Kisha e Shën Athanasit të Muzakajve në Kostur.
Nga: Dorian Koci.-
- Kisha e Shën Athanasit mbetet një momument shumë i rëndësishëm i kulturës arbëre jo vetëm për arsyen se dëshmon shtrirjen e pushtetit administrativ të familjes Muzaka në lindje të territoreve arbëre, por edhe sepse në afresket e saj mund të jetë shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës.
—-Kisha e Shën Athanasit në Kostur është një nga monumentet më të vjetra bizantine në krahinë. Sipas shënimit të ktitorit(ndërtuesit) që ka ardhur deri në ditët e sotme në murin perëndimor të saj, kisha u ndërtua në vitet 1383-1384 nga vëllezërit Stoia dhe Theodhor Muzaka, sëbashku me murgun Dionisi. Të dy vëllezërit ishin pjesëtarë të familjes fisnike Muzaka e cila sundonte Kosturin në ato kohë para pushtimit otoman. Mbishkrimi i stilizuar gjendet mbi portën në anën perëndimore të saj. Në të shkruhet:
Άνηγέρθη και ήνεκαινίσθη εκ βάθρου κ(αί) κόπου και μόχθου ό θείος // και πάνσεπτος ναός
οΰτος του έν άγίοις π(ατ)ρ(ός) ήμ(ών) Αθανασίου τοϋ Μεγάλου // κ(αί) άνιστορήθη παρά τους
κτιτόρους ήγου(ν) τους παν[ευγ]ενεστάτους κυ(ρ) Στώ // ϊα κ(αί) Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη . κ(αί)
τοϋ έν Ίερο(μον)άχ(οις) Διονυσίου . αϋφθεν // τευόντ(ων) δέ τ(ών) αύτ(ών) αϋταδέλφ(ων)
πα[ν]ευγενεστάτους κυ(ρ) Στώϊα. και κυ(ρ) // Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη. άρχιερατ[εύ]οντος δέ τοϋ πανιεριοτάτου έπισκό[που] // κυ(ρ) Γαβριήλ κ(αί) πρωτ[οθρόνου] εν [ετει ςω]^Β’.
U ngrit dhe u rinovua nga themeli, me mund dhe me vuajtje, ky tempull i atit tonë të shenjtë mes shënjtorëve, Thanasit të madh, si dhe u pikturua nga murgu Dionis të zgjedhur prej ktitorëve , zotërve shumë fisnikë Stoja dhe Teodor Muzaka, kur kryepeshkop i Kosturit ishte shumë i ndrituri zot Gavril, në vitin 1383/1384.(Mbishkrimi është përkthyer nga Pr.Dr. Pëllumb Xhufi)
Shkronjat e mbrishkrimit janë të mëdha, të shkruara bukur dhe të një madhësie, me përdorim paralel të gërmave të vogla. Ja vlen të veçohet përdorimi i llojit ou. Shkronjat e mbishkrimit duken se janë shkruar nga e njëjta dorë. Shën Athanasi, të cilit i është kushtuar ndërtimi i kishës, paraqitet i gjithi në këmbë, më i madh se shenjtorët e tjerë , në krah të hyrjes kryesore, brenda kishës.(Eugenia Dhrakopulo. Qyteti i Kastorias gjatë epokës Bizantine dhe Post Bizantine(shekulli i XII-XVI). Historia-Arti-Mbishkrimet. Kristianiki Arkeologji Shoqëria, Athinë;1997, fq 96-97).
Zakonisht në mesjetë familjet e mëdha feudale ndërtonin kishat e shenjtorëve që i konsideronin dhe si shenjtorët mbrojtës të familjeve të tyre. Në këtë rast edhe familja Muzaka nuk mund të bënte përjashtim, prandaj ka shumë gjasa që Shën Thanasi të ketë qenë shenjtori mbrojtës i kësaj familje feudale arbëre. Interesant është fakti se në traditën e krishterë ortodokse që i përkiste familja Muzaka në këtë kohë e dëshmuar edhe nga përdorimi i greqishtes bizantine në mbishkrimin e kishës, Shën Thanasi nderohej si mbrojtës i Trinitetit kundër Arianizmit. Triniteti i shenjtë në teologjinë ortodokse nënkupton bashkimin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë si një Zot i vetëm në tre persona të shenjtë. Të tre personat janë të dallueshëm nga njëri tjetri por gjithësesi ata janë, Një substancë, Një thelb i natyrës. Triniteti është parim bazë i krishterimit dhe sfidën më të madhe të kundërshtimit si parim e pati në shekullin e IV nga Arianizmi. Arianizmi ishte një lëvizje e themeluar nga prifti Aris e për rrjedhojë të gjithë pasuesit e tij u quajtën arianë. Në thelb të doktrinës së Arianizmit qendron pikëpamja se Ati është i ndarë nga Biri dhe se ky i fundit ka përfituar shumë nga drita dhe mënçuria e tij, por ka një natyrë njerëzore dhe jo hyjnore. Konflikti midis Trinitetit dhe Arianizmit i filluar në Egjipt pushtoi pothuajse gjithë botën e krishterë dhe u bë shkak i thërritjes së Koncilit të Parë të Nikeas nga Perandori Konstandin në 325. Kuvendi nxori më 325 kredon e njohur të Nikesë: «Krishti është Biri i Perëndisë, i lindur nga Ati, biri i vetëm, d.m.th. nga thelbi (ousia) i Atit: Perëndia nga Perëndia, Drita nga Drita, Perëndia i vërtetë nga Perëndia i vërtetë, i parëlindur, jo i krijuar, i një natyre me Atin.». Arianizmin e përqafuan fist gjermanike si gotët,visgotët, vandalët e lombardët dhe në shekullin e V pas shkatërrimit të Romës , ishte mbisundues në Europën Perëndimore.
