Kisha e Profet Ilias, 1929 (+ Foto)
Nga: Kastriot Dervishi Piktor, ish Drejtor i Muzeut Onufri Berat.
Kisha e Shën Ilias është e vetmja kishë e ndërtuar në fillim të shekullit të XX-të në Berat. Ajo është ndërtuar në vitin 1929 në një nga kodrat më të bukura të Beratit përballë kalasë që ka mrrë emrin e saj, Kodra e Shëndëlliut. Viti i ndërtimit është vendosur në hyrje të derës kryesore nga perëndimi për në narteks i shënuar me mozaik me zaje të zinj lumi, 1929. Po edhe në pikturën murale është shkruar viti i pikturimit, 1929.
Foto 1. Portiku dhe këmbana e Kishës së Shën Ilias. Foto nga Koçi Kusta marrë nga albumi “Berati ne fototeka”
Kisha e Shën Ilias është ndërtim i tipit bazilikal me tri nefe. Naosi paraqet bazilikë trenefshe dhe mbulohet me çati dhe tavan druri i padekoruar. Tavani i vjetër dhe dekoracioni padyshim kanë qenë të një cilësie të lartë, mjafton ti referohemi të dyja dyerve të bukura që ju rikthyen kishës nga fondi i monumenteve pas rihapjes së saj si dhe disa prej ikonave që ka pasur si dhe kapiteleve të kollonave.
Foto 2. Kisha e Prefet Ilias, 1929
Ndërtimi në përgjithësi është i njëjtë me bazilikat e tjera trenefshe, kryesisht të fshatrave të Beratit dhe Myzeqesë te fund shekullit të XVIII dhe të shekullit të XIX. Naosi dritën e merr si nga veriu dhe jugu me dy dritare të mëdha. Dritaret nga jugu janë të vendosura mbi portikun. Altari merr dritë nga një dritare rrethore dhe dhe dy dritaret më të vogla anësore të naosit ndërsa apsida nga një hapsirë e vogël midis gurëve ne formë drejtkendeshi në qendër të saj. Portiku nga ana e jugut është prishur perfundimisht, është vetëm dera e gurtë që të lidh me naosin. Portiku ka qenë me harqe me kolona guri me qemer i njëjtë me portikun e Katedrales së Kalasë. Kembanorja ka qenë e vendosur nga ana jugore ku lidhet narteksi me naosin. Gjatë restaurimit të fillim viteve 1990, portiku dhe këmbanorja nuk janë rindërtuar. Naosi ndahet nga altari me një ikonostas druri.
Nefet ndahen me kollona të rrumbullakta guri dhe lidhen në lartësi me harqe. Në kapitele ato lidhen me trarë druri. Mafili është i ndërtuar mbi narteks dhe lidhet me naosin me tre ballkone të zhvilluar në qendër të tre nefeve. Kishës aktualisht i mungon portiku dhe këmbanorja si pjesë të arkitekturës së saj. Kisha e Shën Ilias u rikostruktua në fillim të viteve 1990. Ne fillim punoi firma ndërtuese e Robert Banos dhe ing. Nasho Xheka përfundoi punimet duke e sjellë në gjendjen që është sot. Kisha e Profet Ilias u shkatërrua si gjithë kishat e tjera në vitin 1967. Gjatë periudhës së diktaturës shërbeu si depo për ushtrinë.
Fotot nga Kisha e Shën Ilias (Shëndëlliut) të fotografit francez Michel Setboun në vitin 1990 tregojnë dhe gjendja e saj plotësisht e shkatërruar tregon trajtimin që i bëri shteti komunist objekteve të kultit dhe njëkohësisht deformimin e njeriut të ri ateist. Koleksioni i ikonave dhe objekteve bizantine të rajonit të Beratit ka në fondin e tij një pjesë të ikonave që kanë qenë vendosur në këtë kishë, gjithashtu një pjesë e ikonave ju rikthye kishës të cilat sot zbukurojnë ikonostasin e kësaj kishe.
