikturat e Shoshës, kryesisht janë dhuruar, e në fokus të këtij akti kanë qenë pacientët e saj.

“20 piktura i janë dhuruar pavijonit të kirurgjisë ku unë punoj me akt donacioni, sepse mendoj që piktura ka një impakt edhe në shëndetin e individit. Japin optimizëm, japin shpresë”, thotë mjekja kirurge.

Lida është mbi të gjitha nënë, e dy fëmijëve ua ka trashëguar profesionin. I biri, Dejvi u bë personazh i njohur përmes një prej emisioneve televizive të dashurisë.

“Si goca dhe çuni janë në rrugën e mjekësisë. Sa i përket pjesëmarrjes së Deivit në emision, më ka surprizuar dëshira e tij për tu bërë pjesë e televizionit, por unë besoj që pas disa muajsh ai e kuptoi se jeta ka më shumë opsione dhe ofron më shumë gjëra të tjera tek të cilat ai mund të gjejë vetveten”, rrëfen Shosha.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 29 gusht.

Gazeta Shqiptarja.com