“Kjo është e rëndë”, Spartak Ngjela zbulon shkeljen që mund të ketë bërë Gledis Nano: – Rrezikon të arrestohet, nëse nuk ka respektuar…
31 Gusht 2022
Shkarkimin e Gledis Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, avokati Spartak Ngjela e sheh një
vendim të marrë në kushtet e flagrancës.
Ngjela: Nuk e dimë shkakun duhet ta gjejë gazetaria. E papritur u duk, 9 muaj ka. Por ka ndodhur një gjë
flagrante, se kundër Ramës, se kundër këtij…
Gazetarë të kronikës kanë shkruar se shkak i shkarkimit janë bërë dy urdhër-arreste që SPAK ja ka dorëzuar
policisë që javën e kaluar për ti ekzekutuar në kuadër të hetimit për dosjen e incineratorëve dhe që sipas tyre
Rama ka kërkuar shtyrjen në kohë të ekzekutimit. Këtu duket se ka nisur dhe përplasja.
I ftuar në një intervistë televizive, Ngjela thotë se vërtetësia e këtij lajmi do të ishte shumë e rëndë por është
mosbesues.
Ngjela: Kjo është e rëndë, duhet të ishte shprehur SPAK. Nëse ky nuk respekton urdhër-arrestet e SPAK që
është superfuqi sot, arrestohet ky. Nuk do t’ia dijë SPAK. Ka marrëdhënie juridike mes SPAK dhe policisë
por SPAK ka dhe forcat speciale për arrestet. Urdhër-arrestet e SPAK nuk ka forcë ti ndalojë. Nuk besoj se
është kjo por po të jetë është shumë e rëndë.
Por deri te shkarkimi i sotëm i Nanos pati shumë zhurmë dhe pikëpyetje mbi vërtetësinë e lajmit, apo faktin
nëse u dorëhoq apo u shkarkua.
Ngjela: Këto ndodhin, do të thotë se Rama nuk ka dashur ta shkarkojë por mund të jetë një detyrim politik
ose mund të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme. Në situata të tilla këta japin dorëheqjen, fakti që nuk e ka
dhënë ka mundësi që Rama dhe Ministri i Brendshëm i kanë kërkuar dorëheqjen, ky nuk ka pranuar. Ata e
kanë lënë për njëfarë kohe. Çështja është agravuar më shumë dhe e kanë pushuar. Kjo do t’ju dalë, mbajeni
mend.
Avokati ka komentuar edhe reagimin e Ambasadës amerikane për largimin nga detyra të kryepolicit.
Ngjela: Ajo i thotë drejtorit se nuk jemi ne promovuesit e kësaj çështje, e para. Por do të ishte me shkak
politik të fuqishëm në rast se Ambasada do ta kishte falenderuar për punën e tij para se të shkarkohej.
Atëherë mund të flisnim politikisht.
I pyetur nëse është lajmi mirë apo i keq largimi i Gledis Nanos nga policia, ai ka këtë përgjigje:
Ngjela: Unë e kam shpresën te SPAK jo policia. Policia nuk është ende në lartësinë e duhur, është e
mbytur nga korrupsioni, SPAK jo. Ne shpresën e kemi te SPAK. Nuk ma ha mendja që ky të ketë lidhje
me mosrespektimin e SPAK.
Gazeta Sot