Në Kishën e Shën Ilias, 1990, Foto Mitchel Setboun
Piktura murale
Piktura murale vjen shumë e dëmtuar. Aktualisht kemi një friz në të dya anët e naosit nga veriu dhe jugu si dhe nga perëndimi ku lidhet naosi me narteksin. Në altar nuk ekziston pikturë, është e prishur përfundimisht. Kemi dhe disa kapitele të kollonave të dekoruar në stilin e Katedrales së Kalasë. Nuk njohim emrin e autorit të freskave, mund të ketë qenë e shënuar në pikturë. Kemi të shënuar vitin 1929 pas çdo dedikimi. Eshtë e para kishë e shkruar në gjuhën shqipe. Të gjitha mbishkrimet e skenave biblike, emrat e shenjtëve dhe të dhuruesve janë shkruar në gjuhën shqipe. Ky është rasti i parë që shkruhet shqip dhe pasohet nga kisha e Shën Mihalit në Bubullimë të Lushnjes, në ripikturimin e saj në 1959. Ne mund të njohim familjet berarase që kanë kontriubuar për realizimin e kësaj pikture. Emrat e Dud Th. Bojaxhi dhe vëllëzërit, Katerina Vangjel Papajorgji, Kristina dhe Miltiadh Tutulani, Eleni Llavda, Andrea Mandi dhuruar prej Jan…, me shpezet e shtëpisë Vangjel … dhe shumë të tjerë që nuk i kanë rezistuar prishjes. Piktura murale është realizuar sipas programit ikonografik të kishës. Në frizin me skena që ka mbetur mund të shikojmë disa skena nga jeta e krishtit si dhe shenjtët.
Foto 4. Piktura murale nga jugu
Programi ikonografik është i plotë ndërsa stili i pikturimit ndryshon nga ai i shekujve më parë në pikturën bizantine. Po të vërejmë me kujdes piktura murale dhe ikonat e fundshekullit të XIX dhe fillim shekullit të XX janë më jetike. Piktorët kanë tendence largimi nga dekorativiteti. Portretet janë më jetësor dhe me më shumë volum. Skena Ungjillizimi i Hyjëlindëses dhe skena e Darkës së Fundit e tregojnë qartë këtë tendencë pikturimi. Ky stil pikture afrohet më shumë me pikturën e kishave katolike. Artisti është korekt me shfaqjen por synon më shumë në realizem. I kushton mjaft vemendje veshjes dhe palave të tyre, pikturon me shumë realizem ambjentin dhe objektet, këtu vlen të permëndet tavolina dhe mbulesa e saj në të dy skenat. Sfondet i bën të errët për të nxjer më në dukje portretet dhe aureolat.
Foto 5. Skena “Ungjillizimi i Hyjëlindëses” Pikturë murale në Kishën e Shën Ilias, Berat
Foto 6. “Darka e fundit “ Pikturë murale në Kishën e Shën Ilias, Berat
Po të rikthehemi në konceptin e pikturës bizantine e cila është krijimtari me shprehje tërësisht fetare, mbështetet në linja të forta dhe madhështi të ngjyrës. Në artin bizantin triumfoi parimi i irealitetit. Nga artisti kërkohej që brenda rregullave e kanoneve të rrepta, që përjashtonin fantazinë e tij, të mos pasqyrohej, figura reale por idea që qëndronte në bazë të tipit ideal. Karakteristikat individuale mungojnë, format janë rrafshta, dhe perspektiva mungon. Piktura murale dhe ornamentet gërshetohen bashkë me arkitekturën. Piktori i murales së Shën Ilias është larguar nga këto koncepte tipike bizantine dhe pretendon më shumë realitetin. Realiteti i tij krijohet mbi fantazine dhe aftësitë e tij jo mbi personazhe reale. Shenjtët kanë pothuajse fizionomi të njëjtë duke përjashtuar Jezu Krishtin dhe Shën Mërinë ai i qëndron besnik tipit të krijuar në shekuj mbi këto dy figura qëndrore të krishtërimit.
Foto 7: Shen Kostandini dhe Helena me Shën Efthimin. Pikturë murale në Kishën e Shën Ilias, Berat
Foto 8. Shenjtët, Athanas, Mina dhe Vasil. Pikturë murale në Kishën e Shën Ilias, Berat
Ikonat e Kishes
Në Muzeun Kombëtar Onufri janë ekspozuar pesë ikona që janë marë nga kjo kishë si dhe disa ruhen në fondin e monumenteve të Beratit. Emra të mëdhenj të ikonografisë shqiptare si Kostandin Shpataraku, Johan dhe Gjergj Çetiri dhe të tjerë autor kanë dekoruar këtë kishë. Ikona me autor Danielin “Larja e kembeve”, e Katedrales së Shën Mërisë, Kala sot ruhet në kishën e Profet Ilias.
