Kjo ka qenë dhe do të mbetet një njollë e zezë për drejtësinë shqiptare pas 1990-ës
Kjo ka qenë dhe do të mbetet një njollë e zezë për drejtësinë shqiptare pas 1990-ës
Nga: Jonila Godole
Video bashkangjitur është një dokument i rrallë i agjencisë Reuters i datës 24 korrik 1996 ku anullohen dënimet me vdekje të tre ish-zyrtarëve të lartë gjatë komunizmit:
Aranit Çela, një nga prokurorët më famëkeq të regjimit komunist, i cili qe përfshirë personalisht në mbi 650 gjyqe politike qe dënuar me vdekje për “krime kundër njerëzimit”. Bashke me te, drejtori i fundit i Sigurimit, Zylyftar Ramizi dhe ish-prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino.
Në shkallën e dytë, aktgjykimet e tyre u rishikuan dhe dënimi me vdekje u ndryshua në 25 vjet.
Zyrtarët e tjerë u dënuan nga pesë vite burg, deri në dënime me burgim të përjetshëm.
Pas kthimit të socialistëve në pushtet më 1997, gjykatat rishqyrtuan pretendimet paraprake për krime kundër njerëzimit dhe Gjykata e Apelit vendosi më 20 tetor 1997 të heqë akuzat kundër Ramiz Alia dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë pasi ata “nuk mund të dënoheshin për veprime që nuk ishin të paligjshme në kohën kur u kryen”. Ndërkohë të gjithë kishin dalë nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997, ca qenë fshehur brenda apo jashtë vendit.
Në vitin 1999 edhe pjesa tjetër e të arrestuarve u shpallën të pafajshëm: Foto Çami (Shef i Propagandës, anëtar i Komitetit Qendror 1971-1991); Prokop Murra (ish Ministër i Mbrojtjes 1982-1990); Muho Asllani (ish Ministër i Bujqësisë 1986-1990); Gaqo Nesho (funksionar i lartë partie në Pogradec, Vlorë, Berat nga 1970 deri në fund të viteve 1980); Zef Loka (Drejtor në pozicione të ndryshme në Ministrinë e Brendshme nga 1976-1990) dhe Dilaver Bengasi (zëvendës oficer i shtetit nga 1973, drejtor policie nga 1985-1990).
Kjo ka qenë dhe do të mbetet një njollë e zezë për drejtësinë shqiptare pas 1990-ës dhe zor se mund të ndërtohet mbi këto themele një shtet i pavarur dhe i fortë ligjor.
Huazuar nga FB: J. Godole