Kishat të rrezikuara, Kliti Kallamata jep alarmin: Trashëgimia po humbet çdo ditë. –

Kishat të rrezikuara, Kliti Kallamata jep alarmin: Trashëgimia po humbet çdo ditë. –

02/11/2019

Monumentet e kulturës në vend janë jo pak të rrezikuara. Mungesa e ndërhyrjeve ndër vite ka bërë që degradimi i tyre të vazhdojë dhe sipas specialistëve të fushë kjo tregon që nga institucionet ka munguar kujdesi i duhur. Nëse flasim për objektet e kultit monument kulture në vend, gjendja e tyre ka jo pak probleme. Në muajin mars të 2018, një grup prej 12 kishash në Voskopojë dhe Vithkuq u shpallën nga “Europa Nostra”, në 7 më të rrezikuarat të trashëgimisë në Europë. Arkitekti dhe restauratori Kliti Kallamata shprehet se kishat rrezikojnë jo pak, nëse nuk ndërhyhet ndaj tyre. “Kishat rrezikojnë shumë degradimin e mëtejshëm, sidomos të pikturave murale.

Tek njëra në Voskopojë, di që kanë riparuar çatinë, dhe tek një kishë në Vithkuq diçka kanë bërë këtë vit, por kjo nuk e ndryshon gjendjen”, pohon restauratori Kallamata, drejtues i fondacionit “E shkuara për të ardhmen”, që bëri dhe propozimin e tyre për në “Europa Nostra”.

Sipas tij, këto objekte prej vitesh janë në këtë gjendje të mjerueshme. “Që u arrit në këtë gjendje dhe u shpallën në listën e 7 më të rrezikuarave ka munguar profesionalizmi nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ndër vite”, vijon më tej Kallamata. Pas shpalljes së tyre në listën e 7 më të rrezikuarave të trashëgimisë në Europë, arkitekti dhe restauratori i njohur Kliti Kallamta shton se Ministria e Kulturës duhet të gjejë mirëkuptim me organizatën “Europa Nostra”. “Ministria e ka kundërshtuar, që në fillim futjen e tyre në programin 7 më të rrezikuarat e trashëgimisë në Europë, dhe me sa duket nuk lëshon pe. Ministria duhet të gjejë mirëkuptim me “Europa Nostra”. Organizata “Europa Nostra” është për të ndihmuar me profesionistë”, shprehet më tej arkitekti Kallamata. Por ndërsa problemet në trashëgiminë kulturore në vend nuk janë të pakta, arkitekti dhe restauratori Klit Kallamata vijon se po humbasin monumentet e kulturës. “Trashëgimia po humbet çdo ditë. Shteti pretendon se po e mbron. Kush e ka fajin këtu? Ajo që po shkatërrohet apo këta, që bërtasin se po e ruajnë?”, thotë arkitekti dhe restauratori Kliti Kallamata.

Neglizhenca ndër vite

Kishat e Voskopojës e Vithkuqit janë një grup 12 kishash të ndërtuara në shekujt 17 e 18. Ato janë provat më autentike të zhvillimit ekonomik të këtyre qendrave kristiane gjatë regjimit Otoman në Ballkan. Fondacioni “The Past for the Future” (E shkuara për të ardhmen), e cila bëri dhe propozimin në organizatën “Europa Nostra” ka identifikuar shumë kërcënime për këto kisha. “Disa prej kishave përfaqësojnë stile unike arkitekturore në formën e bazilikave me kupolë. Lufta, plaçkitjet dhe katastrofat natyrore i kanë dëmtuar seriozisht këto struktura, si nga sulmet e shekullit të 18 dhe gjatë 2 luftërave botërore. Manastiret e Shën Gjonit në Voskopojë dhe ai i apostujve Pjetri e Pavli në Vithkuq janë bombarduar, kishat e Shën Nikollës dhe Prehjes së Virgjëreshës në Voskopojë janë djegur. Tërmetet e viteve 1903, 1930 e 1960 kanë dëmtuar dhe shkaktuar krisje, duke dëmtuar integritetin e tyre strukturor”, thuhet në materialin e publikuar nga fondacioni. Më herët nga fondacioni “E shkuara për të ardhmen”, mes të tjerave bëhej me dije se këto objekte monumente kulturore prej vitesh janë përballur me neglizhencën e institucioneve. “Kërcënimi kryesor është neglizhenca totale e administratës përgjegjëse në nivel kombëtar, pra Instituti i Monumenteve Kulturore”, shprehet fondacioni.

Kishat të rrezikuara, Kliti Kallamata jep alarmin: Trashëgimia po humbet çdo ditë. –

Materiali vijon se për këto objekte të trashëgimisë kulturore, jo vetëm kanë munguar ndërhyrjet por dhe vjedhja e veprave të artit ka qenë jo pak problem. “Dëmtimet nga uji, lagështira kërcënojnë pikturat e brendshme murale, veçanërisht në kishat që kanë humbur edhe çatitë ose dritaret nga dëmtimet. Disa nga afresket po humbasin ngjyrat e tyre prej kontaktit të drejtpërdrejtë me shiun ose dritën e diellit. Shumë nga pikturat murale të teknikës së afreskut, po shkëputen nga muret dhe janë gati të bien përtokë. Vjedhja e këtyre veprave të artit është një tjetër problem, pasi asnjë nga kishat nuk ka kamera ose sisteme sigurie”, thuhet për kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit. Kisha e Shën Gjergjit në Shipcka, Voskopojë, ishte fituese e çmimit “Europa Nostra” në 2011 për ruajtjen e saj, pasi kishte marrë mbështetje nga komuniteti lokal.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/