Kisha e Shën Sofisë në Berat hap dyert këtë të shtunë
1 Qershor 2024
Hapja e dyerve të kishës së shën Sofisë. Ditën e shtunë, më datë 1 Qershor 2024, do të kryhet shërbesa e inaugurimit, Hapjes së Dyerve të Kishës së Shën Sofisë, në lagjen Kala Berat.
Kisha e Shën Sofisë ndodhet në qendër të kalasë së qytetit të Beratit, përgjatë itinerarit turistik që të çon në Katedralen e Fjetjes së Hyjlindëses Mari (sot muzeu Onufri.)
Nga studimet e themeleve të kishës dhe materialeve ndërtimore të gjendura përgjatë restaurimit, mendohet se kjo kishë daton midis shekujve XVII-XVIII.
Planimetria e kishës është në formë drejtëkëndore me absidën të vendosur në anën e lindjes dhe stili arkitekturor i saj ka të gjitha elementët e tipit post-bizantin. Kjo kishë është monument kulture i kategorisë së II-të.
Mitropoliti i Beratit në vitin 1855-1887, Anthim Aleksudhi, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit” na lë një dëshmi të vyer jo vetëm për ekzistencën e këtij objekti kulti më 1868, por mbi të gjitha duke e identifikuar këtë kishë si Shën Sofia e Urtësisë së Perëndisë (në dallim nga Shën Sofia, shënjtorja e martirizuar me tre vajzat e saj në Romë në shk. II pas Krishtit dhe që kremtohet më 17 shtator) duke e futur këtë kishë kështu në hartën e të paktave kishave në botë dedikur Shën Sofisë – Urtësisë së Perëndisë, e cila festohet në kalendarin ortodoks si Gjysëmpentikostia (25 ditë pas Pashkës së Madhe).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo kishë do të dëmtohej dhe digjej pjesërisht si rrjedhojë e predhave ajrore gjermane që ranë në mjdesiet e saj, duke u bërë “mburojë për shkatërrimin e shtëpive përreth” sipas dëshmive të banorëve të vjeter të lagjes kala.
Pllakata në hyrjen ballore të kishës, zbuluar gjatë restaurimeve të fundit, dëshmon për “rindreqien” e kësaj kishe me 1946 nga “një grup besnikësh”.
Me ndalimin e ushtrimit të kulteve fetare më 1967 kjo kishë u kthye në një kopësht për fëmijë gjatë periudhës komuniste, për tu rihapur sërisht si kishë pas viteve 90’.
Projekti për restaurimin e thelluar të kësaj kishe nisi në vitin 2021 me nismën e një grupi dashamirësish, dhe pas një pune tre vjeçare, nën hirin e Përendisë, iu rikthye kultit si e vemtja kishë aktualisht në shërbesë dedikuar Shën Sofisë në Shqipëri