Po përveçse se Shën Athanasi mund të ishte shënjtori mbrojtës i familjes, a mund të ishte ndërtimi i Kishës së Shën Thanasit si një komformim i vendosjes së dogmës zyrtare të krishterimit bizantin? Shën Athanasi konsiderohet si një nga Etërit e Kishës dhe mbrojtësi i flaktë i Trinitetit përkundrejt herezive, kryesisht arianizmit. A mund të kishte lidhje ndërtimi i kësaj kishe me faktin se rrethinat e Kosturit, Maqedonisë qendrore, Babuna ishin territore ku kishte filluar Bogomilizmi, që konsiderohej një lloj herezie njëlloj si arianizmi shekuj më parë. Dogma Bogomile i kishte zanafillën pikërisht në territoret ku sundonte Vukashini, në Maqedoninë e sotme. Herezia e bogomilëve fillimisht u shfaq në Bullgari në shekullin X, prej një prifti bullgar të quajtur Bogumil. Etimologjia e këtij emri në gjuhën bullgare është Bog do të thotë Zot dhe mill e ka kuptimin i dashur, pra bogomil do të thotë i dashur i Zotit. Prifti Bogumil filloi të predikonte me zell herezinë e tij në Bullgari. Në vijim ishte prezbiteri Kozma që formuloi doktrinën bogomile. Heretikët bogomilë predikonin një jetë fetare shpirtërore dhe një mënyrë jetese asketike. Herezia e bogolimizmit u përhap me shpejtësi të madhe saqë gjeje qyteza të tëra të banuara vetëm nga bogomilët. Gjatë Kryqëzatës së Parë, ndërsa marshonte drejt Selanikut në vitin 1096, ushtria e kryqëtarëve ndeshi në viset e Ohrit një qytezë të banuar krejtësisht prej bogomilëve. Ata përçmonin çdo kult të jashtëm, çdo rit dhe gjithë organizimin kishtar. Herezia e bogomilizmit u përhap edhe në Iliri. Në vitin 1097 Bohemundi shkatërroi në Pelagoni një qytezë të populluar nga bogomilët (Zhan Klod Faverial, Bogomilizmi, herezia që shkatërroi Ilirinë, Metropol, 22 gusht 2005, faqe 18, 19).
Eshtë e vërtetë qqë në vitin 1290 mbreti serb Stefan Nemanja, organizoi një koncil fetar ku i dëboi bogomilët nga mbretëria e vet dhe fill pas kësaj ata u përhapën në Bosnje dhe Dalmaci, por gjithësesi Maqedonia ku sundonte Vukashini vazhdonte të konsiderohej si qendër e Bogomilizmit.
Për më tepër marrëdheniet e Vukashinit dhe vëllait të tij me pushtetin bizantin ishin të tensionuara pasi të dy vëllezërit tentonin të zgjeronin pushtetin e tyre drejt Selanikut, qendrës së dytë Perandorisë Bizantine. Në këtë kontekst Bizanti ishte shumë i interesuar për zvogëlimin e pushtetit të tyre dhe shtrijen e pushtetit të vet me anën e një prej despotëve bizantinë që në këtë rast ishte Andrea Muzaka.
