“Nëse ka një dëshmi të artit ndërtimor, të ngritur në nivel qytetar, ai ndodhet padyshim në monumentet funerale të Varrezave të Rrmajit në Shkodër”… “Në pikëpamje urbanistike, për periudhën e ngjizjes së qytetit post-osman, ajo ka rëndësi të dorës së parë në formimin e idesë mbi formulimin e varrezës urbane në hapësirën shqiptare…”.
Sipas një relacioni Venecian, thuhet se në vitit 1610 meshtarët (klerikët katolik) kanë kërkuar lejen nga veziri i Shkodrës që të mund të celebrojnë meshë në periferi të qytetit në fshatin Rrmaj, pasi brenda qytetit kjo gjë ishte e ndaluar rreptësisht. Në relacionin e Imzot Pal Kamsit, ky fshat në vitin 1745, figuron si pjesë e famullisë se Top-hanes (Shkodrës) dhe kishte 16 shtëpi me 96 katolik. Duke pasur parasysh shënimet e me lartë, na lind e drejta të kuptojmë se ceremonitë fetare në Rrmaj, mund të kenë filluar qe nga momenti i paraqitjes se kërkesë në vitin 1610, për celebrimin e meshës në ketë pjesë fushore 5 kilometra nga Shkodra, në një ndër shtëpi private.


Aty prehen familjet e: Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve, etj., persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme në historinë e Shqipërisë: inxhinierët, Gjovalin Gjadri, Augustin Briot, (projektues i urës se Bunës, prefekturës së qytetit të Shkodrës), Ludevik Zojzi, Kol Idromeno…, piktorët: Pjetër Marubi, Simon Rrota…, muzikologët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda.., letrarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta …, mjekët: Dr. Frederik Shiroka, Terezina Suma e shumë figura të tjera. Në këto varreza prehen eshtrat e klerikëve, krijues të kulturës shqiptare: Atë Giacomo Jungut, Atë Anton Xanonit, Atë Pashko Bardhit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Zadejës, etj..

Po këto varreza mbajnë misterin e eshtrave të: Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, dhe klerikëve të lartë kishtarë që dhanë kontribut të paçmuar në pavarësinë e Shqipërisë si: Imzot Karlo Pooten, Imzot Pashk Guerrini, Imzot Lazer Mjeda, dhe më vonë Imzot Gasper Thaçi; eshtrat e këtyre të fundit në vitin 1967, u tërhoqën nga katedralja e Shkodrës për në varrezat e Rrmajt dhe sikur u zhduken duke mos lënë asnjë gjurmë.