Kishat bizantine te Beratit
Nga: Aleksandër MEKSI
Revista MONUMENTET
2/1990 (40) IMK Tiranë.
Gjurmët më të hershme të ndërtimeve të kultit të krishterë në qytetin e Beratit janë disa kapitele paleokristiane të tipit impostkapitel, që si dhe fragmentet e mozaikut të gjetura tashti vonë me mjaft gjasë i takojnë shek. V- VI. Mund të pranojmë në rrugë të tërthortë, ngaqë mungojnë dëshmitë e drejtpërdrejta, se Pulheriopolisi duhet të ketë qenë qendër peshkopale, përderisa përmendet si qytet në udhërrëfyesin e Hieroklit, hartuar në vitet 528- 529. Për pasojë, në të, siç tregojnë edhe gjurmët e sipërpërmendura, ka patur ndërtime paleokristiane, vendndodhjen e të cilave do të na e japin gërmimet e ardhshme arkeologjike.
Peshkopata e Pulheriopolit ridel në dokumentacionin historik në varësi të Dyrrahut në noticien episkopale të fundit të shek. X, me mjaft gjasë nga koha e sundimit të perandorit bizantin Jan Cimiskes, kur qyteti i shkëputet pushtimit bullgar, për një periudhë jo të shkurtër, që nga viti 970 deri në vitin 998. Me emrin Belgrad ai përmendet në vitin 1018 kur nga bullgarët e rimarrin bizantinët. Më tej në shek. XI- XII përmendet peshkopata e Gllavinicës, ku përmendet Kaliksti, peshkopi i Glavinicës dhe Belgrasit. Në fund të këtij shekulli kjo peshkopatë kthehet në metropoli, duke u dëshmuar si e tillë dhe në vitet e para të pushtimit nga turqit.
Nga periudha mesjetare ruhen pak a shumë të plota tri kisha: Shën Triadha , Shën Mëhilli dhe Vllaherna. Nga dokumentacioni i shkruar i shek.XIV (viti 1356) njohim dhe dy kish të tjera. Këto janë Manastiri i Shën Gjergjit dhe kisha e Shën Evangjelistit, për të cilat flet një shënim në kodikun e Manastirit të Shën Gjergjit. Ky manastir ka të ngjarë të ketë qenë në jug të kalasë, atje ku sot ndodhet Kisha e Shën Gjergjit. Përsa i përket kishës së Shën Janit nuk jemi të sigurt në se ishte brenda kalasë apo jashtë saj. Një tjetër kishë që përmendet në dokumentacion është kisha e Shën Mërisë, e rindërtuar në vitin 1413. Ajo nuk mund të identifikohet, por mund të supozohet se është fjala për Katedralen e Shën Mërisë.
Nga ndërtimet mesjetare të kultit që ruhen në Berat, më e vjetër duhet të jetë Kisha e Shën Mëri Vllahernës. Sot kisha paraqitet e transformuar, nga një meremetim i kryer rreth vitit 1578, kur pikturohet nga Nikolla i Onufrit. Përsa i përket kohës së ndërtimit, nga format arkitekturore dhe teknika e ndërtimit këtë kishë e kemi datuar si të shek. XIII, por mendojmë se është i mundur një datim në periudhë më të ngushtë kohe. Për këtë na ndihmon emrin e kishës “Shën Mëri Vllaherna”, që priremi ta lidhim me ndërtimin anonim të Artës, si dhe fakti që sundimtari i Epirit, Mihal Komnen Dukas jetoi për disa kohë në Berat, ku dhe u vra në vitin 1215. Në këtë mënyrë do ta shihnim këtë kishë si një ndërtim të fillimit të shek. XIII dhe më saktë përpara vitit 1215.
Më poshtë autori jep të dhëna për kishat e tjera duke i analizuar si vazhduese të teknikave të mëparshme por të evoluara.