Kujtojmë faktin se pas betejës së Peristerit në 1370, kur Andrea Muzaka II mundi Princin serb Vukashin, u nderua në mënyrë të veçantë nga Perandori Bizantin Joan V Paleologu, duke i blatuar stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Me këtë rast Perandori Bizantin i rikomfirmoi titullin e vjetër Despot me një vulë të artë të marrë për herë të parë në 1336, por edhe një fron despoti të qëndisur me margaritarë emblema me shqiponjën bizantine të përmendur më lart.(Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 264)
Për më tepër se 25-30 vjet pushteti bizantin ishte dëbuar nga këto treva nga serbët dhe bullgarët dhe tashmë Perandori Bizantin Joan V Paleologu dëshironte të kishte një rikthim. Në të njëjtën kohë siç shkruan Gjin Muzaka në Kronikën e tij, Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi dhe qytetin e Kosturit që ishte nënë sundimin e djalit të Vukashint, Marko Kralejviçit. Qyteti i Kosturit që është një gjë fort e bukur dhe me të ardhura të mëdha rrëfen Muzaka u muar me forcën e armëve nga Mark Kralejviçi dhe mbeti zotërim i Muzakajve derisa u pushtua ashtu si zotërimet e tjera të Muzakajve, nga pushtuesit osmanë.( Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 177). Në betejën e Kosturit morën pjesë edhe disa fisnikë të tjerë arbër, si Balsha II, vjehërri i Andrea Muzakës, dhe dhëndri i këtij të fundit, zoti i Dibrës dhe Ohrit, Andrea Gropa. Si simbol i zotërimit të qytetit familja Muzaka ndërtoi dhe kishën e Shën Athanasit duke marrë kështu edhe rolin e ktitorit njëlloj si despotët dhe familjet e tjera fisnike në rajon. Në të njëjtën kohë nëpërmjet blatimit të Kishës së Shën Athanasit , pushteti bizantin dhe familja Muzaka rikomfirmuan krishterimin zyrtar të Perandorisë Bizantine duke dhënë mesazhin e mos tolerimit të herezive kishtare. Kisha i mbijetoi edhe pushtimit të mëvonshëm otoman dhe vazhdon të jetë në shërbim të komunitetit të besimtarëve deri në ditët e sotme. Kisha është restauruar në vitin 1951.
Ajo është një kishë të vogël, me një dhomë me çati të drunjtë me narteks të ndërtuar më vonë nga ana perëndimore. Në brendësi të saj është shumë e pasur me piktura murale me karakter rrëfimitar. Pikturat murale përmbajnë skena nga jeta e Krishtit si edhe shumë shenjtorë, në mes tyre zënë një vend të veçantë shënjtorët lokalë dhe ata të urdhërave ushtarakë.
Kisha e Shën Athanasit mbetet një momument shumë i rëndësishëm i kulturës arbëre jo vetëm për arsyen se dëshmon shtrirjen e pushtetit administrativ të familjes Muzaka në lindje të territoreve arbëre, por edhe sepse në afresket e saj mund të jetë shëmbylltyra e Princit Arbër Andrea Muzakës. Sipas Prof. Pëllumb Xhufi në librin “Nga Paleologët te Muzakajt”, në afresket e Kishës së Shën Athanasit të Kosturit gjendet i pikturuar dhe Shën Gjergji i cili në mënyrë krejt të pazakontë për ikonografinë bizantine mban një mantel që ka për dizenjo shqiponjën dykrenore, me yll në mes. Kujtojmë vazhdon Prof. Xhufi, që pas fitores mbi Vukashinin në Perister, Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi fitimtarit Andrea Muzakës, stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Të jetë shqiponja në mantelin e Shën Gjergjit një jehonë e këtij episodi dhe pra të jetë figura e Shën Gjergjit, hyut luftëtar aq të dashur e të adhuruar ndër shqiptarët, një shëmbëlltyrë e Despotit Andrea Muzaka? Do t’i përgjigjeshim pozitivisht kësaj pyetje edhe për faktin se që të njëjtën shqiponjë në mantelin e figurës së Shën Gjergjit në Kishën e Shën Athanasit në Kostur, e ndeshim në emblemën e Muzakajve , të egzekutuar në basoreliev në altarin e kishës së Shën Mërisë së Mezanjës edhe ajo një fondacion i Muzakajve të emigruar në Itali pas rënies së Krujës.(Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 278-279)
Gjurmimi dhe rikrijimi i hartës së trashëgimisë kulturore shqiptare në rajon ndihmon në shpjegimin dhe rrëfimin e historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve të tyre kulturore mes vetes dhe qytetërimeve të tjerë si dhe rolin që luajtën familjet fisnike arbërore në ushtrimin e pushtetit administrativ e kulturor në rajon.
Bibliografi:
Eugenia Dhrakopulo. Qyteti i Kastorias gjatë epokës bizantine dhe post bizantine (shekulli i XII-XVI). Historia-Arti-Mbishkrimet. Kristianiki Arkeologji Shoqëria, Athinë: 1997.
Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55
Zhan Klod Faverial, Bogomilizmi, herezia që shkatërroi Ilirinë, Metropol, 22 gusht 2005.