Ikona Burimi jetëdhënës i Johan Çetirit e realizuar 1812 -1814 në të cilën ndërthurren elementë të besimit ortodoks dhe musliman, në sfond janë pikturuar minaretë e Xhamive. Ikona është ekspozuar në Muzeun Onufri dhe është marrë nga nga Kisha e Shën Ilias.
Ikona e Shën Dhimitrit e shekullit XVIII me autor Kostandin Shpatarakun ka qenë vendosur në ikonostasin e kishës. Ikona Shën Nikolla e Pantelemoni e shekulli XVII me autor anonim ku dallohet portreti i dy shenjtorëve në këmbë dhe me qëndrim ballor. Në anën e majtë është paraqitur Shën Nikolla, një nga shenjtorët më popullorë të krishtërimit, në anën e djathtë të ikonës paraqitet Shën Panteleoni. Ai bën pjesë në grupin e shenjtorëve “Anorgiroi”, mjekë që shëronin sëmundjet pa marrë para.
Foto 9: Ikona Shën Nikolla e Pantelemoni e shekulli XVII, anonim, Muzeu Kombëtar Onufi, Berat
Ikona Fjetja e Shën Marisë e shekullit XVIII – XIX me autor anonim. Shën Mëria është vendosur në qendër mbi një shtrat të lartë. Në dy rreshta paralel me figurën e Shën Marisë, mbrapa shtratit paraqiten apostujt, krishti paraqitet në pjesën më të lartë, në qendër. Ai është në këmbë dhe ka marrë në dorën e majtë shpirtin e Shën Marisë personifikuar nga miniatura e saj. Në të dy anët dhe sipër tij, qëndrojnë apostujt Shën Pjetri dhe Shën Pavli me Ungjill në dorë, më lart në formën e harkut paraqiten engjëjt. Mbi kokën e Krishtit kemi skenën tjeter të tregimit ikonografik: “Ngjitja e Shën Marisë në qiell”. Në pjesën e poshtme zhvillohet skena ku paraqitet episodi i Jeofanias, priftit çifut, që tentoi të sillte çrregullim gjatë ceremonisë së funeralit të Shën Marisë. Shën Mëhilli paraqitet në këmbë mbi një tufë resh, me veshje luftarake, Jeofania paraqitet në pozicion të rrëzuar me duart e prera të vendosura mbi shtrojën e shtratit.
Foto 10: Ikona Fjetja e Shën Marisë e shekullit XVIII – XIX, anonim. Muzeu Kombëtar Onufi, Berat
Në fondin e Monumenteve të Beratit ruhet ikona e shekullit të XIX, Hyrja e Shën Mërisë në tempull me autor Gjergj Çetirin.
Ikona “ Ngjitja në qiell e Profet Ilias”
E vetmja vepër e Agathangjel Mbricës që ruhet në muzeun “Onufri” është realizuar në fletë bronzi e larë në ar në teknikën e rrahjes me përmasa 68 cm lartësi dhe 58 cm gjerësi. Objekti është një realizim i vitit 1929, marrë nga koleksioni i kishës së Profet Elia në lagjen “Përrua”, Berat. Në librin e mbretërve Profeti thotë: « Këto vite nuk do të ketë shi pa komandën time. Në vitin e tretë Elia sakrifikoi një viç dhe kështu iu hoqi maskën profetëve fallco. Atëhere bie zjarri i Zotit dhe ndodh katastrofa. Përballë lumit Jordan, së bashku me apostulin Eliseo, përpara se të ngjitet në qiell me karrocën e zjarrtë Elia merr mantelin e tij e palos dhe përshkon ujërat duke i ndarë ato.”
Foto 11. Profet Elia e Agathangjel Mbricës, 1929. Muzeu Kombëtar Onufri, Berat
Në pjesën e poshtme është shkruar në shqip: “Në kohën e kujdestarëve Perikli Xheka, Nasi Mishaxhi në vitin 1929, punuar prej Agathangjel Mbrica, Berat”. Eshtë nga të parat ikona e shkruajtur në gjuhën shqipe.
Një ikonë e re e vitit 1996 që i kushtohet Profet Ilias është realizuar nga artisti beratas Ilia Buda. Ikona është vendosur mbi portën e hyrjes nga narteksi në naos. Artisti e dhuron këtë ikonë në emër të familjes Vangjel Buda. Ikona është e shkruar në gjuhën shqipe. Ilia Buda është pasardhës i argjendarit Gabriel Buda i cili ka gdhendur në reliev në mbulesën në formë amfia prej argjendi të ikonës së madhe të shën Spiridhonit në kishën e Shën Spiridhonit, në Goricë në vitin 1883.